Në pritje të rishikimit të marrëveshjes për Demarkacionin

Politika

Në pritje të rishikimit të marrëveshjes për Demarkacionin

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 27 maj 2018 Në ora: 21:41
Foto ilustrim

“Ne po presim, kryeministri i vendit është në kontakte me palën malazeze dhe sigurisht që për dialogim qeveritë janë të hapura. Komisioni shtetëror është duke e bërë punën e vet, është duke punuar dhe vazhdon punën e vet në atë drejtim dhe presim që vendimin të marrë kryeministri i vendit, por se çfarë do të jetë kjo grup punuese, a do të ketë karakterin politik apo do ta ketë vetëm karakterin profesional, mbetet me pa në ditët në vijim”, thekson Shpejtim Bulliqi.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kohë më parë ka premtuar se çështja e demarkacionit do të rishikohet, ndonëse është miratuar në Kuvend. Mirëpo, ka kohë që çështja e demarkacionit ka mbetur në gjysmë dhe nuk është diskutuar më.

Kryetari i Komisionit Shtetëror për caktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi ka treguar për “Bota sot”, ecrurinë e procesit të  rishikimit të marrëveshjes.

“Parimisht nga miratimi i Kuvendit i një marrëveshje koherente të një deklarate që është nënshkruar nga dy krerët e vendit, dhe kjo deklaratë parasheh rishikim të vijave kufitare që janë të paqarta ose janë vijat kufitare që llogariten se janë problematike dhe nuk kanë përkufizim të caktun. Sigurisht që në atë marrëveshje parashihet që të krijohet grupa punuese. Grupin punuese e krijojnë dy qeveritë respektive, do të thotë Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Malit të Zi dhe grupa respektive duhet të ulet dhe të  rishikojë, në veçanti pikën e Kullës dhe pikën e Çakorrit”, thotë Bulliqi për “Bota sot”.

Image
Shpejtim Bulliqi

Në kontakt me palën malazeze

Ai thotë më tutje se komisioni janë në pritje, derisa kryeministri Haradinaj, është në kontakt me palën malazeze.

“Ne po presim, kryeministri i vendit është në kontakte me palën malazeze dhe sigurisht që për dialogim qeveritë janë të hapura. Komisioni shtetëror është duke e bërë punën e vet, është duke punuar dhe vazhdon punën e vet në atë drejtim dhe presim që vendimin të marrë kryeministri i vendit, por se çfarë do të jetë kjo grup punuese, a do të ketë karakterin politik apo do ta ketë vetëm karakterin profesional, mbetet me pa në ditët në vijim”, thekson Bulliqi.

Ai thotë, se ky grup punuese duhet të ketë edhe karakterin politik edhe atë profesional, derisa shton  për këtë të fundit se nuk ka asgjë problematike pasi komisioni është i përgatitur në këtë aspekt.

“Unë besoj se do të ishte e rrugës, që kjo grup punuese të ketë karakterin politik dhe profesional, pasi duhet t'i rinegociojnë ato pika dhe është mirë të involvohet edhe segmenti politik edhe profesional. Kur them segmenti profesional nuk ka asgjë problematike sepse komisioni shtetëror është përgatitur në këtë aspekt dhe ka mundësi maksimale që të jetë suport i kësaj grupe punuese dhe po shpresojmë që në momentin kur do të krijohen kushtet do të jemi të gatshëm të merremi më këtë çështje”, vlerëson ai.

Mirëpo, nga ana e opozitës mendojnë se demarkacioni nuk do të rishikohet asnjëherë.

Image
Drita Millaku

Millaku: Nuk do të ketë asnjëherë rishikim

Kështu, deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku thotë se formimi i komisioni të ri për demarkacionin është vetëm mashtrim për të kaluar versionin e Murat Mehës.

“Formimi i komisionit Bulliqi ka qenë vetëm mashtrim i opinionit për të kaluar versioni i Murat Mehës. Rishikimi i demarkacionit nuk do të ndodhë asnjëherë. Haradinaj ka hyrë në kthetrat mashtruese të Thaçit dhe Kadriut dhe fatkeqësia më e madhe se në këto kthetra ka hyrë me vetë-dëshirë. Haradinaj do të shtrydhet si limoni dhe do të hidhet si leckë në mbeturina. Naiviteti politik dhe dëshira për të qëndruar në karrigen e kryeministrit po e shkatërrojnë shtetin e Kosovës”, thotë deputetja Millaku.

Ajo thotë më tutje, se Haradinaj do të jetë ‘vegla’ e fundit e Thaçit dhe Veselit për të qëndruar në pushtet.

“Si po duket Haradinaj do të jetë vegla e fundit e Thaçit dhe Kadrisë për të qëndruar në pushtet. Rishikim të demarkacionit nuk do të ketë asnjëherë, tani neve po na kanoset edhe një rrezik më i madh, Zajednica”, vlerëson deputetja e Vetëvendosjes.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj,  thotë se kjo marrëveshje është ratifikuar me mundësi rishikimi dhe korrigjimi.

Image
Leon Duhanaj

“Çështja e demarkacionit me Malin e Zi, për të cilën është debatuar aq shumë, sipas variantit të ratifikuar në Kuvend do të ketë edhe mundësi rishikimi dhe korrigjimi eventual nga ekipet, përkatësisht komisionet  punuese”, thekson ai.

Procedura mund të zvarritet

Mirëpo, sipas Duhanajt kjo agjendë, mund të jetë e ngadalshme, pasi që në radhë të parë çështja është votuar nga Kuvendi dhe tashmë nuk është i rëndësishëm faktori kohë.

“Së dyti, tema nuk është më interesante për interesat elektorale partiake.  Partitë politike, edhe gjatë kohës kur punuan dy komisionet parlamentare, nuk është që kishin shfaqur ndonjë interes të theksuar deri në momentin kur e shndërruan në kauzë elektorale. Subjektet politike, do të duhej të kishin angazhim permanent në temat e caktuara në mënyrë që artikulimet politike t'i kenë të argumentuara dhe jo inerte, stihike, të ndikuara nga interesa ditore”, vlerëson analisti Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat