Haradinaj ende nuk po e gëzon pagën që ia rriti vetes

Politika

Haradinaj ende nuk po e gëzon pagën që ia rriti vetes

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 30 maj 2018 Në ora: 21:13
Ramush Haradinaj

“Kjo lëndë është aktualisht në fazën e shqyrtimit dhe Gjykata nuk ka marrë vendim. Nuk ka ndonjë afat të caktuar kushtetues-ligjor për vendimmarrje të Gjykatës në këtë rast”, ka thënë Veton Dula nga Zyra për Komunikim dhe Informim e Gjykatës Kushtetuese.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se dy muaj qëkur 30 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje së bashku me deputet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë dërguar ankesën për anulim të vendimit të kryeministrit, Ramush Haradinaj, për rritje të pagës së tij dhe të kabinetit qeveritar në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit, ende nuk ka marrë vendim në lidhje me këtë rast.

Edhe Agjencia Kundër Korrupsion, po ashtu kishte konstatuar se në vendimin e Kryeministrit, kishte pasur shkelje ligjore.

Pikërisht, pas kësaj Qeveria e Kosovës më 20 shkurt ka vendosur që ta pezullojë këtë vendimin për rritjen e pagave deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese.

Duke folur në lidhje me këtë çështje Veton Dula nga Zyra për Komunikim dhe Informim në Gjykatën Kushtetuese ka thënë, se kjo lëndë është ende në fazën e shqyrtimit dhe ende nuk është marrë po ashtu ndonjë vendim.

“Kjo lëndë është aktualisht në fazën e shqyrtimit dhe Gjykata nuk ka marrë vendim. Nuk ka ndonjë afat të caktuar kushtetues-ligjor për vendimmarrje të Gjykatës në këtë rast”, ka thënë Dula nga Zyra për Komunikim dhe Informim.

Image
Albulena Haxhiu

Vetëvendosje akuzon kushtetuesen për neglizhencë

Por, ditë më parë deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka rikujtuar se kanë kaluar më shumë se tre muaj prej kur Vetëvendosje e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për t’ia rritur pagën vetes.

Sipas saj, për dallim prej rastit të demarkacionit,Kushtetuesja u ngut të marr vendim, për “vendimin e paligjshëm dhe të padrejtë të qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave për vete”, gjykata nuk po ka guxim të vendos.

“Argumentet juridike janë të qarta, sepse Gjykata Kushtetuese nuk e ka guximin të nxjerrë aktgjykim lidhur me rritjen e pagave dhe në anën tjetër u ngut me demarkacionin”, ka shkruar Haxhiu ditë më parë në llogarinë e saj në Facebook.

Kurse, Drita Millaku deputetja VV-së ka thënë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës është në siklet të madh jo vetëm për këtë çështje, por edhe për lëndët e tjera ka pasur presione të mëdha.

Sipas saj, edhe në këtë rast ka presion politik dhe shtetëror sepse sistemi i drejtësisë në përgjithësi ka defekte serioze.

“Sistemi i drejtësisë në përgjithësi ka defekte serioze dhe lëngon nga mungesa e guximit profesional, apo thënë troç janë shitur politikisht. Që rritja e pagave është antikushtetuese kjo është më se reale, por kjo është e dëmshme në aspektin social,ekonomik dhe njerëzor, pasi me këtë shkallë të varfërisë dhe të papunësisë është turp i madh që pagat edhe ashtu të larta të rriten, kur dihet mirëfilli se pozitat respektive kanë benefite të mëdha përveç pagave. Qeveritë në vende demokratike veprojnë për ti shërbyer vendit ndërsa qeveritë tek ne veprojnë për tu pasuruar personalisht dhe për të vjelë popullin. Pra a nuk është kjo treguesi më i madh se zullumi po trashet. Kjo madje dëshmon se gjykata po të ishte e pavarur, do të sillte vendim deri më tani, madje  atë në dobi të mirëqenies së popullit”, ka thënë Millaku.

Image
Naser Rugova

Nga ana tjetër deputeti i LDK-së Naser Rugova, ka thënë se si deputetë nuk kanë të drejtë të përzihen në punët dhe vendimet e Kushtetuese.

“Ne si legjislativ nuk kemi të drejtë kushtetuese të involvohemi dhe të vlerësojmë vendimet e gjyqësorit. Prandaj dua të besoj në pa anshmërinë e Gjykatës më të lartë në vendin tonë”, ka thënë deputeti Rugova.

Kelmendi: Gjykata nuk është ende e pavarur

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike profesor Muhamet Kelmendi, ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk vepron se si duhet dhe vështirë mund të thuhet se është ka punon me besueshmëri.

Sipas tij, një fakt është domethënës, sikundër në shumë çështje, se Gjykata Kushtetuese ka probleme me vetveten.

Image
Muhamet Kelmendi

“Me këtë kuptoj se ko gjykate nuk është ende e pavarur dhe thjeshtë nuk mbështetet në Kushtetutën e Republikës në rastet që vendos. Kemi raste edhe më të rënda. Fjala është për tërësinë territoriale të Kosovës dhe mos shtrirjen e pushtetit të kryeqytetit në hapësirën e shtetit dhe kjo gjykatë ende heshte. Pra nuk ka rast më tragjik se shkelja e sovranitetit dhe të tërësisë territoriale dh heshtja. Sepse në këtë rast po heshtë politika, po heshtë Qeveria, dhe po heshtë Presidenti që me marrëveshje anti-kushtetuese ka krijuar këtë gjendje çfarë e kemi  në veri. Pra, çdo gjë është vënë në dispozicion të bisedimeve, gjë që nuk është kushtetuese dhe natyrisht se Gjykata Kushtetuese po hesht”, ka thënë Kelmendi.

Ai po ashtu ka theksuar se, nuk është hera e parë që kjo gjykatë heshtë apo lëshon verdikt të përgjysmuar dhe aspak kushtetues.

“Të kujtojmë vetëm aktgjykimin për Marrëveshjen për Asociacion të vitit 2015. Kjo marrëveshje shihet e dëmshme në 23 pozicione, apo çështje, ndërsa Marrëveshja e bitit 2013, ku të njëjtat çështje anulohen për Marrëveshjen e 2015 ato të 2013 mbesin në fuqi. Pra thjeshtë Gjykata Kushtetuese është tipike politike dhe nuk ka asgjë juridike dhe kushtetuese për këtë çështje të asociacionit. Përveç kësaj demarkacioni ka pasur dy variante të kundërta të dy komisioneve, andaj edhe është dashur të anulohet marrëveshja, nëse veç nuk anulohet të bëhet ri konfirmimi i fakteve të komisioneve”, ka thënë profesor Kelmendi.

“Nuk pritet asgjë nga kjo gjykatë”

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese nuk u lëshua fare në kontradiktat e fakteve dhe e refuzojë padinë, anomali kjo juridike e llojit të vet.

“Ndoshta nuk ish dashur të vazhdohet mandati i të njëjtës kryetare me të njëjtët gjyqtar, pasi populli thotë: " Më zi i riu se i vjetëri". Edhe më i keq është fakti kur Arta Rama kryetare e Gjykatës së bashku me Enver Hasanin  vlerësonte veten si baba. Dua ta vë në dukje edhe faktin se kjo gjykatë nuk është reflektim i strukturës së popullit të Kosovës, pasi mbi 3o% , përkatësisht 3 gjyqtare në këtë gjykatë janë të huaj. 2 gjyqtarë janë të minoriteteve dhe vetëm 4 gjyqtarë janë të shumicës shqiptare. Pra  vetë ky fakt tregon jo seriozitetin e Gjykatës dhe natyrisht se kjo edhe e vërteton faktin  se përse kemi këso lloj aktgjykimeve. Andaj edhe me të drejtë mund të themi se nuk pritet asgjë nga kjo gjykatë”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Muhamet Kelmendi.

Image
Faik Krasniqi

Kurse, politologu Faik Krasniqi mendon se vendimi i Qeverisë, tejkalon kompetencat e përcaktuara me Ligj dhe me Rregulloren e Punës së Qeverisë. Kjo për faktin se në asnjë dispozitë të saj nuk përcakton kompetencat dhe përgjegjësitë e Qeverisë për caktimin e pagave apo kompensimit për Kryeministrin apo ministrat.

Rritja e pagave e padrejtë

Ai konsideron se në bazë të Kushtetutës dhe ligjit të aplikueshëm në Kosovë, kompetentë për të vendosur lidhur me pagat e funksionarëve të lartë publik në Kosovë, veçanërisht për pozitën e Kryeministrit dhe ministrave është Kuvendi i Kosovës.

“Mendoj se ky vendim është i kundërligjshëm dhe ndërhyrje arbitrare e drejtpërdrejtë në kompetencat e Kuvendit të Kosovës. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese e Kosovës shpesh kanë qenë të motivuara politikisht. Deri sa për Demarkacionin kjo Gjykatë merr vendim të shpejtë, që Demarkacioni nuk përbën shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në anën tjetër nuk e merr guximin që të nxjerrë aktgjykimin lidhur me rritjen e pagave. Kjo tregon më së miri që ka diferencime brenda Gjykatës Kushtetuese. Sikur kjo Qeveri, qeveritë e mëhershme dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës të punonin për interesa të shtetit dhe qytetarëve të këtij vendi, pagat e tyre do të duhej t'i zvogëlonin e jo t'i rrisnin”, ka thënë politologu Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat