“Presidenti i të vdekurve të gjallë dekoron gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, ky është paralajmërimi për Halitin

Politika

“Presidenti i të vdekurve të gjallë dekoron gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, ky është paralajmërimi për Halitin

Nga: P.R Më: 6 qershor 2018 Në ora: 19:47
Hashim Thaçi dhe Xhavit Haliti

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot me medalje presidenciale e ka dekoruar edhe Xhavit Halitin, bashkëpunëtorin e tij të afërt.

“Me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë, sot e dekorova njërin ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, anëtarin e delegacionit të bisedimeve në Rambuje dhe nënshkruesin e Deklaratës së Pavarësisë, Xhavit Halitin, për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Thaçi në faqen e tij në facebook, ku ka bërë të ditur dekorimin e Xhavit Halitit.

Por, kundër dekorimit të Halitit ka dalë kryetari i Ballit Kombëtar në Kosovë,  dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gazmend Islami.

Islami, Thaçin e ka quajtur president i të vdekurve të gjallë, e Halitin gjeneral i ushtrisë së vdekur.

“Presidenti i të vdekurve të gjallë dekoron gjeneralin e ushtrisë së vdekur. Kjo më së miri tregon që kjo duo, pra që ka funksionuar që herët, që nga viti 1994 e deri më 1998, pra vazhdon edhe sot e kësaj dite. Kanë kaluar 24 vite që këta bashkërisht kanë bërë planet më monstruoze për të arritur majën ku janë sot në pushtet. Pra nuk më habit rasti që Hashim Thaçi, që përfaqëson vetëm njerëzit e vdekur të gjallë dekoron një gjeneral të ushtrisë së vdekur, një ushtrie që kurrë nuk e ka përfaqësuar, por ka përfaqësuar vetëm në imagjinatën e tij të sëmurë”, ka deklaruar Islami, në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Image
Gazmend Islami

Sipas tij, medalja e dhënë Halitit duhet t’i merret menjëherë më ardhjen në pushtet të krahut të djathtë në Kosovë.

“Këta të dy, si Xhavit Haliti, ashtu edhe Hashim Thaçi, jo që nuk meritojnë të jenë pjesë të institucioneve të vendit, por këta natyrisht që meritojnë të jenë në burg për veprimet e tyre anti shqiptare, për verimet e tyre anti Kosovë, për veprimet e tyre edhe gjatë luftës, veprimet e tyre edhe pas luftës, por edhe për pasurimin e tyre të cilët kanë arritur ta kapin shtetin. Këta kapës të shtetit veprojnë ashtu që kanë arritur në një vend, siç është Kosova që të bëjnë lojëra me fatin e Kosovës”, deklaron Islami.

“Por unë shpresoj dhe jam i bindur se zgjedhjet që do të afrohen do t'i dhënë mundësi krahut të djathtë që të marrë pushtetin, të hapë një faqe të re Kosovës, duke larguar nga skena politike shkatërruesit të shtetit dhe duke i futur burg kriminelet të cilët e kanë uzurpuar shtetin. Ata të cilët kanë ndarë medalje, siç është kjo e cila u ka dhënë Xhavit Haliti, atyre unanimisht duhet tu merret çdo medalje që u është dhënë për veprimtari kombëtare”, përfundon Gazmend Islami.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat