“Trimat” e Kuvendit, deputetët nuk ka kush i dënon!

Politika

“Trimat” e Kuvendit, deputetët nuk ka kush i dënon!

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 28 maj 2018 Në ora: 07:57
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Republikës së Kosovës po vazhdon të neglizhohet nga vetë përfaqësuesit e saj deputetet e Kuvendit. Legjislatura e gjashtë si njërën ndër problemet kryesore e ka edhe mungesën e deputetëve në punimet e Kuvendit.

Në rregulloren e Kuvendit nuk parashihen masa ndëshkuese për deputetët që anashkalojnë punimet apo seancat plenare.

Në fillim të seancave si zakonisht nënshkruhen shumica apo pothuajse të gjithë deputetët e më pas vështirë se gjenden aty dhe krejt këtë e bëjnë vetëm që mëditja e punës në Kuvend mos t’iu mungojë.

Por, mungesa e një rregulloreje të mirëfilltë të Kuvendit, si duket i ka trimëruar deputetët që të bëjnë veprime të tilla, siç janë ikja nga seancat parlamentare apo edhe mungesat e shumta në seanca dhe punimet e Kuvendit.

Mungojnë masat ndëshkimore

Image
Shqipe Pantina

Lidhur me mungesën e deputetëve dhe negizimin e punës së Kuvendit, deputetja e Partisë socialdemokrate Shqipe Pantina, ka thënë se mungojnë masat ndëshkuese për deputetët që neglizhojnë punimet apo nuk marrin fare pjesë farë në seancat plenare.

“Rregullorja është në procedim në komisionin për legjislacion por më sa e kam  pa nuk janë paraparë masa ndëshkuese. Ndëshkimin por edhe vlerësimin për punën e deputeteve më se miri e bëjnë votuesit prandaj ata duhet të jenë të kujdesshëm se kënd e votojnë”, ka thënë Pantina për “Bota Sot”

Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate, nuk ka dashur të flas shumë për mungesën e deputetëve në seancat plenare të Kuvendit të Kosovës.

Image
Bilall Sherifi

Ai vetëm ka thënë se kjo çështje është e rregulluar me rregullore të Kuvendit.

Neglizhimi i qeverisë ndaj Kuvendit

Kurse, deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Drita Millaku, ka shpjeguar se Kuvendi Kosovës e ka humbur efektin e vet. Sipas saj, jo vetëm për mungesë të deputetëve në seanca, por edhe për shkak të neglizhimit të qeverisë që ë behet organit më të lartë të parlamentit.

Image
Drita Millaku

“Ne si LVV kemi kërkuar disa herë që të penalizohen deputetët që nuk marrin  pjesë në seanca  dhe kjo duhet të behët jo vetëm më heqjen e mëditjeve por duhet gjetur forma tjera të penalizimit  duke e ndryshuar rregulloren. Kuvendi e ka humbur  arsyen e te qenit organi më i lartë në vend. Derisa deputetët  llogariten si numra e jo kontribuues  në diskutime e në paraqitje të problemeve akute të shoqërisë mendoj se është shumë e dëmshme”, ka thënë ajo.

Sipas deputetes Millaku, fatkeqësia më e madhe është se deputetët janë të vlefshëm vetëm për t’i bërë numrat për formimin e qeverisë, pastaj kontributi i tyre është i parëndësishëm.

Të penalizohen deputetët që neglizhojnë punimet e Kuvendit

Image
Artan Murati

Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë për “Bota sot”, se mungesa e deputetëve në punimet e Kuvendit është një nga problemet kryesore me të cilat po përballet legjislatura e gjashtë.

“Ndonëse pothuajse në të gjitha seancat në listat e pjesëmarrjes nënshkruhen më shumë se 90 deputetë, megjithatë në këto seanca shumë pika të rendit të ditës kanë mbetur të papërfunduara për shkak se në momentin e votimit nuk ka pasur kuorum për të votuar. Deputetët ose po e lëshojnë sallën e Kuvendit, ose qëllimisht nuk po marrin pjesë në votim, duke bllokuar kështu punën e Kuvendit. Këto veprime nuk kanë mundësi as të penalizohen, pasi që rregullorja e punës së Kuvendit nuk ka ndonjë dispozitë ndëshkuese për këtë fenomen”, ka treguar Murati.

Po ashtu, Murati ka thënë se këto veprime të deputetëve nuk janë të dënueshme as me rregulloren e re të Kuvendit.

“Këto veprime nuk janë të dënueshme as me draft-rregulloren e re të Kuvendit, e cila përsëri nuk përmban dispozita ndëshkuese për veprime të tilla. Si duket nuk ka vullnet politik nga grupet parlamentare për një gjë të tillë, përkundër propozimeve nga shoqëria civile për një gjë të tillë”, është shprehur Murati për “Bota sot”.

Kuvendi në një gjendje paralize

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, analisti politik, Nexhat Haziri, ka thënë se funksionimi i Kuvendit të Kosovës tashmë është në një gjendje paralize.

“Është e pafalshme dhe e papranueshme mos funksionimi i kuvendit si organi më i lartë ligjvënës në vend, sidomos në këtë kohë të proceseve të rëndësishme neper të cilat do të kaloj vendi i ynë. Dhe ky de funksionimin i kuvendit të Kosovës, bëhet për faktin e papergjeshmërisë së deputetëve për ta ushtruar funksionin e tyre për çfarë edhe janë mandatuar nga qytetarët dhe kjo duhet patjetër të shikohet me ndryshimet në rregulloren e kuvendit të Kosovës, për penalizimin e deputetëve të cilët nuk marrin pjesë në punimet e seancave kuvendore. Po ashtu edhe mungesa e një shumicë e koalicionit qeverisës po shkakton po ashtu probleme në punën e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Haziri për “Bota Sot”.

Të dhëna nga KDI

Mbi gjysma e deputetëve të Kuvendit të Kosovës janë pasiv në ushtrimin e funksionit të tyre si deputetë, qoftë me pjesëmarrje në seanca plenare, pyetje parlamentare apo fjalimeve të tyre në Kuvend.

Sipas platformës “Vota Ime” të KDI-së, janë vetëm dy deputetë, Muharrem Nitaj i AAK-së e Salih Zyba i Vetëvendosjes që kanë marrë pjesë 100 për qind në seanca plenare. Derisa, Ramiz Kelmendi e Teuta Rugova nga LDK-ja, janë deputetët me më së paku pjesëmarrje në seanca. I pari me 46 për qind, ndërsa, Rugova me 54 për qind pjesëmarrje.

Ndër deputetët që kanë qenë pjesëmarrësit më të rregullt në seanca janë edhe Ahmet Isufi, Andin Hoti, Avdullah Hoti, Bilall Sherifi e Kujtim Shala, me 98 për qind pjesëmarrje.

Hiq më mirë nuk janë as në aspektin e pyetjeve parlamentare. Sipas KDI-së, vetëm 45 deputet kanë parashtruar pyetje parlamentare në këtë legjislaturë, derisa, 62.5 për qind e deputetëve nuk kanë parashtrua asnjë pyetje parlamentare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat