A ka më turp se sa kaq?

Politika

A ka më turp se sa kaq?

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 10 qershor 2018 Në ora: 18:38
Ramush Haradinaj duke larguar gruan nga foltorja

E nisi me vulgaritet dhe po e vazhdon me të njëjtin ritëm. Dhuna, duket të jetë pika më e fortë e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Në manifestimin për shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Haradinaj, dëshmoi edhe njëherë atë që di ta bëjë më së miri, ndërsa për politikë, s`ia parathotë edhe aq. Një gjë të tillë, e pranoi edhe në momentin kur përgjegjësinë për bisedimet me Serbinë ia la Presidentit Thaçi, duke thënë se nuk është njeri i tavolinave. Haradinaj dëshmoi se është njeri i odave. Ai nuk preferon tavolinat, pasi në shpirtin e tij të “fasaduar” me modernitet fle ende kanuni i Lekë Dukagjinit. Një grua, deshi t`i thotë disa fjalë për rëndësinë e ngjarjes historike të Lidhjes së Prizrenit.

Kryeministri Haradinaj  ia ndali fjalën.  Për një çast, harroi se gjendet para qindra njerëzve, ku nuk munguan as personalitetet si Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta dhe ish Presidenti Fatmir Sejdiu. Kryeministri i Kosovës e tërhoqi për dore me dhunë zonjën, duke mos e lënë që ta mbaronte gjithë fjalimin.

Organizimit për shënimin e ngjarjes më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar i humbi kuptimi.

Organizatorët sorollateshin sa andej e sa këndej duke mos ditur se si ta vazhdojnë manifestimin. Protokolli dështoi në mënyrën më të turpshme!  

Tashmë, sa herë që do të shënohet kjo ditë, do të kujtohet Kryeministri i dhunshëm i Kosovës, i cili nuk pati durim ta dëgjonte deri në fund fjalimin e pasardhëses së Mehmet Deralles, njërit prej protagonistëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Asnjë veprim, asnjë sjellje, nuk e arsyeton dhunën. Edhe më e rëndë bëhet situata kur dhuna vjen nga Kryeministri i Kosovës.

Tani, shkrimet e medieve ndërkombëtare për imazhin e Kosovës dhe muskujt e Komandantëve, do ta kenë një mbështetje edhe më të fortë. Do të shkruhet edhe më tutje, se si Ramush Haradinaj, kapi për duarsh zonjën dhe nëpërmjet truprojave të tij e largoi nga bina. A ka turp më të madh për një kryeministër se sa kaq.

Ngjarja e së dielës hyn në mesin e skandaleve më të mëdha të Qeverisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj. Me të drejt, mund të quhet edhe krye skandal, jo sepse skandalet e kaluara ishin më të vogla, por sepse u ushtrua dhunë publikisht, nga Kryeministri drejt një zonje që mund të jetë në moshën e nënës së tij.

Kosova e pasluftës është drejtuar nga politikanë që janë në gjendje të t`i nxjerrin sytë për një copë pushtet. Ata, ndjenjë kënaqësi kur marrin rolin e sunduesit. Harrojnë se Qeveria nuk është “kopshti që ua ka lënë babai trashëgim”. Duke mos ditur ta mirëmbajnë shtetin, keqpërdorin pushtetin duke fyer, ofenduar e keqtrajtuar njerëz.

A ka më turp se sa kaq?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat