Kadri Veseli lëkundë karrigen e Ramush Haradinajt

Politika

Kadri Veseli lëkundë karrigen e Ramush Haradinajt

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 6 qershor 2018 Në ora: 07:39
Ramush Haradinaj, Kadri Veseli

Aktivitetet e fundit të Partisë Demokratikë të Kosovës dhe të Nismas Social Demokrate, po konsiderohen nga analistët politikë si parapërgatitje për zgjedhje të parakohshme.

Partia Demokratikë e Kosovës, ditë më parë ka mbajtur kuvendet zgjedhore të rinisë nëpër komuna të ndryshme.

Në këto aktivitete nuk ka munguar as kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli.

Në fjalimet e tij, ai është shprehur se mbi 20 mijë të rinj anekënd Kosovës që janë bërë pjesë e PDK-së për "Dekadën e Re" dhe sipas tij, ata janë promotorë të transformimit dhe zhvillimit të PDK-së dhe Kosovës.

Aktivitete të tilla partiake ka mbajtur edhe Nisma e Fatmir Limës.

Analistët politikë thonë këto aktivitete mbahet zakonisht pak para shpalljes së zgjedhjeve. Po ashtu, këto aktivitete po vlerësohen se janë të ngjashme me turet e ‘dëgjimit të qytetarëve’ që i pati mbajtur Veseli pak para rënies së Qeverisë së Isa Mustafës.

Në PDK nuk kanë dashur të komentojnë deklaratat e analistëve për faktin se “Bota sot”, ka dërguar pyetje me shkrim në adresën elektronike, në të cilën ky subjekt politik ua ka dërguar mediave për të njoftuar publikun lidhur me mbajtjen e kuvendeve zgjedhore të rinisë, por askush nuk është përgjigjur.

Kuvendet zgjedhore mbahen pak para zgjedhjeve

Image
Lirim Zorra

Duke folur për çështjen në fjalë, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Lirim Zorra, thotë se mbledhjet e kuvendeve zgjedhore mbahen zakonisht pak para zgjedhjeve.

“Kuvendet zgjedhore të partive politike padyshim janë në proces çdo herë kur ka bindje se zgjedhjet janë afër dhe po ashtu për riorganizim mbas zgjedhjeve të fundit ku dobësitë vërehen në çdo parti politike”, thotë Zorra për “Bota sot”.

“Andaj, kuvendet zgjedhore si të PDK-së, Nisma apo VV besoj janë në ristrukturim dhe fuqizim sa më të madh të këtyre partive për zgjedhje e parakohshme qoftë këtë vit ose brenda 6 muajve të parë të 2019-së”.

Por, Zorra mendon se bisedimet finale me Serbinë mund t’i shtyjnë zgjedhjet e parakohshme.

“Është pak problematike çështja se a do të kemi zgjedhje të reja brenda këtij viti, sepse janë dy procese të rëndësishme të cilat përcaktojnë edhe kohën e zgjedhjeve, siç është rekomandimi për zgjedhje dhe platforma për dialogun final me Serbinë. Këto, janë dy çështjet të cilat duhen të jepet një verdikt nga ana e parlamentit”, shtoi ai.

Qeveria e Kosovës, javë më parë ka hartuar dhe proceduar në Kuvend Platformën për bisedimet finale me Serbinë, por pas kundërshtimeve të partive opozitare se ky dokument është i varfër, ajo ka vendosur ta tërheq nga parlamenti këtë dokument.

Arsyetimi i ekzekutivit është se për këtë platformë që është aq e rëndësishme, nevojitet arritja e një konsensusi të gjerë në vend.

Kjo platformë kurdo që të miratohet, pritet të autorizojë presidentin Thaçi për t’i udhëhequr bisedimet finale me Serbinë, që sipas analistëve mund të jetë një arsye shtesë për të shmangur zgjedhjet e parakohshme.

Haziri: Zgjedhjet i konvenojnë PDK-së

Image
Nexhat Haziri

Nga ana tjetër, analisti politik Nexhat Haziri thotë se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme i konvenon më së shumti PDK-së. Ai për këtë jep dy arsye.

“Është shumë e vërtetë se zgjedhjet po të mbahen në këtë vit, i konvenojnë vetëm PDK-së, dhe jo pa arsyeje. Arsyeja e parë është ashtu, siç e potencuat edhe ju, shtyrja e ngritjes së aktakuzave të Gjykatës Speciale, aktakuza këto që do ta godasin më së shumti PDK-në, dhe arsyeja tjetër është fuqizimi politik i Hashim Thaçit si president, pasi ky i fundit gjithnjë e më shumë po refuzohet si president që garanton unitet qytetar e politik në vend, sidomos tani kur po i refuzohet tentative e tij për të qenë kryenegociator i Kosovës në dialog me Serbinë”, thotë Haziri për “Bota sot”.

“Pra, nuk është fare një gjë e papritur nëse PDK-ja provokon mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë, për shkak të interesave të saja, dhe nuk e ka problem rrëzimin e kryeministrit Haradinaj, që edhe si të tillë nuk e sheh shumë si pengesë, pasi ky tashmë Haradinaj është një i dirigjuar nga presidenti Thaçi. Problemi i PDK-së dhe i vetë Thaçit në këtë pafuqi të tyre politike, është opozita e fortë dhe po ashtu edhe njëri nga partnerët e koalicionit, siç është NISMA, që një njëfarë forme sikur e ka ndarë mejdanin me PDK-në”, potencon ai.

Por, sipas tij mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme këtë vit mund të dëmtojë disa procese që duhet të përfundojnë së shpejti.

“Dhe krejt përfund mendoj se mbajtja e zgjedhjeve në këtë vit do ta dëmtonin Kosovën dhe proceset në vend, dhe këtë gjë duhet ta kenë parasysh edhe partitë opozitare, të cilat opsionin e tyre për rrëzimin e qeverisë dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme, duhet ta parashohin vetëm në vitin e ardhshëm, që do të jetë ideale për Kosovën dhe qytetarët, pasi që vendi të ketë filluar disa procese, siç e përmendem Gjykatën Speciale, liberalizimi i vizave, etj”, shtoi Haziri.

Edhe në LDK mendojnë se mbajtja e zgjedhjeve të menjëhershme mund të shtyjë liberalizimin e vizave.

Për këtë, grupi parlamentar i këtij subjekti politik thirrën një tryezë politike për t'u dakorduar lidhur me kalimin e disa proceseve aktuale, e më pas të vendoset një datë për zgjedhjet e parakohshme.

PDK synon t’i fitojë zgjedhjet me një koalicioni të gjerë

Image
Faton Mehmeti

Ndërkaq, analisti politik Faton Mehmeti thotë se këtë herë PDK ka ndryshuar strategji sa i përket zgjedhjeve.

“Besoj se PDK tani ka ndërruar strategji, që nënkupton të mbaj Ramushin edhe këtë vit kryeministër me qëllim që të dëmtoj opozitën. Derisa VV-në e ndau po përgatit diçka edhe kundër LDK-së, e pastaj të rrezojë qeverinë”, potencon ai.

Sipas tij, kjo do i jepte më tepër hapësirë që të tentojë përsëri të fitojë zgjedhjet përmes një koalicion të gjerë.

Në zgjedhjet e vitit të kaluar, PDK, AAK dhe NISMA nënshkruan një koalicion parazgjedhor me Ramush Haradinaj kandidat për kryeministër.

Për këtë, Mehmeti thotë se opozita duhet të bashkohet në mënyrë që PAN-i mos t’i fitojë përsëri zgjedhjet.

Për më tepër, edhe pse PDK-ja nuk ka ngritje as të tjerat nuk po shihet se kane ndonjë ngritje e qe do të ishte normale në një shtet ku qeveria ka kapur çdo gjë dhe opozita duhet të jetë alternativë”, deklaroi ai.

Ai shtoi se opozita e bashkuar mund të largojë këtë Qeveria nga pushteti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat