Joserioziteti i institucioneve, pamundëson liberalizimin për 2018

Politika

Joserioziteti i institucioneve, pamundëson liberalizimin për 2018

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 11 qershor 2018 Në ora: 10:28
Ilustrim: Pasaporta e Kosovës

Dallimet e mëdha brenda koalicionit, por edhe refuzimi i opozitës sa i përket rolit prijës të presidentit Hashim Thaçi në dialog me Serbinë ka bërë që Kryesia e Kuvendit javën e kaluar të mos e procedojë për shqyrtim Platformën e Qeverisë për Dialogun me Serbinë.

Por, a mund të ketë pasoja për Kosovën në liberalizim të vizave, mos gjetja e një platforme unike?

Lidhur me këtë çështje, politologu i njohur në vend thotë se, liberalizimi i vizave dhe proceset politike në vend, në këtë rast çështja e një platforme për dialog, nuk kanë ndonjë ndërvarshmëri.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mentor Tahiri, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se, tani liberalizimi i vizave është duke u shikuar ekskluzivisht përmes gjendjes reale të sundimit të ligjit në Kosovë dhe luftimit të korrupsionit.

Image
Mentor Tahiri

“Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës dhe proceset politike në vend, në këtë rast çështja e një platforme për dialog, nuk kanë ndonjë ndërvarshmëri mes tyre. Natyrisht, disa çështje sikurse ajo e ratifikimit të demarkacionit ishin pjesë e këtij procesi, por tani liberalizimi i vizave është duke u shikuar ekskluzivisht përmes gjendjes reale të sundimit të ligjit në Kosovë dhe luftimit të korrupsionit”.

Sipas Tahirit, segmente të politikës në Kosovës po përpiqen që çështjen e liberalizimit të vizave ta paraqesin si një “dëshmi” se Kosova po diskriminohet politikisht.

“Që një kohë të gjatë, segmente të politikës në Kosovës po përpiqen që çështjen e liberalizimit të vizave ta paraqesin si një “dëshmi” se Kosova po diskriminohet politikisht. Në fakt rregullat në ambientin institucional të BE-së janë teknike dhe ato shikohen përmes plotësimit apo jo plotësimit të kritereve që kryesisht kanë të bëjnë me zbatimin e arkitekturës ligjore”.

Tutje, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, vlerëson se, joserioziteti i institucioneve të Kosovës dhe vonesat në vendime, e bëjnë të pamundur që liberalizimi i vizave të hyjë në fuqi gjatë vitit 2018.

“Megjithatë për shkak të izolimit të madh i cili po reflekton negativisht, ka gjasa reale që një vendim pozitiv të jepet në një periudhë të afërt lidhur me liberalizimin e vizave. Por ky vendim do të vjen me disa kushtëzime të cilat do të monitorohen ashpër në periudhën para zbatimit të liberalizimit. Gjithsesi, joserioziteti i institucioneve të Kosovës dhe vonesat në vendime, e bëjnë të pamundur që liberalizimi i vizave të hyjë në fuqi gjatë vitit 2018 edhe nëse jepet një vlerësim kalues”, përfundoi Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat