Finalja e dialogut dhe droja nga kompromiset fatale

Politika

Finalja e dialogut dhe droja nga kompromiset fatale

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 31 maj 2018 Në ora: 21:38
Hashim Thaçi

Bisedimet finale me Serbinë që pritet të mbahen në muajin korrik e rikthejnë Kosovën gati në pozitën që e kishte para fillimit të negociatave të Vjenës.

Kjo pasi që përmbajtja e tyre është e njëjtë, ndryshimi është vetëm në emër. Ato të Vjenës, u emëruan si bisedime për statusin përfundimtar të Kosovës, kurse këto që pritet të fillojnë po quhen si negociata finale për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Të dyja në parim kanë për qëllim arritjen e një pajtimi me Serbinë për statusin e Kosovës. Në Vjenë, pajtimi kërkohej para statusit përfundimtar, kurse tash po kërkohet dhjetë vite pas shpalljes së pavarësisë.

Dallimi i vetëm pra është se këtë herë Kosova po hyn në bisedime me Serbinë si shtet i pavarur, e cila kjo e fundit e mohon shtetësinë e saj, por kohëve të fundit ka dhënë shenja për një paqe përfundimtare me Kosovën që nënkupton edhe njohjen e shtetësisë, por në këmbim të kompromiseve. Ndërsa, në ato të Vjenës Serbia e kundërshtonte me çdo kush ndarjen e Kosovës nga ajo.

Vjena

Bisedimet përfundimtare të Brukselit nga ato të Vjenës, dallojnë në dy çështje. E para është sa i përket pozitës së Kosovës dhe e dyta zbutja në një farë mënyrë e Serbisë karshi pozitës së saj.

Në vitin 2006, Kosova qeverisej nga administrata e UNMIK-ut me Rezolutën 1244.

Kurse, për të zgjidhur statusin do të duhej të hynte në bisedimet e Vjenës.

Kështu që Kosova me institucionet e saja të përkohshme krijoi një ekip unitet dhe pati një kërkesë të qartë, e ajo ishte pavarësia.

Nga ana tjetër, delegacioni i Serbisë edhe pas përfundimit të bisedimeve të Vjenës, assesi nuk e pranonte pavarësinë e Kosovës.

Bisedimet përfunduan pa arritjen e një marrëveshjeje mes të dy palëve.

Më pas, ishte Marti Ahtisari ai që hartoi pakon për shpalljen e pavarësisë së Kosovës me një mbikëqyrje disa vjeçare dhe me disa të drejta të veçanta për komunitetin serb.

Kjo pako iu propozua autoriteteve të Prishtinës dhe atyre të Beogradit. Institucionet tona i thanë “Po”, këtij plani, përkundër kompromiseve të lartë përmendura. Kurse, ato të Serbisë i Thanë “Jo”.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës u bë në mënyrë të një anshme për faktin se po të dërgohej plani i Ahtisarit në Këshillin e Sigurimit, ai do të haste në veton e Rusisë dhe të Kinës.

Ideja ishte se me shpalljen e pavarësisë, vendi nuk kishte më nevojë për bisedime.

Brukseli

Në bisedimet finale që pritet të mbahen në Bruksel Kosova po hyn me një status të ndryshëm që kishte në negociatat e Vjenës.

Tashmë, Kosova është shtet i pavarur dhe mëvetësinë e saj e kanë njohur me shumë se 112 shtete, edhe përfaqësuesit tanë në Bruksel në tryezë të bisedimeve me zyrtarët serb, nuk kanë asnjë simbol që përfaqëson shtetin e Kosovës.

Ndërkaq, Serbia zyrtarisht është kundër pavarësisë së Kosovës, edhe pse kohëve të fundit ka shenja se do të pranojë këtë në këmbim të kompromiseve që ende nuk dihet se cilat janë ato.

Duke pasur qëndrime të kundërta sa i përket kësaj çështje të dyja palët kanë emërime të kundërta sa i përket këtyre bisedimeve.

Kosova thotë se në këto bisedime po bëhen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që do të rezultojnë me njohjen e pavarësisë nga kjo e fundit dhe me anëtarësim në OKB.

Nga ana tjetër, zyrtarët serb thonë se çështja e Kosovës ende nuk është e mbyllur dhe në Bruksel do të negociohet pikërisht për këtë çështje.

Kështu që Kosova po hyn në bisedime me një shtet që ende e mohon shtetësinë e saj dhe me një ndërmjetësues që është Bashkimi Evropian, por që ka status neutral ndaj pavarësisë.

Qëndrimi i Serbisë

Kohëve të fundit nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq po vijnë sinjale se shteti i tij është i gatshëm për kompromise me Kosovën në bisedimet finale të Brukselit.

Kjo zbutje e qëndrimeve të Vuçiqit vjen pas presionit të Brukselit dhe Ëashingtonit se pavarësia është një çështje e përfunduar dhe nëse Serbia nuk i normalizon marrëdhëniet me Kosovën, ajo nuk mund të heq përpara sa i përket rrugës së saj drejt integrimeve në BE.

Kështu që Serbia duke qenë para një presioni të fuqishëm ndërkombëtar dhe kërcënimeve sa i përket integrimeve evropiane, ajo e ka kuptuar se pavarësia është e pakthyeshme dhe betejën e saj do ta zhvillojë duke u munduar të fitojë sa më shumë nga pala e Kosovës.

Pra, këtë herë Beogradi po pranon të hyjë në bisedime për pavarësi të Kosovës, por po thotë se për këtë gjë edhe ju duhet të jepni diçka në këmbim.

Kjo në njëfarë mënyre është një mundësi e dytë për Serbinë për të fituar sa më shumë që është mundur nga Kosova në këmbim të pavarësisë që e kundërshtonte në Vjenë. Plus përfitimet sa i përket rrugës saj drejt integrimeve në BE.

Rreziku nga kompromiset

Bisedimet finale në Bruksel do të jenë të vështira. Madje për këtë po paralajmërojnë krerët e shtetit. Edhe pse ata po i relativizojnë duke thënë se procesi i bisedimeve nuk do të jetë i lehtë ose do të përballemi me të panjohura.

Vet presidenti i vendit, Hashim Thaçi në emisionin “Debat Plus” ka paralajmëruar se në këto bisedime do të ketë kompromise.

Por, sipas tij Kosova do të përfitojë se do të anëtarësohet në OKB dhe pavarësia e saj do të njihet edhe nga Serbia.

Problemi është pikërisht të kompromiset. A do të jetë e gatshme Kosova të pranojë Kompromise pas gjithë atyre që i ka bërë deri me tani në Bruksel dhe cilat do të jenë ato.

Presidenti i vendit, si duket nuk e ka ndërmend të tregoj se cilat janë ato, por në bazë të disa deklaratave që po qarkullojnë herë pas herë, këto kompromise do të jenë fatale për Kosovën.

Njëri nga kompromiset që po i kërkohet Kosovës është që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të bëhet në bazë të marrëveshjes së Brukselit, për të cilën Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se 23 pika të saj bien ndesh me kushtetutën në fuqi.

Madje, këtë po e kërkojnë edhe dy zyrtarët serb të emëruar nga institucionet tona për hartimin e statutit për asociacionin.

Sipas tyre, ligjet e Kosovës duhet t’i përshtaten Asociacionit, e jo e kundërta. Kjo do të ishte fatale për Kosovën sepse Asociacioni në këtë mënyrë bëhet i ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnje.

Rreziku tjetër në këto kompromise mbeten disa resurse strategjike të Kosovës që po kërkohen t’i kalojnë Asociacionit, siç është liqeni i Gazivodës dhe një pjesë e Trepçës që gjendet në pjesën veriore të vendit.

Pranimi i këtyre kompromiseve e dobëson Kosovën në aspektin ekonomik, sepse të gjitha fitimet nga këto dy resurse shkojnë në buxhet të Asociacionit.

Gatishmëria e Thaçit për kompromise

Përkundër rreziqeve për kompromise të lartë përmendura që mund të jenë të dëmshme për vendin, presidenti Hashim Thaçi kohëve të fundit po deklarohet se ai është i gatshëm të bëj një gjë të tillë.

Në tryezën “to be secure” që u mbajt në Budva të Malit të Zi, ai u shpreh se Kosova po punon për kompromise me Serbinë, pa treguar se cilat janë ato. Deklarata të tilla, ai po vazhdon të bëj edhe nëpër mediume të ndryshme vendore.

Pa e bërë një vlerësim për kompromiset që ai ka bërë deri më tani gjatë kohës sa ishte kryeministër në Bruksel gjatë bisedimeve teknike dhe politike që filluan para tetë viteve.

Kështu që Kosova më një pushtetar të fuqishëm, që është Hashim Thaçi pas dhjetë viteve të shtetësisë po e bën një hap mbrapa duke pranuar të hyj në bisedime me Serbinë për pavarësinë e Kosovës (zyrtarisht po quhen bisedime për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë) dhe të bëj kompromise të tjera pas gjithë atyre që u bënë prej Rambujes, Pakos së Ahtisarit, gati dhjetë vite bisedime në Bruksel, pa e përmendur këtu gjenocidin serb gjatë luftës ndaj popullit shqiptar, në këmbim të premtimeve për anëtarësim në OKB dhe njohjes eventuale nga Serbia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat