“Haradinaj në thelb vepron si diktator”

Politika

“Haradinaj në thelb vepron si diktator”

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 11 qershor 2018 Në ora: 08:36
Qeveria PANA-Lista serbe

Nga paslufta partitë politike ishin bërë dera e vetme e mundësisë për punësim që nga pozitat e ulëta e deri te ato më të lartat. Një traditë e praktikuar në vazhdimësi, që sapo një parti vinte në pushtet fillonte “pastrimin” e institucioneve nga partia parapake, duke i mbuluar ato me militantët e vet. 

E, një traditë e tillë është duke vazhduar edhe në këtë qeverisje. Përveç që s’ka të ndalur, një gjë e tillë edhe nuk mohohet.  

I pari  qeverisë aktuale, Ramush Haradinaj, së fundi ka emëruar në krye të financave në Agjencinë e Shërbimit të Navigimit Ajror, ish-asistentin e tij, Shpëtim Selmanaj.

Selmanaj edhe zyrtarisht ka marrë bekimin e Qeverisë, për një mandat 5 -vjeçar si zëvendësdrejtor për Shërbime Administrative e Financiare në ASHNA.

E, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë se ministria e tij i ka ndjekur të gjitha procedurat për këtë përzgjedhje, andaj është i domosdoshëm votimi i tij. Shpëtim Selmanaj, ka ushtruar pozitën e zyrtarit të lartë të Protokollit, si dhe këshilltar i Ministrit të Forcës se Sigurisë së Kosovës.

Ai për vite me radhë kishte shërbyer në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe këtë fakt nuk e ka mohuar kryeministri. Ndonëse ka thënë se nuk ka ndikuar në këtë përzgjedhje, ka pranuar se me Selmanajn ka bashkëpunuar gjatë.

Për këtë, zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës thotë se kjo qeveri ka vetëm prioritete të rehatojë rrethin e ngushtë të aktivisteve partiak.

Ndërsa, për analistët politik, Qeveria Haradinaj është e mbushur me familjarizim në të gjithë fushat e saja. Sipas tyre, emërimet e fundit në pozita të rëndësishme të njerëzve të afër të familjes Haradinaj, dëshmojnë edhe një herë mendësinë e mbrapsht qeverisës të vendit.

“Vendi duhet të shkoje në zgjedhje të reja”

Image
Bajram Gecaj

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, duke komentuar nepotizmin nga Qeveria Haradinaj, për gazetën “Bota sot”, tha se, kjo qeveri ka vetëm prioritete të rehatojë rrethin e ngushtë të aktivistëve partiak.

“Kjo qeveri ka vetëm prioritete të tilla, pra të rehatojë rrethin e ngushtë të aktivisteve partiak, të vazhdojë “kapjen” apo të ri-instaloj “kapje” të re të institucioneve, dhe të zgjerojnë dhjamin e tyre, të cilin do të mund ta përdornin pastaj për qëllime personale e grupore, por edhe për të paguar klientelën për zgjedhjet në vijim”, është shprehu Gecaj.

Sipas Gecajt, vendi duhet të shkoje në zgjedhje të reja parlamentare në mënyrë që të parandalohet degradimi total i gjithë sistemit tonë shtetëror

“Vendi duhet të shkoje në zgjedhje të reja parlamentare në mënyrë që të parandalohet degradimi total i gjithë sistemit tonë shtetëror. Elektorati i Kosovës duhet të mendohet mirë se kujt ia japë votën në të ardhmen, ndërsa organet e rendit dhe të ligjit duhet të merren seriozisht me shkelës të tillë, natyrisht, nëse do të dëshironin të na vërtetonin se ata nuk janë të “kapur” si institucionet tjera”, ka përfunduar zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, për gazetën “Bota sot”.

“Haradinaj në thelb vepron si diktator”

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim për gazetën Bota sot, tha se Qeveria Haradinaj është e mbushur me familjarizim në të gjithë fushat e saja.

Sipas Mehmetit, ndonëse Haradinaj e mban vetën si perëndimor, në thelb vepron si diktator.

“Qeveria Haradinaj është e mbushur me familjarizim në të gjithë fushat e saja. Ky fenomen është dëshmi se shteti nuk funksionin sipas ligjeve, por sipas dëshirave të shefit të qeverise. Nepotizmi është dukuri në shtetet me demokraci të brishtë dhe mungesë të politikanëve evropian. Ndonëse Haradinaj e mban vetën si perëndimor, në thelb vepron si diktator”, tha Mehmeti.

“Emërimet e fundit në pozita të rëndësishme të njerëzve të afër të familjes Haradinaj, dëshmon edhe një herë mendësinë e mbrapsht qeverisës të vendit. Kjo qeveri nuk i shërben interesit të qytetarëve, por rehatisë të një rrethi të ngushtë. Andaj këto emërime duhet të hetohen nga prokuroria. Ky shtet ka marrë fund me keqqeverisje, Haradinaj dhe Thaçi nuk dinë çfarë është shteti dhe si udhëhiqet”, përfundoi njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

“Kjo sëmundje e ka kapluar edhe Haradinajn”

Image
Ali Hertica

E analisti tjetër, Ali Hertica, për gazetën “Bota sot”, thotë se rinia jonë nuk lëviz lirshëm për fajin e politikës dhe qeverisjes së keqe.

“Situata në terren është dëshpëruese. Rinia jonë nuk lëviz lirshëm për fajin e politikës dhe qeverisjes së keqe. Mbi 20 mijë të rinj të diplomuar sot janë pa punë, sepse po dominon nepotizmi dhe klientela e subjekteve politike. Punësimi i familjarëve nga pushtetarët dhe qeveria Haradinaj thuajse e kanë shndërruar qeverinë një asgjësi të punësimet nëpër institucione shtetërore”, tha Hertica.

Sipas tij, kjo paturpësi e ka zanafillën që nga koha kur janë krijuar institucionet e përkohshme dhe ka vazhduar edhe në këtë mandat.

“E gjithë kjo paturpësi e ka zanafillën që nga koha kur janë krijuar institucionet e përkohshme dhe ka vazhduar edhe këtë mandat, pavarësisht që shefi i tanishëm i Qeverisë, Ramush Haradinaj, ku kishte premtuar se do ta çrrënjos familjarizimin, e cila po rrënjos shoqërinë e shtetit, por kjo sëmundje e ka kapluar edhe Haradinajn dhe liderët tjerë politik të cilit po punësojnë militant dhe familjar në institucione ku e kanë stërmbushur edhe at pa kurrfarë kriteri apo shkollim profesional”, shtoi ai.

Në fund, ai tha se kjo situatë është e krijuar nga vet politika, duke e tjetërsuar shtetin në prona privat.

“I gjithë ky degradim i politikës sot po reflekton që qytetari ik nga Kosova për një jetë më të mirë. E gjithë kjo situatë është e krijuar nga vet politika dhe politikëbërësit e pandërgjegjshëm duke e tjetërsuar shtetin e shoqërisë në prona private”, përfundoi Hertica për gazetën “Bota sot”.

Ligji nuk e ndal

Kujtojmë se kuadri ligjor i cili e rregullon punësimin në administratë publike, duke filluar nga sekretarët e përgjithshëm e deri tek ai që rregullon punësimin në agjenci, rregullatorë të pavarur, përfshirë ndërmarrjet publike, duket se nuk e ndalon drejtpërdrejt politizimin e institucioneve publike.

Ndërsa, Ligjit për Shërbimin Civil, neni 11, specifikon se “pranimi në Shërbimin Civil të Kosovës bëhet në pajtim me parimet e meritës, aftësisë profesionale, paanshmërisë, mundësive të barabarta, mosdiskriminimit dhe përfaqësimit të barabartë, në bazë të konkursit publik dhe pas verifikimit të zotësisë së veprimit të kandidatëve”, e dihet tashmë se ky ligj nuk ka arritur ta parandalojë politizimin e administratës publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat