Kelmendi: Klani i Thaçit e kanë kapur pushtetin në vendet ku ka para

Politika

Kelmendi: Klani i Thaçit e kanë kapur pushtetin në vendet ku ka para

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 5 qershor 2018 Në ora: 15:21
Njazi Thaçi dhe Hashim Thaçi

Emërimi i Njazi Thaçit në postin e drejtorit të KEK-ut, ka ngjallur reagime të ashpra. Kjo për shkakun se, Njazi Thaçi është kushëri i Presidentit të vendit Hashim Thaçi. Sipas opozitës, ky emërim është në vazhdën e emërimeve puro partiake dhe shfrytëzim të pushtetit, ndërsa bën thirrje që këto emërime do të ju kthehen bumerang vetë këtyre që kanë kapur shtetin.

Kushëriri i presidentit Hashim Thaçi, Njazi Thaçi, u emërua ushtrues detyre si drejtor i KEK-ut, e vet ky i fundit tha se nuk ka qenë dëshira e tij që të jetë në atë pozitë, mirëpo e ka obligim ligjor.

Ai u zgjodh në krye të institucionit kryesor të energjetikës në vend me vendim të bordit përkatës, pasi ish-drejtori Arben Gjukaj dha dorëheqje nga kjo pozitë.

Njazi Thaçi, ishte shumë vite si drejtor operativ në KEK kohë më parë, por, emri i tij lakohej shumë nëpër gjykata e aktakuza të ndryshme.

Ai akuzohej nga Prokuroria Speciale për tri vepra penale lidhur me një tender milionësh të dhënë në vitin 2011. Ai akuzohej për periudhën kur ka qenë drejtor i Departamentit të Prokurimit në KEK.

Mirëpo, prokurori Paul Flyn ishte tërhequr nga akuza ndaj të gjithë të pandehurve në rastin gjyqësor ndaj Njazi Thaçit dhe të tjerëve.

Ky emërim i Thaçit mund të jetë rast konkret i një nepotizmi dhe klientelizmi, ku emërimet bëhen në baza partiake dhe personale.

Të paktën kështu thonë, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe njohës të çështjeve politike e juridike.

Zyra e presidentit nuk ka kthyer përgjigje në pyetjen e “Bota sot” se si i komentojnë akuzat për nepotizëm.

Image
Valentina Bunjaku Rexhepi

Rexhepi: Emërim puro partiak

Deputetja nga radhët e LDK-së, Valentina Bunjaku Rexhepi, ka thënë për “Bota sot” se ky emërim, është në vazhdën e emërimeve puro partiake dhe shfrytëzim të pushtetit, ndërsa bën thirrje që këto emërime do të ju kthehen bumerang vetë këtyre që kanë kap shtetin.

“Edhe ky emërim, është në vazhdën e emërimeve puro partiake, partizanët e partisë vazhdojnë të emërohen në poste të rëndësishme vetëm e vetëm për interesa partiake dhe shfrytëzim të pushtetit! Në kohën kur me qindra të rinj shkollohen nëpër Botë me suksese maksimale, emërimi shpesh me duplikime të punëve, janë metoda përjashtuese dhe mosdhënies së mundësisë kuadrove shume profesionale qe ka Kosova! Këto emërime tek e fundit do të ju kthehen bumerang vetë këtyre që kanë kap shtetin”-tha deputetja e LDK-së.

Image
Ali Lajçi

Ndërsa nga Vetëvendosja, deputeti i kësaj partie Ali Lajçi, thotë për “Bota sot” se këto emërime po tregojnë më së miri se ky shtet është i kapur nga nepotizmi, e emërimet e tilla sipas Lajçit, mund ta dëmtojnë shtetin.

“Ky veprim nga presidenti për emërimin e kushëririt të tij, Njazi Thaçi si u.d drejtor i KEK-ut, tregon më së miri se ky shtet është kapur nga nepotizmi nga njerëz të caktuar, të cilët kanë në dorë gjithçka. Për një pozitë të tillë, duhet të zgjidhet me kujdes një person adekuat, pa interesa personale, pasi që kjo mund ta dëmtoj shtetin tonë nga paaftësia për udhëheqje. KEK-u është kompani e madhe dhe shumë e rëndësishme për të bërë manovrime me emërimet nepotike të presidentit Hashim Thaçi. Më e keqja është se këta persona, presidenti në këtë rast, çdo ditë e më shumë po e tregon një joseriozitet për zhvillimin e vendin në hapa para, e mendoj se ky emërim duhet të hetohet nga organet përkatëse”, theksoi Lajçi.

Image
Muhamet Kelmendi

Kelmendi: Klani i Thaçit e kanë kapur pushtetin në vendet ku ka para

Kurse njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Muhamet Kelmendi, tha se Emërimi i kushëririt të Thaçit, Nijazi Thaçit, në postin u.d. drejtorit të KEK-ut, është shembull më i drejtpërdrejt i kapjes së shtetit nga klani "Pronto" i Hashim Thaçit.

“Emërimi i kushëririt të Thaçit, Nijazi Thaçit, në postin u.d. drejtorit të KEK-ut, është shembull më i drejtpërdrejt i kapjes së shtetit nga klani "Pronto" i Hashim Thaçit. Thuhen akuza të ndryshme për kushëririn. Akuzat shkojnë deri në 400 milionë euro të kriminalizuara. Ndoshta ka edhe vepra të tjera penale. Por, mjafton vetëm këto dyshime që rasti të hetohet nga ana e prokurorisë së shtetit dhe natyrisht që mos të lejohet në këtë pozitë. Megjithatë, duhet thënë, se klani i Thaçit, sidomos të afërmit e z. Hashim Thaçit, si vëllai, kushëriri dhe vendasit e tij, e kanë kapur pushtetin në vendet më të ndishme dhe ku ka para”, potencoi Kelmendi për “Bota sot”.

Sipas tij, pasurimi i tyre i shpejt,  mjafton për t’i ndjekur këta dhe për të marr masa, mirëpo këtu nuk mund të veproj prokuroria sepse kryeprokurori i shtetit vjen nga Thaçi dhe atij i shërben, thotë Kelmendi.

“Ata janë pasuruar shumë. Nga varfanjakë që ishin, u bënë milioner brenda disa viteve në këtë Kosovë të varfër. E kjo mjafton për t’i ndjekur këta dhe për të marr masa. Por, si në shumë çështje, edhe këtu nuk do te veprohet nga prokuroria, pasi që kryeprokurori i shtetit vjen nga Thaçi dhe atij i shërben. Gjendja do të përkeqësohet edhe më shumë. Dyshimet se prezantimi i librit te Thaçit nëpër qendrat e kryeqyteteve të shteteve në Evropë po bëhet me parat e buxhetit të shtetit, tregon dyshimin e keqpërdorimit dhe të krimit të këtij niveli të lartë, se nëse qëndron fakti se promovimi i librit nëper qendra kushton deri në 500 milionë euro, del i domosdoshëm dyshimi i veprës penale. Këto duhet ndaluar dhe kërkohen edhe masa kushtetuese kundër Thaçit”, u shpreh ai.

Image
Faik Krasniqi

Ndikimi i Thaçit

Ndërsa analisti politik Faik Krasniqi, tha për “Bota sot” se Hashim Thaçi vazhdon të ngelet njeriu më i fuqishëm në skenën politike, e këtë nuk dëshmon vetëm emërimi i Njazi Thaçit, por edhe të tjerëve.

“Presidenti Thaçi vazhdon të ngelet njeriu më i fuqishëm në skenën politike, duke filluar nga ndikimi politik e deri tek emërimet në postet më të rëndësishme shtetërore. Një gjë të tillë është duke e dëshmuar dita-ditës. Jo vetëm emërimi i Njazi Thaçit, kushëririt të tij në postin e u.d drejtorit të KEK-ut, por edhe emërimi i ish drejtorit të policisë në pozitën e drejtorit të AKI-së, tregon që Thaçi i ka futur gati të gjitha partitë në grusht. Në anën tjetër udhëheqja e dialogut me Serbinë nga ana e tij, dëshmon që shumica e partive në Kosovë janë patericë e tij. Mbetet të shihet se votën e cilës parti do ta marr për t'i udhëhequr bisedimet. Nëse merr vizën e deputetëve që ai t'i udhëheq bisedimet me Serbinë, atëherë fuqia e tij politike por edhe e PDK-së do të rritet ndjeshëm. Prandaj do të ishte e kotë edhe të mbaheshin zgjedhjet, sepse PDK-ja do të fitonte prapë”, ka thënë Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat