Loja e Hashimit me ushtrinë dhe dështimi i Ramushit në politikë

Politika

Loja e Hashimit me ushtrinë dhe dështimi i Ramushit në politikë

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 15 qershor 2018 Në ora: 17:05
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj

Ka kohë që Hashimi “krekosej” se do ta bëjë formimin e ushtrisë, duke akuzuar edhe të tjerët se e kundërshtojnë një gjë të tillë. Ishin deputetët e Listës Srpska ata që  ende e kundërshtojnë, por tani  janë bërë pjesë e institucioneve të Kosovës. Në mbledhjet e kryesisë së kuvendit, përveç anëtarëve të Kryesisë që vijnë nga partitë shqiptare dhe minoriteteve tjerë, a marrin pjesë edhe deputetët e Listës Serbe? Këta edhe thuhet se janë ndarë nga qeveria, megjithatë janë pjesë e qeverisë “në mënyrë që ta pengojnë formimin e ushtrisë së Kosovës”. Pikërisht (mos)kthimi i Listës Serbe nënkupton që kjo legjislaturë e kuvendit nuk do ta votojë ushtrinë, pasi qetësia e tyre  ka ardhur pas garancive që Thaçi u ka dhënë ndërkombëtarëve se ajo (formimi i ushtrisë) nuk do procedohet dot në Kuvend. Tanimë ushtria po përdoret si retorikë, pa asgjë konkrete. Hashimi këtë e përdori si kartë mashtrimi, duke gënjyer qytetarët, e ushtria nuk po bëhet dot. Me këtë klasë politike kjo nuk ndodh në veçanti pas zërave në PDK se ky subjekt është i gatshëm për zgjedhjet parlamentare, qoftë në afatin e rregullt, por edhe më herët, nëse për këtë ka dakordim nga i gjithë spektri politik.

Të gjitha këto zhvillime janë të orkestruara nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Duke e parë që u “dogjën” me demarkacionin me Malin e Zi, ndryshuan strategjinë e veprimit. Nxorën formimin e ushtrisë  një çështje mjaft të ndjeshme dhe të dashur nga populli i Kosovës, për t’i përdorur ndjenjat e tyre që vetë të dalin nga kriza ku e futën vendin. Duke ditur që formimi i ushtrisë nuk bëhet pa përkrahjen e Listës Serbe, po përdoret për të nxjerr Hashimin nga izolimi, për të marrë primatin si faktor kryesor në vend dhe në anën tjetër duke dërguar vendin në amulli.  PDK nuk është e interesuar me të vazhdojë koalicionin me Ramushin të cilën e ka “ mjelë” aq sa kishte nevojë dhe për mos të shkuar në zgjedhje a u kry demarkacionit, do e përdori Gjykatën Speciale, duke ia mveshur  partnerit të koalicionit fajin për demarkcionin, dhe dështimet për t’i çuar gjoja proceset përpara. Kjo edhe po funksionon mjaft mirë  dhe ideja e Hashimit po merr pamjen e saj të dukshme që edhe të shkohet në zgjedhje edhe të dalë e larë,  në këtë mënyrë PDK edhe godet rivalët e saj, edhe përfiton poena politikë, kurse në anën tjetër është AAK ajo që në të katër anët është e goditur. AAK ka bërë vetëvrasje politike nga momenti që zgjodhi Ramushin si kryeministër nga  koalicioni me PDK-në.  Rezultatet e kësaj qeverie të dështuar, do i faturohen me të drejtë AAK-së e cila  pritet të ketë rënie drastike në zgjedhjet të cilat po përfliten të mbahen në fillim të qershorit.  Hashimi dhe PDK u treguan dinakë, dhe falë dinakërisë së tyre kanë arritur deri tani të mbijetojnë në politikë dhe sigurisht kjo do të vazhdojë deri në formimin e Gjykatës Speciale, e cila gjithsesi do e gjejë PDK-në në pushtet. Por, Kosova do të ishte me fat, sikur veç PDK të ishte e keqja e saj, fatkeqësisht në Kosovë nuk janë problem zgjedhjet, por kë të zgjedhësh, pasi partitë në pozitë nuk garantojnë një të ardhme  më të mirë për qytetarin e rraskapitur të Kosovës. Ushtria mbeti si kartë e djegur politike, e cila deri tani i ka çuar vota Hashimit, por i cili është fajtori kryesor për mos formimin e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat