Gjykata Speciale dhe paralajmërimi i Halitit për “verën e nxehtë”

Politika

Gjykata Speciale dhe paralajmërimi i Halitit për “verën e nxehtë”

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 29 maj 2018 Në ora: 20:41
Xhavit Haliti

“Besoj se Haliti edhe vetë i frikësohet Gjykatës Speciale, por para se kjo gjykatë të fillojë punën besoj se po përgatitin diçka kundër LDK-së, pasi dihet se Gjykata Speciale do merr në pyetje personat edhe për vrasjet e figurave të larta të LDK-së. Kosovën e pret një verë e nxehtë, e cila pritet të jetë vepër e Halitit dhe shokët e tij”, tha për gazetën “Bota sot”, analisti politik, Faton Mehmeti.

Muajt e verës priten të jenë mjaftë të nxehtë për shumë çështje në Kosovë.  Kështu lënë të nënkuptohen deklaratat e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe anëtarit të Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti.

Paralajmërimet e Halitit se brenda tre muajve do të qartësohet shumëçka në vend, kanë ngritur shumë mëdyshje. E, njëra prej tyre është se a do të fillojë Gjykata Speciale me ngritjen e aktakuzave të para.

Haliti këto deklarime i kishte bërë në një intervistë, të dhënë në njërin prej televizioneve vendore.

Gazeta “Bota sot”, ka dërguar pyetje me shkrim nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, për të marrë informata shtesë lidhur me paralajmërimin e tij, mirëpo ky i fundit ishte i paqasshëm.

Lidhur me këtë çështje, gazeta “Bota sot” ka kontaktuar edhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) të Gjykatës Speciale, e këta të fundit për gazetën kanë deklaruar se nuk i komentojnë deklaratat e politikanëve dhënë në media.

Deputetja nga radhët e opozitës thotë se keqpërdoruesit duhet të dalin para drejtësisë. Ndërsa, njohësi i zhvillimeve politike në vend konsideron se Kosovën e pret një verë e nxehtë, e cila pritet të jetë vepër e Halitit dhe shokëve të tij.

Image
Valentina Bunjaku-Rexhepi

“Keqpërdoruesit para drejtësisë”

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, tha se keqpërdoruesit duhet të dalin para drejtësisë.

E, lidhur me deklaratën e Halitit, Bunjaku-Rexhepi thotë se nuk ka idenë se çka ka dashur të paralajmërojë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës.

“Nuk kam ndonjë ide se çka ka dashur të paralajmërojë zotëri Haliti. Veç një dua ta theksoj qe kush ka keqpërdorë në këtë Kosovë, le të del para drejtësisë”, u shpreh Bunjaku-Rexhepi.

Tutje, deputetja e LDK-së deklaroi se Kosova nuk ka kohë të humbasë më shumë me këtë qeveri, siç e quan ajo, të degraduar.

“E potencoj se nuk ka Kosova kohë me humb kotë me këtë qeveri të degraduar”, ishte përgjigja e shkurtër e deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, për gazetën “Bota sot”.

Përgjigja e Gjykatës Speciale

Ekskluzivisht për “Bota sot”, Zyra për Informim e Gjykatës Speciale, përmes formës elektronike dha sqarime lidhur me këtë çështje.

Nga Zyra për Informim e Gjykatës Speciale, thonë se nuk mund të spekulojnë lidhur me kontekstin e deklaratave të politikanëve dhënë në media.

“Ne nuk mund të spekulojmë lidhur me kontekstin e deklaratave të politikanëve në media”, thuhet në përgjigjen nga Zyra për Informim e Gjykatës Speciale.

 “Sa i përket pyetjes suaj lidhur me arrestimet - Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar si dhe Rregullorja e Procedurës dhe e Provave (të disponueshme në faqen tonë të internetit) rregullojnë procedurat në raste të tilla. Sidoqoftë, për të gjitha pyetjet rreth akuzave ose aktakuzave ju lutemi kontaktoni Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), institucion i ndarë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, përmes zëdhënësit Christopher Bennett”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale.

Zyra e Prokurorisë Speciale nuk ka dhënë detaje për kohën se kur mund të ngritën aktakuzat e para nga Gjykata Speciale.

Gazeta “Bota sot” ka kontaktuar edhe zëdhënësin Christopher Bennett për të marrë ndonjë përgjigje lidhur me këtë paralajmërim dhe me datën se kur mund të ngriten aktakuzat e para.

Bennett në një prononcim ekskluzive për gazetën “Bota sot”,tha se nuk e komentojnë statusin e hetimeve për arsye ligjore, profesionale dhe etike.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar është i vetmi burim i besueshëm i informatave për punën tonë. Sidoqoftë ne nuk e komentojmë statusin e hetimeve tona për arsye ligjore, profesionale dhe etike”, është shprehur Christopher Bennett për gazetën “Bota sot”.

Image
Faton Mehmeti

“Po përgatitet diçka kundër LDK-së”

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti, duke komentuar deklaratën e nënkryetarit të Kuvendit, tha se Haliti po paralajmëron diçka të frikshme për vendin.

 “Besoj se Xhavit Haliti po paralajmëron diçka të frikshme për vendin, mbase Gjykatën Speciale. Ose mund të ndodh që të del ndonjë individ si Nazim Bllaca, por që do të mund të akuzonte krerët e LDK-se për vrasjet e pasluftës, e gjithë kjo si mundësi që të jetë i paguar dhe përgatitur nga SHIK-u për të futur përçarje brenda kësaj partie. Pasi e ndan Lëvizjen Vetëvendosje, tani ia kanë mësyer përsëri LDK-së, e të cilët me intriga dhe shantazhe po mundohen që ta përçajnë përsëri”, është shprehur Mehmeti.

Tutje, Mehmeti thotë se Kosovën e pret një verë e nxehtë, e cila pritet të jetë vepër e Halitit dhe shokëve të tij.

“Nuk përjashtohet asnjë mundësi nga deklarata e Halitit, nga këta njerëz pritet çdo gjë, por vetëm të mira jo. Besoj se Haliti edhe vetë i frikësohet Gjykatës Speciale, por para se kjo gjykatë të fillojë punën besoj se po përgatitin diçka kundër LDK-së, pasi dihet se Gjykata Speciale do merr në pyetje personat edhe për vrasjet e figurave të larta të LDK-së. Kosovën e pret një verë e nxehtë, e cila pritet të jetë vepër e Halitit dhe shokët e tij”, shtoi për gazetën “Bota sot”, analisti politik, Faton Mehmeti.

Kujtojmë se kanë kaluar tre vite që kur Gjykata Speciale është themeluar nga Kuvendi i Kosovës. Kjo gjykatë do të hetojë krimet e ndodhura në Kosovë në periudhën 1998-2000. Më saktë është 3 gushti i vitit 2015, kur deputetët e parlamentit të Kosovës miratuan me shumicë votash ndryshimet kushtetuese, që kishin mundësuar themelimin e Gjykatës Speciale. 82 deputetë kishin votuar pro Gjykatës, 5 ishin kundër dhe një abstenoi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat