Reforma zgjedhore në legjislaturën e ardhshme

Politika

Reforma zgjedhore në legjislaturën e ardhshme

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 14 qershor 2018 Në ora: 07:19
Foto ilustrim

“Kosova ndodhet në krize institucionale, me një qeveri të pakicës dhe që ka humbur legjitimitetin demokratik dhe kushtetues. Rrjedhimisht, vendi ka nevojë për zgjedhje të parakohshme sa më parë dhe vetëm në legjislaturën e ardhshme mund të diskutohet reforma zgjedhore”, vlerëson Adnan Rrustemi.

Partitë e vogla kanë kërkuar që të ulet pragu zgjedhor prej 5%, nëse vendi shkon në zgjedhje.  Nga tri takimet e mbajtura deri tash nga LDK-ja, PDK-ja, e së fundi nga Vetëvendosje, partitë që nuk kanë arritur të futen në Kuvend kanë kërkuar që të trajtohet seriozisht kërkesa e tyre që pragu prej 5 për qind të ulet.

Deputetë të Kuvendit e përkrahin uljen e pragut zgjedhor, duke thënë se kjo i kontribuon demokracisë.

Mirëpo njohësit e çështjeve juridike vlerësojnë se një ndryshim i tillë nuk duhet të bëhet. Sipas tyre, pragu prej 5% është ideal.

Image
Adnan Rrustemi

Rrustemi: Rrjedhimisht, vendi ka nevojë për zgjedhje të parakohshme sa më parë

Zyrtari i Vetëvendosjes nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Adnan Rrustemi, thotë se ndonëse vendi duhet të shkoj në zgjedhje, një reformë zgjedhore nuk duhet të bëhet brenda kësaj legjislature.

“Kosova ndodhet në krize institucionale, me një qeveri të pakicës dhe që ka humbur legjitimitetin demokratik dhe kushtetues. Rrjedhimisht, vendi ka nevojë për zgjedhje të parakohshme sa më parë dhe vetëm në legjislaturën e ardhshme mund të diskutohet reforma zgjedhore”, vlerëson Rrustemi.

Rrustemi thotë për “Bota sot” se kjo është bërë për shkak të partive joparlamentare, të cilat nuk ftohen në tryezat e partive politike.

“E kuptoj shqetësimin e partive joparlamentare, të cilat padrejtësisht janë përjashtuar nga diskutimi i çështjeve politike, madje nuk ftohen në tryezat e partive në pushtet. Lëvizja Vetëvendosje, e vlerëson rolin e tyre dhe i ka ftuar në tryezën e fundit edhe partitë jo parlamentare. Konsideroj se këto subjekte politike duhet të angazhohen që bashkërisht me Lëvizjen me mundësuar ndryshimin e madh dhe të nevojshëm”, vlerëson Rrustemi.

Image
Mazllum Baraliu

Pragu 5 % ideal

Ndërkaq, eksperti i çështjeve juridike - kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë se një kërkesë për uljen e pragut zgjedhor është propozuar edhe nga akademia, por atëherë nuk kishin pasur interes edhe partitë e mëdha.

“Për uljen e pragut zgjedhor në 3% e kemi propozuar edhe ne nga akademia, por nuk kanë pasur interes këto partitë e mëdha, për shkak se janë të sigurt që e fitojnë pragun dhe marrin më shumë vota, ndërkohë që dikush dëshiron t’i pamundësoj ose t’i margjinalizoj për t’i lënë jashtë parlamentit partitë e vogla”, thotë Baraliu.

Eksperti Baraliu thotë se, pragu prej 5% është ideal, mirëpo edhe partive të vogla dhe kandidatëve të pavarur duhet të ju mundësohet konkurrencë e barabartë.

“Është e vërtetë që pragu prej 5% është ideal dhe kemi shumë parti politike dhe do të duhej që demokracia të kërkon që edhe partive të vogla edhe kandidatëve të pavarur të ju mundësohet konkurrencë e barabartë dhe korrekte, dhe pragu zgjedhor është njëri prej barrierave kryesore që të mundëson të jesh parti parlamentare ose jo”, vlerëson Baraliu për “Bota sot”.

Image
Blerim Burjani

Burjani: Pragu zgjedhor duhet të rritet

Gjithashtu, edhe njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, thotë se një ndryshim i tillë do ta shkatërronte qeverisjen në vend. Madje sipas tij, pragu zgjedhor duhet të rritet deri ne 10%.

“Jo, ai do të shkatërronte qeverisjen në shtet, sistemi proporcional me prag zgjedhor me  5% tregohet tejet e dëmshme, pra  pragu zgjedhor duhet të rritet 10% përderisa më së miri do të ishte qeverisjen e pastër dhe marrje të përgjegjësisë  sistemi proporcional duhet të ndryshohet në gjysmë mazhoritar dhe të ketë së paku 5 zona zgjedhore”, vlerëson Burjani.

Ai thotë më tutje se  Kosova duhet të ketë 4 parti të popullit dhe jo të gjithë duhet të merren me politikë, në vend se të merren me ekonomi.

“Gjendja momentale është më e keqja e mundshme për qeverisjen me shtetin, ku Kosova vazhdimisht duhet të ketë në qeverisje së paku 4 parti të popullit shumicë dhe pakicat, pra kjo është treguar e dëmshme dhe papërgjegjshme, andaj me politik merren të gjithë në vend që të merren me ekonomi. Politizimi i skajshëm i çdo gjëje po ndodhë edhe për shkak sistemit proporcional aktual”, thekson analisti Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat