Lufta Speciale ndaj LDK-së, nëpërmjet veglave të Serbisë në partitë kundërshtare

Politika

Lufta Speciale ndaj LDK-së, nëpërmjet veglave të Serbisë në partitë kundërshtare

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 7 qershor 2018 Në ora: 19:43
Mbledhja e Kryesisë së LDK-së

Platforma e Qeverisë, për udhëheqjen e bisedimeve Kosovë – Serbi nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, tashmë është refuzuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Para se LDK të dilte me një qëndrim zyrtar rreth kësaj çështjeje, filluan të dalin zëra për përçarje brenda partisë. Por, gjithë këto pretendime, Lidhja Demokratike e Kosovës, i ka quajtur si një luftë speciale ndaj saj.

Ditë më parë, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka dal më një deklaratë të hapur se po bëhet luftë speciale për përçarjen e LDK-së.

“Lufta speciale për përçarjen e LDK-së duke përdorur platformën për dialog do të dështojë. Luftë e njëjtë zhvillohej edhe para disa muajsh, duke shfrytëzuar marrëveshjen e demarkacionit”, ka potencuar Hoti.

Gjithashtu, ai ka shtuar se LDK po punon shumë për të hequr qafe këtë regjim që po dëmton interesat e shtetit.

“Atëherë dhe prapë tash, LDK-ja do të dalë unike dhe do të jetë gardiane e shtetit të Kosovës. LDK po punon shumë për të hequr qafe këtë regjim që po dëmton interesat e shtetit çdo ditë dhe po zhvat pasurinë publike në të gjitha format”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Kajtazi: Lufta speciale është zhvilluar nga Serbia

Për më tepër rreth kësaj çështjeje ka folur, Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lirije Kajtazi.

Image
Lirije Kajtazi

Ajo ka thënë se, që nga themelimi , ndaj LDK-së është bërë një luftë speciale, kryesisht nga Serbia dhe se kjo parti po vazhdon t`i shkaktojë probleme serioze këtij shteti.

“LDK, që nga themelimi ka qenë e ekspozuar ndaj luftës speciale, e cila kryesisht është zhvilluar nga Serbia. Kjo është orientuar kryesisht në dobësimin e fuqisë së saj politike duke e fragmentarizuar atë. Për vrojtuesin neutral kjo është normale pasi LDK është subjekti, i cili i shkaktoi dhe po vazhdon t`i shkaktojë probleme serioze Serbisë”, ka deklaruar deputetja e LDK-së për “Bota sot”.

Sipas saj, Serbia po përpiqet që të gjej si vegla  kundërshtarët politike të LDK-së , si dhe brenda saj për të dobësuar politiken, e cila është në shërbim të Kosovës.

“Punët e Serbisë në Republikën e Kosovës përfundojnë kur këtu kemi një zhvillim ekonomik, prosperim të përgjithshëm dhe sundim te ligjit. Këtë e siguron LDK dhe normalisht që Serbisë kjo i pengon dhe ajo  do të përpiqet të gjej vegla nga kundërshtarët politik të LDK dhe brenda saj për ta dobësuar këtë subjekt politik serioz që është në shërbim të vendit”, ka theksuar Kajtazi për “Bota sot.

Ndërkaq, analisti politik, Faik Krasniqi, ka thënë se  LDK-në dhe asnjë parti tjetër nuk munden të përçajnë,  nëse në brenda e saj nuk ka njerëz që janë pjesë e komploteve të jashtme.

Image
Faik Krasniqi

“Lufta e çdo partie është ta luftojë partinë tjetër. Por, LDK-në dhe asnjë parti tjetër s'mundet askush ta përçaj, nëse në gjirin e saj nuk ka njerëz që janë pjesë e komploteve të jashtme. Prandaj është e pakuptimtë deklarata e Avdullah Hotit”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Krasniqi: Përçarja mund të ndodhë përmes njerëzve të ShIK-ut brenda LDK-së

Për më tepër, Krasniqi, ka folur rreth platformës për dialogun, të cilën e ka përmendur edhe Hoiti, duke thënë se dialogu është çështje e interesit nacional dhe se partitë opozitare mund të mos e mbështetësin një gjë të tillë, nëse nuk është gardian i rendit kushtetues dhe sovranitetit të vendit.

“ I takon partive në pushtet që të dalin me një platformë për dialog me Serbinë, kurse partitë opozitare janë të obliguara që të korrigjojnë mangësitë e asaj platforme, sepse dialogu është çështje e interesit nacional. Ose tek e fundit partitë opozitare mund edhe mos ta mbështesin asnjë platformë që vije nga pozita dhe Presidenti Thaçi, nëse ajo platformë nuk është gardian i rendit kushtetues dhe sovranitetit të vendit”, ka potencuar Krasniqi për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka theksuar se përçarja mund të ndodhë përmes njerëzve të ShIK-ut,  të cilët mund të jenë brenda LDK-së dhe se kjo ka ndodhur edhe me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Nuk bën të harrojmë që edhe brenda LDK-së ka njerëz të SHIK-ut. Këtë gjë e dinë fare mirë edhe Hoti dhe nëse përçahet LDK-ja, atëherë ajo do të ndodh përmes njerëzve të tyre brenda LDK-së, ashtu siç ndodhi me Vetëvendosjen, që u përça dhe u nda nga njerëzit e infiltruar brenda kësaj partie. Edhe koalicionet e LDK-së me PDK-në kanë ndodhur pikërisht nga fuqia e njerëzve brenda LDK-së”, ka shtuar më tej Krasniqi.

Përçarja nëpërmjet PDK-së

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti tjetër, Faton Mehmeti ka ritheksuar se forcat e SHIK-ut përmes PDK-së po mundohen që të përçajnë LDK-në.

“E kam thënë edhe më herët se të gjithë forcat e SHIK-ut, përmes PDK-se po mundohen që të përçajnë LDK-në, si e vetmja forcë serioze opozitare. Pasi infiltruan agjendë të SHIK-ut brenda VV, me rezultatin e saj që ishte ndarja, tani e gjithë vëmendja është kthyer kah LDK”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sipas tij, e tëra po bëhet në prag të fillimit të punës së Gjykatës Speciale dhe se LDK duhet të jetë  e vëmendshme nga të gjitha këto zhvillime.

“ Duke përdorë platformën e dialogut, Hashimi me rolin e tij prej dinaku, po mundohet që të fus përçarje brenda LDK-së duke i afruar edhe pozita të larta në ekipin për dialog vetëm që të  ketë përçarje se a duhet a jo të mbështet Thaçi për udhëheqës në Bruksel. E gjithë kjo po bëhet në prag të fillimi të punës së Gjykatës Speciale, ku PDK mëton të shkaktoj tollovi me prishje të koalicionit, por vetëm nëse e përçan LDK-në, pasi do të ishte situatë e favorshme që prapë të konfirmohen edhe për një mandat. Pra me një gur t`i vras dy zogj, edhe të shtyjë punën e Gjykatës Speciale, edhe të ri konfirmohet për një mandat katër vjeçar. Por, LDK duhet të jetë  e vëmendshme nga të gjitha këto zhvillime, pasi mund të pësoj keq”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat