Këshilltari i kuvendit komunal në Prishtinë nga radhët e Vetëvendosjes, Mirsad Vitia, ka komentuar për “Bota sot” deklaratat e anëtarëve të PSD-së, të cilët po deklarohen se VV-ja ka lidhur koalicion me LDK-në dhe PDK-në në Prishtinë.
Vitia tregon ngjarjen e shkarkimit të aksionarit Qëndrim Sahiti, ndërsa thotë se nuk bëhet fjalë për asnjë bashkëpunim, marrëveshje apo koalicion të fshehur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së apo LDK-së.
“Fillimisht, nuk bëhet fjalë për asnjë bashkëpunim, marrëveshje apo koalicion të fshehur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së apo LDK-së. Në mbledhjen e fundit, e pesta me radhë, asamblisti ynë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, pasi mbajti fjalimin e tij lidhur me NPB-në, propozoi hapur shkarkimin e aksionarit, Qëndrim Sahiti, për arsye të cilat tashmë janë publike. Propozimi pastaj u mbështet edhe nga dy partitë opozitare, LDK dhe PDK. Gjithçka shkoi normalisht dhe nuk kishte kurrfarë plani paraprak”, tha Vitia.
Deklaratat e PSD-së, Vitia i konsideron si tendencë për deformim të së vërtetës dhe gjithë asaj çfarë ndodhi atë ditë.
“Sa i përket komenteve të PSD-së apo të tjerëve, konsideroj që janë vetëm një tendencë për deformim të së vërtetës dhe gjithë asaj çfarë ndodhi atë ditë. Çdo qëllim për ngjyrim si gjoja “koalicion” mes LVV-së, PDK-së dhe/apo LDK-së nuk qëndron dhe është i ulët. Së fundmi, dua të bëjë të qartë se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të lejoj asnjë veprim i cili është në kundërshtim me ligjet dhe rregulloret në fuqi. Ne jemi aty pikërisht për të mbrojtur interesat e përgjithshme të qytetarëve të kryeqytetit dhe jo të grupeve të caktuara”, u shpreh Vitia.