A rrezikohet Kosova nga përfshirja e Spanjës në dialogun e Brukselit me Serbinë?

Politika

A rrezikohet Kosova nga përfshirja e Spanjës në dialogun e Brukselit me Serbinë?

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 6 qershor 2018 Në ora: 14:12
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në Bruksel

Mediat serbe kanë raportuar se Spanja ka shprehur interesim që të përfshihet në bisedimet e Brukselit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Spanjollët kanë shprehur dyshimet se në këtë proces të dialogut nuk është duke pasur transparencë për publikun. “…kemi përshtypjen se në arritjen e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës është duke u fshehur diçka”, thotë një burim i gazetës beogradase.

Politologu Mentor Tahiri për gazetën “Bota sot” potencon se, bisedimet Kosovë-Serbi nuk janë një proces diplomatik i hapur dhe kjo është e natyrshme për shkak të ndjeshmërisë që bisedimet do të kenë në fazën para nënshkrimit final të një marrëveshjeje. Sipas tij, në këtë aspekt edhe numri i akterëve të involvuar nga të gjitha palët, përfshirë edhe BE-në si ndërmjetësues, është i kufizuar.

“BE në anën tjetër për shkak se është një strukturë supranacionale, në prapavijë të këtyre bisedimeve ballafaqohet edhe me raportime “proceduriale” në kuadër të nomenklaturës së saj të komplikuar institucionale, ku përfshihen të gjitha shtetet anëtare, përfshirë edhe shtetet anëtare që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Por kjo nuk ndryshon qasjen e kufizuar në vendimmarrje në kuadër të bisedimeve ngase shtetet anëtare janë pak a shumë në cilësinë e “spektatorit” para të cilit raportohet vetëm në vija të trasha”, thotë Tahiri.

Image
Mentor Tahiri

Ai shton se, stërzgjatja kohore e “procesit” të Brukselit, nuk ka kaluar pa ndryshuar rrënjësisht formatin e bisedimeve. “BE ka vazhduar të jetë ndërmjetësuesi kyç në letër, por në esencë tani është diplomacia amerikane ajo që po vepron. Vendosja e afateve konkrete për një marrëveshje e cila do t’i mundësojë Kosovës subjektivitet të plotë ndërkombëtarë, përfshirë anëtarësimin në OKB, është në tërësi rezultat i veprimit diplomatik amerikan. Kjo në praktikë ka vënë BE-në në pozitë sekondare si akter, pavarësisht statusit formal si ndërmjetësues kyç”.

“Involvimi amerikan njëkohësisht shërben si garanci kyçe që shtete sikurse Spanja apo edhe ndonjë tjetër ta kenë të pamundësuar që të dëmtojnë Kosovën gjatë përpilimit të një marrëveshjeje finale. Në këtë drejtim edhe zërat kundërshtuese që vijnë nga Madridi zyrtar duhet parë më shumë si veprime me ndikime në politikën e brendshme të Spanjës”, thotë politologu.

Tahiri tutje thekson se, mbështetja elektorale në Spanjë kalkulohet me retorikë të ashpër kundër aspiratave katalonase dhe baske, ku pjesë e retorikës është edhe qëndrimi kundër pavarësisë së Kosovës. “Deri tani në Spanjë qeverisjen kishin “popullorët” dhe qëndrimet e kryeministrit të mëparshëm Rahoy duke qenë skajshëm ekstreme kundër Kosovës, zbehen vetë rolin spanjoll gjë u reflektua qartë në Samitin e Sofjes”.

“Gjithsesi, ende është herët për të parë nëse eventualisht ndryshimet në qeverinë spanjolle do të reflektojnë edhe me ndryshime karshi pavarësisë së Kosovës. Por çfarëdo të jenë ato, nuk munden në asnjë mënyrë të zhbëjnë vitin 2019 si afat i vënë nga amerikanët për një marrëveshje finale që do të normalizojë raportet ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, thotë politologu Mentor Tahiri.

Takimi i radhës ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për vazhdimin e bisedimeve, sipas BE-së, mbetet në dorën e palëve.

“Bashkimi Evropian vepron si një lehtësues në bisedime. Është në dorën e palëve të bien dakord për përmbajtjen, shpejtësinë, hapat e ardhshëm, formatin dhe afatet kohore të bisedimeve. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me kryenegociatorët nga të dyja palët dhe do të vazhdojmë diskutimet tona në Bruksel sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Vlen të theksohet se ekipet teknike të dy shteteve ishte planifikuar që të takoheshin gjatë kësaj jave për të vazhduar bisedimet që pastaj do t’i hapnin rrugë një takimi ndërmjet dy presidentëve, Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiç.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat