Frika nga Specialja shpërfaq akuzat për vrasje dhe keqpërdorim të fondeve të luftës

Politika

Frika nga Specialja shpërfaq akuzat për vrasje dhe keqpërdorim të fondeve të luftës

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 2 qershor 2018 Në ora: 10:11
Gjykata Speciale

Akuzat e fundit lidhur me keqpërdorimin e miliona markave, vrasjeve gjatë dhe pas luftës po konsiderohet se po bëhen pak para ngritjes së aktakuzave të para nga ana e Gjykatës Speciale.

Përplasjet e para filluan ndërmjet deputetit të LDK-së, Antun Quni me nënkryetarin e Kuvendit, Xhavit Haliti nga radhët e PDK-së.

Ky i fundit gjatë seancës së kuvendit, i nervozuar dhe duke e quajtur deputetin Quni gënjeshtar, i kërkoi atij që të sillte fakte për deklaratën dhënën në media se ai kishte marrë 8 milionë marka prej Ministrisë së Mbrojtjes së udhëhequr nga Ahmet Krasniqi.

Por, deputeti i LDK-së në replikën e tij ndaj Halitit, tha se ekzistojnë dëshmi, vula e Ministrisë së Mbrojtjes dhe numri i protokollit se mbi 8 milionë euro i janë ndarë Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së.

Pas përplasjes së Halitit me Quni, erdhi deklarata e deputetit të Nismas Social Demokrate, Milaim Zeka lidhur me dyshimet për vrasjen e Behajdin Allaqit.

Në një emision televiziv, Zeka tha se Ramiz Lladrovci është propozuar kandidat për kryetar të Drenasit duke e shantazhuar presidentin Thaçi.

Sipas tij, ekzistojnë tri letra me nënshkrimin e Ramiz Lladrovcit të vitit 2003, ku ai e akuzon presidentin Thaçi për vrasjen e Behajdin Allaqit.

Akuzat kundër njëri tjetrit pak para furtunës së Speciales

Ndonëse zyrtari për media nga Gjykata Speciale, Chris Bennett në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se Zyra e Prokurorit të Specializuar “nuk jep informata në lidhje me statusin e hetimeve të saj, duke përfshirë edhe kohën kur mund të dalin aktakuza të mundshme – për arsye ligjore, profesionale dhe etike, njohësit e zhvillimeve politike në vend thonë se këto aktakuza po bëhen nga frika e speciales.

“Sa më shumë që ndihet aroma e furtunës se Gjykatës Speciale, aq më shumë do të ketë edhe akuza kundër njëri tjetrit, me qëllim që të përfitojnë edhe politikisht edhe eventualisht si dëshmitar kundër njëri tjetrit, për të shpëtuar vetën”, thotë për “Bota sot”, analisti Faton Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, Kuvendi nuk duhet të jetë vend ku bëhen akuza, pasi është gjykata për çdo dyshim apo diçka të tillë.

“Fatkeqësisht në Kuvendin e Kosovës ka shumë njerëz më të shkuar kriminale, e të cilët nuk është dashur të jenë aty, e kjo edhe do të vërtetohet edhe më shumë kur Gjykata Special të fillojë punën. Nëse Gjykata Speciale nuk fillon punën brenda këtij viti edhe me arrestime të krerëve kryesorë të krimeve gatë dhe pas lufte, mund të thuhet se do të zbehët shumë imazhi i saj dhe potenciali për të qenë i suksesshëm. Në këtë sens shpresoj se kjo gjykata të fillojë të funksionuar për të ditur njëherë e përgjithmonë se kush është krimineli i të e kush vetëm i etiketuar, por që nuk është i tillë”, deklaron Mehmeti.

Ai thotë se, ekzistojnë edhe dyshime për keqpërdorim të milionave gjatë luftës.

“Ka shumë dyshime se janë keqpërdorur shumë miliona të destinuar për luftën çlirimtare, e të cilat nuk kanë shkuar aty asnjëherë por me to janë blerë vila, etj. Gjithsesi shpresoj që së shpejti të dalin të gjitha të vërtetat, pasi disa të veshur me maskën e çlirimtarit në të vërtetë nuk janë të tillë, por përfitues e të cilët duhet edhe të marrin dënimin e merituar”, shtoi ai.

Keqpërdorimi i luftës

Image
Jeton Kelmendi

Ish-ushtari i UÇK-së, Jeton Kelmendi dhe njëherit njohës i çështjeve politike thotë se lufta e Kosovës është e shenjtë, por sipas tij ajo u keqpërdor nga disa eksponentë të caktuar.

“Mendoj se lufta e Kosovës është e shenjtë për shqiptarët në përgjithësi, por rrjedha e saj, aktiviteti është udhëhequr dhe menaxhuare nga njerëz që e kanë ndyrë luftën e Kosovës. Në Kosovë, kjo është keqpërdorur skajshmërisht dhe ajo po vazhdon të keq përdoret”, thotë Kelmendi për “Bota sot”.

“Mendoj se disa nga krerët e luftës sidomos ky krahu i ashtuquajtur politik ka keqpërdorur mjete të mëdha financiare dhe pos tjerash edhe mjete materiale”.

Por, Kelmendi shprehet pesimist sa i përket Gjykatës Speciale lidhur me dënimin, siç thotë ai të personave që keqpërdorën luftën.

“Gjykata Speciale është një institucion që pa filluar punën ka humbur kredibilitetin, sepse po bëhen dy vite që është themeluar, por ende nuk ka filluar me ngritje të aktakuzave”, shtoi ai.

Kelmendi hedhë dyshime ndaj Xhavit Halitit

Kelmendi hedh dyshime edhe për keqpërdorim të mjeteve financiare nga ana e nënkryetarit të Kuvendit, Xhavit Haliti.

“Është shkruar shumë herë për Xhavit Halitin dhe eksponentë tjerë se janë keqpërdorues të fondit Vendlindja thërret dhe tre përqindëshi”, thotë Kelmendi për “Bota sot”.

Për këtë, ai lavdëron deputetin e LDK-së, Anton Quni, lidhur me përplasjen me Xhavit Halitin në Kuvend, pasi që sipas tij ai shpalosi të vërtetën për keqpërdorimin e mjeteve.

“Anton Qunit për mua është një hero, sepse sikur dje që ishte në luftë, ashtu është edhe sot po e shpalos të vërtetën. Edhe në dokumentarin që u shfaq së fundi në njërin nga televizionet këtu në Prishtinë, shihet qartë se Xhavit Haliti është i korruptuar dhe ka keq përdorur miliona. Prandaj për mua Anton Quni është një hero”, nënvizon Kelmendi.

Sipas tij, Quni do të vazhdojë me deklaratat e veta për të zbardhur faktet historike gjatë luftës.

Gazeta i ka dërguar pyetje me shkrim, Xhavit Haliti në profilin e tij zyrtar në Facebook, por ai nuk është përgjigjur.

Haliti po ndihet i frikësuar

Reagimet e fundit të nënkryetarit Xhavit Haliti ndaj Qunit, analisti Jeton Kelmendi po i sheh si të ndryshme nga ato të mëparshmet.

“Ajo që mund të them unë është se kësaj radhe Xhavit Halitit i ka djeg më shumë se çdo herë, sepse kjo nuk është thënë vetëm tash se ai ka marr fonde nga Qeveria e Bukoshit, madje kjo është thënë me qindra herë e ai nuk ka reaguar aq shumë sikur tash. Ai reagoi ashpër duke i thënë Qunit rrenc, po rren. Pra, tani si duket Halitin ka filluar ta kap frika dhe ai po ndjehet i frikësuar se mund të përballet me Gjykatën Speciale”, thotë ai.

Kelmendi shtoi se një hetim lidhur me pretendimet për keqpërdorim të këtyre mjeteve mund të çojë në zbardhjen e vrasjes së Ahmet Krasniqit.

Kosova po mbahet peng nga grupi i Rognerit

Image
Skender Zogaj

Nga ana tjetër, publicisti Skender Zogaj thotë se që 20 vite Kosova po mbahet peng nga grupi i Rognerit.

“Zinxhiri i nëntokës kriminale i organizuar në prag të luftës me seli në Rogner të Tiranës nën “protektoratin” e agjentëve të SHISH të Enver Hoxhës, është strukturë e fortë e cila e ka tjetërsua qëllimin dhe ia ka lënduar përmbajtjen luftës çlirimtare duke e damkosur rënd edhe vlerën historike të Kosovës. Kjo, sepse kriminelët kanë vrarë burra e gra nga më atdhetarët, për qëllime të dobëta dhe përfitime materiale! Kjo strukturë kriminale qe 20 vjet është duke e mbajtur peng lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për të mbajtur në terr të vërtetën dhe krimet e shumta që janë bërë", deklaron Zogaj.

Zogaj shpreson që Gjykata Speciale do të arrijë t’i gjykojë pjesëtarët e këtij grupi.

“Kjo gjendje e ka krijuar Gjykatën Speciale, e cila është shpresa e vetme e mposhtjes se strukturave të krimit. Prandaj kjo ka ngjallur shpërthim debatesh: kriminelët për t'i fshehur krimet dhe njerëzit e ndershëm me shpresën që më në fund do të zbardhet e vërteta dhe vihet në vendin e duhur drejtësia. Shqetësimet janë të arsyeshme dhe debatet janë kontribut i rëndësishëm për Gjykatën Speciale”, shtoi ai.

Kujtojmë se akuzat për keqpërdorim të mjeteve qarkullojnë prej përfundimit të luftës, por gjykatat vendore deri më tani nuk kanë dënuar as një person, i cili mund të jetë i dyshuar për keqpërdorim të parave gjatë luftës apo për vrasjet politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat