Çfarë nënkupton modeli i dy gjermanive? Për Kosovën, ky është ngërçi i rrezikshëm

Politika

Çfarë nënkupton modeli i dy gjermanive? Për Kosovën, ky është ngërçi i rrezikshëm

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 28 maj 2018 Në ora: 17:36
Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi

Në opinionin publik dhe në media, kohëve të fundit është raportuar edhe ka filluar të qarkullojë lajmi se marrëveshja përfundimtare me Serbinë, pritet të jetë si modeli i dy gjermanive.

Ditë më parë, njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Haki Abazi, theksoi se për Kosovën është duke u përgatitur skenari, ku marrëveshja përfundimtare do të jetë model i dy gjermanive.

Po ashtu, edhe Drejtoresha e Qendrës për Politikë të Jashtme në Beograd, Aleksandra Joksimoviq, ka thënë se tashmë është e qartë se dialogu po hyn në fazën përfundimtare dhe beson se zgjidhja do të jetë diku sipas modelit të “dy gjermanive”.

Por si ka qenë ky model dhe sa mund të funksionojë kjo mes Kosovës dhe Serbisë? Lidhur me këtë për gazetën “Bota sot”, ka folur studiuesi dhe profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi.

“Ideja e një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë në modelin e marrëveshjes së nënshkruar më 21 dhjetor 1972 midis RF dhe RD të Gjermanisë është një ide e vjetër dhe e re. Modeli i pajtimit midis dy gjermanive para 46 vitesh është një model unikal, i parealizuar ndonjëherë në praktikën ndërkombëtare. Willy Brandt asokohe u shpërblye me Çmimin Nobel për atë marrëveshje, e cila i hapi rrugë normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve. Ashtu si Serbia sot nuk pajtohet me ekzistencën e shtetit të pavarur të Kosovës, edhe RF e Gjermanisë asokohe nuk e njihte RD Gjermane të lindjes. Me qëllim njohjen dhe krijimin e një situate tjetër në marrëdhëniet midis tyre, u arrit që me marrëveshjen e 21 dhjetorit Boni të njohë Berlinin Lindor, duke nënshkruar dhjetë kushtet bazë për këtë”.

Image
Enver Bytyçi

“Këto kushte kishin të bënin me vendosjen e marrëdhënieve të mira e të barabarta fqinjësore, *neni 1); me njohjen e së drejtës për të qenë anëtare e OKB-së të të dy shteteve (neni 2); me heqjen dorë I të dy shteteve nga përdorimi i dhunës dhe ose cenimin e kufijve shtetërorë (neni 3), me të drejtën që secili shtet të përfaqësohet vetë në marrëdhëniet ndërkombëtare (neni 4); mbështetjen e secilës palë për integrime europiane (neni 5); e mosndërhyrjen në punët e brendshme të njëri-tjetrit (neni 6), me të drejtën që të dy vendet të lidhin marrëveshje të tjera në fusha të ndryshme (neni 7), me hapjen e përfaqësive diplomatike në të dy vendet (neni 8) dhe ratifikimin e rregullt të marrëveshjeve midis dy shteteve (neni 10)”, thotë profesori Bytyçi.

Sipas tij, kjo marrëveshje mund të jetë e pranueshme për Kosovën si zgjidhje për konfliktin me shtetin serb.

“E solla përmbajtjen e asaj marrëveshjeje për të qenë të qartë se çfarë përmban ajo dhe për të kuptuar nëse Kosova ka interes nacional për një model të tillë lidhur me normalizimin e marrëdhënieve të saj me Serbinë. Dhe, nëse gjykojmë përmbajtjen e marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve midis RF dhe RD të Gjermanisë, atëherë do të vemë re se ajo marrëveshje është e pranueshme për Prishtinën zyrtare që të pranohet si zgjidhje për konfliktin e Kosovës me Serbinë”, shprehet ai.

Por, Bytyçi thotë se ekziston një arsye që modeli i “dy gjermanive” mund të çalojë.

“Unë druaj se suksesi i kësaj marrëveshjeje e të njëjtin model do të çalojë për një arsye: Në nenin tre të asaj marrëveshjeje, kur bëhet fjalë për mos cenimin dhe mos ndryshimin e kufijve, theksohet elementi “pa marrëveshjen e të dy palëve”?! Kjo do të thotë se marrëveshja e gjermane lejonte ndryshimin e kufijve me marrëveshje, me mirëkuptimin e të dy palëve, çka dhe ndodhi në fakt më 3 nëntor 1990, kur të dy Gjermanitë më në fund u bashkuan pas rënies së murit të Berlinit! Ishte ky akti madhor i shembjes gjithashtu të perandorisë komuniste sovjetike. Në atë marrëveshje dy Gjermanitë vetëm se fitonin në pikëpamje të interesit nacional me ekzistencën e një neni të tillë”.

“Po në rastin e Kosovës? Këtu na del një ngërç i rrezikshëm. Shqiptarët shumicë në Kosovë dhe serbët në Serbi nuk janë popuj që janë ndarë me dhunë nga bashkësia ndërkombëtare, siç ishin gjermanët pas Luftës së Dytë Botërore. Përkundrazi, të dy këta popuj u bashkuan me dhunë në vitin 1913, kur shtatorin e atij viti mbreti Karagjorgjeviç shpalli dekretin e aneksimit të Kosovës, bazuar në vendimet e Konferencës së Londrës. Janë dy raste krejt të ndryshme”, thekson profesori Bytyçi.

Ai më tutje thotë se një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit garanton ndarjen përfundimtare e të dy shteteve.

“Njohja e ndërsjellë midis Prishtinës dhe Beogradit garanton ndarjen përfundimtare të të dy shteteve dhe heq çdo klauzolë për bashkimin rishtas të tyre. Kjo do të thotë se nëse lihet në marrëveshje klauzola e “mos ndryshimit të kufijve pa marrëveshje e pajtimin e palëve”, kjo pikë do të mbetet si “gozhda e Nastradinit” në trupin e Kosovës dhe institucionet e saj do të përballen gjithë kohës e pambarim me presionin e ripërcaktimit të kufijve (me marrëveshje), të ndryshimit të kufijve (po e marrëveshje) dhe kështu paqja e stabiliteti do të jenë të kërcënuar. Nëse do të theksohej kjo klauzolë, atëherë Serbia do të kishte alibinë e mosrespektimit të sovranitetit të Kosovës dhe të ndërhyrjes në punët e brendshme të shtetit të saj, dy pika këto të parashikuara në marrëveshjen e normalizimit midis dy gjermanive”.

“Ky ndryshim substancial midis rastit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi me rastin e marrëdhënieve dhe marrëveshjes Bonn-Berlini-Lindor, duhet marrë parasysh, me qëllim që një marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit të jetë vërtet e sinqertë dhe e dobishme për të dy palët, pa dhënë asnjë mundësi që konflikti të vijojë midis dy popujve e dy vendeve në forma të tjera. Nëse theksohet në një marrëveshje të mundshme midis Kosovës e Serbisë se “palët angazhohen për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve përkatëse dhe se nuk kanë pretendime e nuk do të marrin iniciativa për ndryshimin e kufijve”, atëherë modeli i pajtimit gjerman do të ishte i pranueshëm edhe për pajtimin midis Kosovës dhe Serbisë. Në fund të fundit Gjermania Lindore nuk ishte shkëputur nga Perendimi i saj për shkak të ndonjë dhunë etnike, por për shkak të marrëveshjes së Jaltës. Ndërsa Kosovën e çliruan ndërkombëtarët nga dhuna, terrori dhe sovraniteti sundues serb, RD të Gjermanisë ishin ndërkombëtarët që e lanë nën influencën e gati sovranitetin e Stalinit dhe Bashkimit Sovjetik. Pikërisht kjo situatë krejt e ndryshme duhet të pasqyrohet në një marrëveshje të tillë”, përfundon profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat