Skenari i Serbisë për gjunjëzimin e Kosovës

Politika

Skenari i Serbisë për gjunjëzimin e Kosovës

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 24 maj 2018 Në ora: 23:16
Foto ilustrim

Kërkesat që liqeni i Gazivodës dhe një pjesë e Trepçës që gjenden në veriun e vendit të menaxhohen nga Asociacioni i komunave me shumicë serbe, qarkullojnë me vite në Beograd.

Por e keqja është se këtë skenar të përgatitur në Serbi, tashmë po e kërkojnë të vihet në praktikë zyrtarët serb që janë caktuar nga institucionet e Republikës së Kosovës për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave serbe me arsyetimin se këto dy resurse janë parakusht për mbijetesën e këtij komuniteti në veri të vendit.

Ky plan nëse analizohet në detaje përmban disa qëllime brenda vetes që kanë për synim dobësimin dhe gjunjëzimin e Kosovës.

Sa i përket pjesës së Trepçës, qëllimi i kryesorë është që Kosova zyrtarisht dhe eventualisht me ndonjë garanci ndërkombëtare të heq dorë nga kjo pjesë e resursit më të rëndësishëm të saj.

Ky veprim e dobëson shtetin tonë, sepse paratë e fituara nga kjo pjesë e minierës që dikur ishte njëri ndër motorët e ekonomisë jugosllave nuk shkojnë në buxhetin qendrore të Qeverisë së Kosovës, por në atë të Asociacionit.

Problemi tjetër, nëse ndodh kjo është se një pjesë e Trepçës do të kontrollohet nga Serbia përmes Asociacionit.

Edhe liqeni i Gazivodës është një resurs tjetër strategjik për shtetin e Kosovës që po kërkohet të kontrollohet nga Asociacioni që ka për synim gjunjëzimin e shtetit tonë.

Komuna e  Mitrovicës, Vushtrrisë, Skenderajt, Zveçanit dhe Drenasit, burimin e vetëm të ujit e kanë liqenin e Ujmanit. Edhe banorët e disa fshatra të komunës së Prishtinës furnizohen nga ky liqen për ujitjen e tokave të tyre.

Duke parë që një pjesë e Kosovës është aq shumë e varur nga Liqeni i Gazivodës, serbët pikërisht për këtë po kërkojnë që ky resurs të menaxhohet nga AKS-ja në mënyrë që të ata të mund të paraqesin një kërcënim të përhershëm për këto komunat që burimin e vetëm të ujit e kanë ujmanin. Kush mund të na garantojë që në një të ardhme, AKS-ja nuk mund të na ndal ujin për x arsye.

Poashtu, AKS mund të dëmtojë qytetarët dhe shtetin e Kosovës duke rritur çmimet e ujit. Këtë mund ta bëjnë sepse duke që qenë të vetmit në treg, ata kanë mundësinë për të caktuar rregullat e lojës.

Andaj, institucionet tona në asnjë mënyrë nuk duhet të pranojnë që këto dy resurse të kalojnë nën menaxhimin e Asociacionit që do të ishte fatale për ekonominë e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat