Të gjithë kundër Hashim Thaçit

Politika

Të gjithë kundër Hashim Thaçit

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 4 qershor 2018 Në ora: 12:28
Hashim Thaçi

Partitë politike opozitare në Kosovë vazhdojnë të kundërshtojnë ose të vënë në pikëpyetje rolin drejtues të presidentit të vendit, Hashim Thaçi, në procesin e dialogut në Bruksel, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.. Ata e kanë vlerësuar si të papërshtatshëm presidentin Thaçi, në këtë rol. Kundërshtimet e tilla janë rishfaqur në kohën kur dialogu në Bruksel pritet të hyjë, siç është thënë, në fazën përfundimtare, e cila pritet të përmbyllet me një marrëveshje juridikisht obliguese për palët.

Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, tashmë ka miratuar një platformë për dialogun politik me Serbinë, ku roli udhëheqës i besohet presidentit të shtetit.

Mirëpo, partitë politike opozitare në Kosovë vazhdojnë të kundërshtojnë ose të vënë në pikëpyetje rolin drejtues të presidentit të vendit, Hashim Thaçi, në procesin e dialogut në Bruksel, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ata e kanë vlerësuar si të papërshtatshëm presidentin Thaçi, në këtë rol.

Kundërshtimet e tilla janë rishfaqur në kohën kur dialogu në Bruksel pritet të hyjë, siç është thënë, në fazën përfundimtare, e cila pritet të përmbyllet me një marrëveshje juridikisht obliguese për palët.

E derisa opozita vazhdon të kundërshtojë emrin e Hashim Thaçit si prijës në fazën e fundit të dialogut, KDI-ja i ka bërë thirrje Kuvendit që të thërrasë seancë të jashtëzakonshme për dialogun Kosovë-Serbi.

Mirëpo, cili është qëndrimi i partive politike rreth asaj se Thaçi t'i udhëheq bisedimet me Serbinë? A e ka Thaçi mbështetjen e partive politike, apo kush duhet t'i udhëheqë bisedimet? Pse duhet apo nuk duhet Thaçi t'i udhëheqë bisedimet në fazën finale me Serbinë, flasin deputete e partive politike.

LDK me tri parime politike për dialog

Image
Lutfi Haziri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë për “Bota sot”, se Kuvendi i Kosovës duhet ta miratoj një rezolutë të re, apo një autorizim të ri, apo një mbështetje për formatin e ri të bisedimeve.

“Sa i përket negociatave me Serbinë, LDK-ja në mbledhjen e 24 majit, ka sjellë tri parime politike si parakusht për pjesëmarrjen e saj si parti politike. E para ka të bëjë me zbardhjen e parimeve udhërrëfyese të negociatave apo dokumenti i Washingtonit, i cili duhet të shihet qartë se në bazë të çfarë parimesh do të udhëhiqen këto negociata. E dyta ka të bëjë me konsensusin politik sa më të gjerë, që duhet të arrihet në Kuvendin e Republikës. Deri tani rezoluta e vitit 2012, mandatin e negociatorit dhe dialogut ia njehë kryeministrit dhe Qeverisë. E treta, jo më pak e rëndësishme është timeing-u dhe impakti i këtij dialogu që përfshinë kohëzgjatjen dhe rezultatet e pritura nga ky proces, i cili do të përfundojë sipas gjitha gjasave me një dokument ligjërisht obligativ për të dy palët. Kjo është rruga që do të vendoset për LDK-në, se a do të jetë LDK-ja pjesë e këtij procesi politik apo jo. Natyrisht deri aty ka edhe shumëçka për t’u parë, për të vlerësuar dhe për t’u ditur saktë se kush është bartës i ri i negociatave, çfarë forme do t’i bartë negociatat, presidenti, kryeministri apo një palë e tretë, sepse ajo që po ndodh në Kosovë, kryeministri është tërhequr nuk dëshiron të marrë pjesë. Këtë e ka bartur te presidenti, por këtu nuk ka përfunduar puna. Praktikisht Kuvendi i Kosovës duhet t’a miratoj një rezolutë të re, apo një autorizim të ri, apo një mbështetje për formatin e ri të bisedimeve”, ka thënë Haziri.

Tutje, i pari i Gjilanit ka thënë se Kryeministri nuk ka pranuar dhe nuk ka shkuar në asnjë takim të dialogut me përfaqësuesit e Serbisë deri tani.

“Gjithçka duhet në Kuvend. Debati në Kuvend. Për të ndërtuar një konsensus politik, për të zbardhur procesin e dialogut me Serbinë, si fazë e re, si proces i ri i dialogut të Brukselit, që na dërgon drejtë një marrëdhënie të re në mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, do të vendoset se çfarë formati dhe në çfarë parimesh, e çfarë autoriteti do të jenë të përfaqësuara deri atëherë. Edhe më tutje presidenti po vazhdon ta përfaqësojë Kosovën në mekanizëm kushtetues në këtë dialog, sepse kryeministri është tërhequr. Kryeministri nuk ka pranuar dhe nuk ka shkuar në asnjë takim të dialogut me përfaqësuesit e Serbisë deri tani. Kështu që për ta zgjidhur këtë problem është Kuvendi i Kosovës, i vetmi organ që vendos edhe për formatin edhe për përfaqësuesin politik dhe institucional në përfaqësim të Republikës tonë”, ka thënë Haziri.

Haziri për fund ka theksuar se qëndrimi i LDK-së do të jetë unik, dhe si gjithmonë ajo do të vendosë drejt.

“Nuk është çështje e individëve të LDK-së apo individëve të partive të tjera. Kjo është çështje e partive politike. LDK-ja me 24 maj ka diskutuar, i ka vendosur tri parime themelore dhe ato tri parime presim të plotësohen. Këto parime nuk janë të negociushme, nuk mund të zbuten dhe nuk mund të largohen nga tavolina. Këto janë tri kushte politike që institucionet e Kosovës duhet të punojnë bashkë, nëse e duan rolin e LDK-së në këtë proces. Natyrisht që dialogu është mekanizmi dhe arma e vetme politike që LDK e ka pas gjithmonë. Kulturën e dialogut ne e kemi në themel të themelimit dhe zhvillimit të LDK-së si parti politike, por jo-domosdoshmërisht, kësaj radhe ne edhe mund të marrim apo mos marrim pjesë. Do të varet nga plotësimi i kritereve dhe i kërkesave tona. Në Kuvendin e Republikës ne do të qëndrojmë unik. Nuk do të flasin individët, do të flas subjekti politik. Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës është unik, sikur në rastin e votimit të ligjit për demarkacionin edhe në procese të tjera politike ne jemi unik dhe nuk kemi me u ndal në asnjë mënyrë. Koha do të dëshmojë sa i përket LDK-së, se roli ynë gjithmonë ka qenë historik dhe gjithmonë ka qenë në rrugë të drejtë. Edhe kësaj here do të vendosim drejtë dhe do të jemi në krahun e historisë”, ka përfunduar nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

VV kundër që Thaçi t'i udhëheqë bisedimet

Image
Rexhep Selimi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë për “Bota sot” se Thaçi nuk do te duhej asnjëherë t’iu udhëheq bisedimet me Serbinë sepse ai nuk e ka mbrojtur interesin e Kosovës përballë Serbisë, përkundrazi, veç sa e ka dëmtuar atë.

“Partitë politike mund të kenë mendime të ndryshme, por në fund do të ndahemi në dysh, në mes atyre që e pranojnë dhe të atyre që nuk e pranojnë Thaçin si personin e duhur dhe kredibil për ta përfaqësuar Kosovën në bisedime me Serbinë. Për Lëvizjen Vetëvendosje ai person asnjëherë nuk duhet ta përfaqësojë Kosovën në asnjë nivel. Thaçi ndoshta e ka mbështetjen e ndonjë partie politike duke filluar nga partia e tij. Ai ndoshta e ka edhe përkrahjen e ndonjë subjekti tjetër satelit të tij, por përkrahjen e LV-së nuk do ta këtë asnjëherë. - Nuk e di se sa do t’iu qëndrojnë prapa fjalëve të veta disa parti që e kundërshtojnë sot Thaçin si udhëheqës të bisedimeve me Serbinë, por Lëvizja jone nuk e pranon atë si person kredibil për përfaqësimin e interesin e qytetareve te Kosovës", ka thënë Selimi

Tutje deputeti i VV-se ka shtuar se Thaçi nuk e ka as kredibilitetin minimal që të jetë në ballë të përfaqësimit të Kosovës.

“Thaçi nuk do te duhej asnjëherë t’iu udhëheq bisedimet me Serbinë. Madje ato bisedime/negociata me Serbinë nuk duhej të ndodhnin fare kur bëhet fjalë për Kosovën dhe ndërtimin e saj të brendshëm. As tash, sikur asnjëherë më parë, Thaçi nuk e ka mbrojtur interesin e Kosovës përballë Serbisë, përkundrazi, veç sa e ka dëmtuar atë. Panda, ky person nuk e ka as kredibilitetin minimal që të jetë në ballë të përfaqësimit të Kosovës. Thaçi, me shumë është i rëndësishëm për Serbinë sesa për Kosovën ne këto bisedime”, ka përfunduar deputeti i LVV-së, Rexhep Selimi.

PSD kundër, Thaçi me të kaluar të keqe për Kosovën

Image
Faton Topalli

Deputeti i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Faton Topalli ka thënë për “Bota sot”, se PSD  për shkak të së kaluarës së keqe  të Thaçit ka vendosur që ai nuk duhet t'i udhëheq bisedimet

“Qëndrimi i PSD-së është që presidenti Thaçi për shkak të kaluarës së tij të keqe sa i përket përfaqësimit të Kosovës dhe nënshkrimit të marrëveshje të brendshëm për Republikë e Kosovës është personi që nuk është i përshtatshëm për t'i udhëhequr Bisedimet me Serbinë. PSD nuk ka diskutuar për një vendim të prerë, por mesa di unë qëndrimi i PSD-së është që presidenti Thaçi nuk duhet t'i udhëheqë bisedimet me Serbinë dhe as që të shkojë më këtë formati që është prezantuar”, ka përfunduar Topalli.

Kuvendi vendos, kërkohet konsensus për dialog

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ka thënë për “Bota sot”, se do te vendoset gjate seancave dhe diskutimeve për udhëheqjen e bisedimeve me Serbinë

Image
Time Kadrijaj

Tuje Kadrijaj ka shtuar se do të ishte më mirë, që të gjitha partitë politike të jenë pjesë e grupit të bisedimeve

“Ju e dini që një platformë ka ardhur në Kuvendin e Kosovës, është prezantuar prej qeverisë, dhe  është trajtuar nga komisioni  parlamentar i punëve të jashtme dhe tash është proceduar më tutje, ajo platformë do të diskutohet në një seancë të kuvendit të Kosovës dhe një  nga pikat kryesore është që bisedimet të i udhëheq presidenti Thaçi, dhe njëkohësisht janë duke u mbajtur edhe tryezat e parive politike ku po kërkohet unitet për temat e mëdha e njëra nga ato tema është dialogu. Do të shihet gjatë seancave dhe diskutimeve  apo mendohet vërtetë për  një unitet të madh, mendoj që ne jemi më të fuqishëm  të bashkuar në raport me përmbyllen e procesit  të bisedimeve me Serbinë”, ka thënë Kadrijaj

Deputetja e AAK-se ka thënë se platforma kërkon konsensus dhe besoj qe do te arrihet

“Do te shohim në një seancë se si do të rrjedhë do të organizohet dhe si do të mbetet. Ajo platformë  do të jete  ne diskutim ne seancë e kuvendi të Kosovës, dhe pastaj ndoshta do të plotësohet ose ndryshohet  me ndonjë pikë që do të propozohet edhe  nga grupet e tjera parlamentare dhe do të shohim se si do të rrjedh. Presidenti Thaçi i ka udhëhequr që një kohë bisedimet me Serbinë tash presim si do të rrjedhin ngjarët në kuvendin e Kosovës dhe pastaj do të vendosim. Platforma do të duhet të ketë konsensus dhe besoj që duhet të arrihet dhe më mirë do të jetë  që të gjitha paritet politike të jene pjese e grupit të bisedimeve me Serbinë”, ka përfunduar deputetja e AAK-se Time Kadrijaj.

Alternativa kundërshton krejt procesin

Image
Mimoza Kusari Lila

Deputetja e Alternatives në Kuvendin e Kosovës, Mimoza Kusari Lila ka thënë për “Bota sot”, se nuk e përkrahin as presidentin Thaçi dhe as tërë platformën në tërësi.

Kusari Lila ka cekur se me rezolutat e kuvendit ende qeveria është e autorizuar për dialog.

“Qëndrimi i Alternativës është që ne jemi për një platformë tjetër të bisedimeve me Serbinë, dhe qe  ne nuk jemi që presidenti Thaçi të udhëheqë bisedimet me Serbinë, dhe as që të shkojë në formatin që është prezantuar. Alternativa e kundërshton krejt  këtë procesin sepse pikë së pari është ende me rezolutë të kuvendit qeveria e autorizuar për këtë dialog e jo presidenti dhe forma se e si është imponu presidenti dhe si e ka marrë këtë proces nuk është në përputhje me normat e  Republikës Parlamentare”, ka përfunduar Kusari-Lila.

Nisma kundër, Opozita ta udhëheq dialogun

Image
Milaim Zeka

Se presidenti nuk duhet të drejtojë dialogun me Serbinë mendon edhe deputeti i Nismës për Kosovës, Milaim Zeka.

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se dialogu duhet të udhëhiqet nga opozita, nga një përfaqësues nga LDK dhe VV.

“Unë kam thënë edhe në parlament se presidenti nuk duhet ta udhëheq dialogun me Serbinë dhe kam propozuar që njerëzit kryesore që duhet ta udhëheqin, pjesë e dialogut duhet të jetë opozita, domethënë, qoftë Avdullah Hoti, qoftë Albin Kurti, domethënë Lidhja Demokratike e Kosovës edhe Vetëvendosje duhet të caktojnë nga një përfaqësues që të jenë pjesë e dialogut. Mendoj se Hashim Thaçi në mënyrë absolute nuk duhet të jetë pjesë e këtyre bisedimeve”, është shprehur Zeka.

Bazuar në platformën e Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, në rast se presidenti Thaçi përfaqëson Kosovën në fazën finale të këtij dialogu, ai obligohet që në baza të rregullta ta informojë Kuvendin e Kosovës për bisedimet që zhvillohen në Bruksel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat