Dështimi i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi dhe arsyet e hezitimit të SHBA-së

Politika

Dështimi i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi dhe arsyet e hezitimit të SHBA-së

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 16 qershor 2018 Në ora: 10:04
Hashim Thaçi, Federica Mogherini dhe Aleksander Vucic

Përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun Kosovë-Serbi është diskutuar dhe më herët, derisa këtë e duan edhe 50 për qind e qytetarëve të Kosovës, sipas një sondazhi të bërë nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Derisa, për përfshirjen e mundshme të SHBA-së në dialog, nga Serbia ka pasur deklarata se nëse ndodh kjo, ata do të kërkojnë përfshirjen e Rusisë dhe Kinës në dialog.

Por, a duhet të jetë SHBA pjesë e dialogut dhe cili është ndikimi që mund të ketë nëse në dialog përfshihen edhe Rusia dhe Kina, si vende mike të Serbisë?

SHBA të bëhet pjesë e dialogut

Hulumtuesja nga KDI, Violeta Haxholli, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se SHBA duhet të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi, derisa shton se Serbisë i konvenon që dialogu të udhëhiqet nga BE për shkak se është neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Image
Violeta Haxholli

“Duhet të ketë përfshirje të SHBA-së në dialogun Kosovë - Serbi pasi që deri më tani BE-ja ka luajtur vetëm rolin e lehtësuesit të dialogut duke refuzuar të marrë anë edhe atëherë kur një gjë e tillë ka qenë e nevojshme. Serbisë natyrisht se i konvenon që BE të vazhdojë të udhëheq këtë proces pasi që BE është neutrale ndaj statusit të Kosovës për shkak të 5 shteteve anëtare që nuk e njohin Kosovën. E njëjta gjë në këtë rast nuk është me SHBA-në, e cila është aleate dhe përkrahëse e fuqishme e Kosovës”, është shprehur ajo.

Haxholli ka treguar se sipas një sondazhi të KDI-së, 50 për qind e qytetarëve janë shprehur se në dialog duhet të përfshihet SHBA-ja.

“Që SHBA të përfshihet në dialog është edhe kërkesë e qytetarëve të Kosovës, të cilët në një sondazh të organizuar nga KDI, 50% e tyre janë shprehur se dialogu nuk duhet të vazhdojë pa përfshirje direkte të SHBA-ve në këtë proces”, shpjegon ajo për “Bota sot”.

Ndërsa, sa i përket mundësisë që në dialog të përfshihen Rusia dhe Kina si kërkesa nga Rusia, ajo thotë se kjo mund ta ndodh nëse në dialog është edhe çështja e anëtarësimit të Kosovës në OKB.

“Sa i përket përfshirjes së Rusisë dhe Kinës kjo ka gjasa të ndodhë nëse pjesë e dialogut do të jetë edhe çështja e anëtarësimit të Kosovës në OKB. Duke qenë se anëtarësimi i Kosovës varet edhe nga vendimi i këtyre dy shteteve atëherë me siguri se do të ketë një marrëveshje paraprake mes SHBA-së, Rusisë dhe Kinës rreth kësaj çështjeje”, është shprehur Haxholli.

Lidhur me ndikim që mund të ketë përfshirja e këtyre dy shteteve mike të Serbisë në dialog, ajo vlerëson se ato më shumë do të kenë qëllim që të shtyejnë kërkesat e tyre shtetërore në raport me SHBA-në.

“Se a do të ketë ndikim negativ përfshirja e Rusisë dhe Kinës për Kosovën, mendoj se këto dy shtete si qëllim primar do të kenë shtyrjen e kërkesave të tyre shtetërore në raport me SHBA-në, më shumë se sa që do të përpiqen në favor të Serbisë ose në dëm të Kosovës”, ka deklaruar hulumtuesja nga KDI, Violeta Haxholli.

Bytyçi: SHBA nuk do të jetë pjesë e dialogut

Kurse, profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Kosova e dëshiron SHBA-në në dialog dhe Serbia kërkon Rusinë, por që SHBA nuk do të jetë pjesë e dialogut.

Image
Enver Bytyçi

“Çështja e pjesëmarrjes në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit ka qenë gjithnjë një temë e preferuar për diskutim në Kosovë dhe në Serbi. Sipas orekseve është trajtuar dhe si e tillë ka pasur ndikim në opinion. Ndërsa Kosova e ka dëshiruar dhe e dëshiron një gjë të tillë, që SHBA-të të bëhen pjesë e këtij dialogu, Serbia ka vënë kushtin, sipas të cilit, “Nëse SHBA-të bëhen pjesë e këtij dialogu, atëherë edhe Rusia duhet ta ketë këtë të drejtë”. Kësisoj shihet se vihet një paralelizëm midis SHBA-ve dhe Rusisë. Por SHBA-të nuk duan që të bëhen pjesë e dialogut. Ato e ndihmojnë Prishtinën me ekspertizë dhe këshilla, por nuk kanë dëshirë të bëhen palë”, thotë ai.

Sipas Bytyçit, ka disa arsye pse SHBA heziton që të jetë pjesë e dialogut, që si arsye të parë ai e sheh mosbesimin që ka SHBA në këtë dialog.

Arsyet e mospërfshirjes së SHBA-së në dialog

“Për mendimin tim ky hezitim i Uashingtonit për të qenë pjesë e dialogut Prishtinë-Beograd ka disa arsye. Së pari, administrata e sotme e SHBA-ve nuk ka besim në këtë dialog. E vërteta është se edhe vetë Kosova, madje edhe Serbia nuk janë të bindur në rezultatet pozitive të këtij dialogu. Besimin për sukses e venit përçarja në radhët e vendeve të BE-së. Sidomos Spanja është kundërshtuese po aq sa Serbia në pohimin e realitetit të ri në Kosovë. Kjo dëshmon se BE është në konflikt me vetveten, me shtetet me peshë anëtare të saj. Janë pesë shtete, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Këto pesë shtete ruajnë të drejtën e vetos në çdo rast sa i përket kulaçit që mund t’i afrohet palëve, në rastin konkret Kosovës. Prandaj dhe rezultati i bisedimeve është i dyshimtë, i kompromentuar”, shprehet profesori.

Arsye tjetër sipas tij është se SHBA nuk i beson BE-së.

“Së dyti, SHBA-të nuk kanë besim te vetë Bashkimi Evropian. Thirrja që bëri Trump në samitin e G7-ës për të pranuar rikthimin e Rusisë në këtë grup vendesh më të fuqishme të botës është një paralajmërim për Evropën. Unë e lexoj këtë qëndrim të amerikanëve si pajtim me dëshirën ruse për t’u rikthyer te bashkekzistenca, rivaliteti dhe vendimmarrja e përbashkët me Rusinë, ashtu siç bëhej para vitit 1990. Kjo do të thotë shpërfillje e Evropës, ky mund të jetë një sinjal paralajmërues: “Diskutoni ju, dialogoni, por vendimet nuk i merrni ju” Nuk e di se ka apo jo këtë kuptim edhe deklarata e ambasadorit amerikan në Beograd, kur thoshte se janë Kosova dhe Serbia ato që në fund duhet të marrin vendimet. D.m.th, edhe pse BE merr pjesë në dialog, asaj sipas kësaj deklarate i hiqet e drejta të marrë vendime”, vlerëson ai.

Dhe si arsye të tretë, Bytyçi thotë se është se besueshmëria e këtyre bisedimeve është komprementuar nga paaftësia e shefes për Siguri dhe Politikë të Jashtme të BE-së, Federika Mogherini.

“Së treti, besueshmëria e këtyre bisedimeve dhe dialogut është komprementuar nga paaftësia e shefes për Siguri dhe Politikë të Jashtme të BE-së, Federika Mogherini. Ajo nuk ka dëshmuar as dhjetë për qind të autoritetit dhe aftësive diplomatike të Baroneshës Eshton. Nëse keni vënë re procesin e zhvilluar nënë Mogherinin, atëherë do të shihni se të gjitha ngërçet, problematikat, konfliktet e kanë burimin në marrëveshjet e nënshkruara nën kujdestarinë e saj. Për këtë arsye mund të besohet se procesi i dialogut është i dështuar, ende pa nis”, shprehet ai.

Dialogu i dështuar

Profesori Enver Bytyçi vlerëson se në fund janë SHBA dhe Rusia ato që vendosin për Kosovën dhe Serbinë dhe jo BE-ja dhe që Rusia dëshiron që pas dështimit të dialogut, të bëhet ajo që e zgjidhë atë.

“Në fund të fundit janë SHBA-të dhe Rusia ato që do të vendosin për Kosovën dhe Serbinë. Nuk është e nuk do të jetë Bashkimi Europian. Kjo sepse këto dy Fuqi të Mëdha janë pjesë e Këshillit të Sigurimit. Nga pikëpamja gjeopolitike unë besoj se dialogu do të dështojë edhe se Rusia dëshiron që pas dështimit ajo të bëhet pjesë e zgjidhjes, por duke përdorur si karem Krimenë, Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë. Kosova ka shërbyer gjithmonë si kasus i Kremlinit për ndërhyrjet e veta në këto tri rajone. Kështu që është dhënë me kohë mesazhi, sipas të cilit “Lëshoni ju në këto tri rajone, të bëj unë lëshimin për Kosovën””, ka vlerësuar ai.

Sipas tij, SHBA prandaj nuk do të që të jetë pjesë e dialogut sepse e konsiderojnë të dështuar dialogun.

“Në këtë rast Uashingtoni dhe Moska llogarisin dështimin e dialogut me kujdestarinë e Bashkimit Evropian të Mogherinit. Prandaj dhe SHBA-të nuk duan të jenë pjesë e këtij dialogu, të cilin nuk e besojnë si fer dhe e konsiderojnë të dështuar. Të udhëheqë Mogherini një dialog kaq serioz e të besosh se ai do të ketë sukses, duhet të jesh miop. Pa llogarit këtu problemet e brendshme të vetë BE-së, sidomos në raportet me Kosovën”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”.

BE, synimi i Kosovës

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike në vend, Skënder Zogaj, duke folur për “Bota sot” për këtë çështje, vlerëson se roli i BE-së në dialog është i rëndësishëm pasi Kosova synon anëtarësimin në BE, por që e vlefshme është edhe përfshirja e SHBA-së në këtë dialog.

Image
Skënder Zogaj

“Roli i BE-së në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i pazëvendësueshëm sepse, synimi i Kosovës është integrimi në BE! Prandaj roli kryesor i përket BE-së, mirëpo, dihet se garantuesi kryesor i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës është SHBA, prandaj përfshirja amerikane në dialog është e natyrshme dhe besoj e vlefshme jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë e cila është deklaruar pro integrimit në BE dhe këtë synim nuk mund ta arrij pa miratimin e SHBA-ve”, është shprehur ai.

Kurse, në lidhje me mundësinë e përfshirjes së Kinës dhe Rusisë në dialog, sipas Zogajt nëse ndodh nuk mund të ketë ndikim negativ, madje prania e tyre e shton solemnitetit të përurimit të Kosovës.

“Sa i përket deklaratave serbe për përfshirjen e Rusisë dhe Kinës, janë dëshirë normale e serbëve, e cila edhe nëse realizohet, nuk mendoj se mund të kenë ndikim negativ, sepse, çështja e dialogut tashmë ka arritur te “prerja e shiritit” për pranimin e pavarësisë së Kosovës që Serbia nuk ka qare pa e bë, me ose pa Rusinë e Kinën! Bibe-bile prania e tyre në aktin final e shton solemnitetin e përurimit të Kosovës”, ka deklaruar Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat