Ja çka ndodhë pas përfundimit të dialogut dhe formimit të Asociacionit, a do shpallet ndarja e Kosovës?

Politika

Ja çka ndodhë pas përfundimit të dialogut dhe formimit të Asociacionit, a do shpallet ndarja e Kosovës?

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 18 qershor 2018 Në ora: 16:25
Asociacioni i kounave serbe në Kosovë

Vazhdimi i bisedimeve në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk dihet se kur do të ndodhë.

Brukseli ka kërkuar që raundin e ri të bisedimeve të bisedohet vetëm për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, gjë që Serbia e ka refuzuar.

Autoritetet e Serbisë, përfshirë edhe përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, në vazhdimësi kanë insistuar ë Asociacioni i komunave me shumicë serbe, duhet të ketë kompetenca ekzekutive.

Image
Ramush Haradinaj

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka theksuar se ky Asociacion do të formohet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

“I kemi dëgjuar edhe zyrtarët e BE-së se Asociacioni bëhet në përputhje me ligjet e Kosovës. Asociacioni është vepër e Kosovës në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e Kosovës se ashtu e parasheh edhe marrëveshja”, ka deklaruar Haradinaj.

Edhe shefi i stafit të zyrës së Presidentit të Kosovës, Bekim Çollaku në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka folur rreth fazës finale të dialogut me Serbinë në Bruksel. Ai ka thënë se, themelimi i Asociacionit është paraparë më marrëveshjen e Brukselit.

“Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është paraparë me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Themelimi i tij është obligim i Kosovës dhe një gjë e tillë është në proces e sipër. Kaq mund të them për këtë çështje”, ka thënë Çollaku.

Image
Bekim Çollaku

Por, çka do të ndodhë me Kosovën pas përfundimit të bisedimeve në Bruksel dhe formimit të Asociacionit, cili do të jetë roli i Serbisë brenda Kosovës me këto komuna?

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, për gazetën “Bota sot”, thotë se, shpallja e pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008 dhe miratimi i Kushtetutës së Kosovës disa muaj më vonë i obligon të zgjedhuri e popullit dhe institucionet tjera që ta respektojmë në plotni rendin kushtetues dhe sovranitetin e vendit.

Image
Naser Rugova

“Pas ciklit të fundit të bisedimeve, përfaqësuesit e Kosovës duhet të sillen si përfaqësues të një shteti sovran të njohur ndërkombëtarisht, ti respektojnë parimet kushtetuese dhe ti përmbahen parimit të reciprocitetit me fqiun tonë verior. Asociacioni duhet të jetë brenda kornizës kushtetuese të shtetit të Kosovës, askush nuk guxon të miratoj statut tjetër që nuk është brenda kësaj kornize. Serbia duhet më në fund ta pranoj realitetin faktik që jemi shtete fqinjë, dhe ky realitet ndërton parime reciprociteti dhe fqinjësie me raporte bilaterale normale”, thotë Rugova.

Avni Zogiani nga Lëvizja Vetëvendosje, pohon që, me këtë klasë politike në pushtet, do të hapen negociatat e reja me Serbinë.

Image
Avni Zogiani

Nëse në pushtet është kjo politikë, më shumë gjasë do të hapen negociata të tjera, sepse negociatat janë shndërruar në qëllim në vetvete. Kështu, duke vazhduar spiralen e pafund të negociatave arrihet njëfarë iluzioni për të dy palët, për Serbinë që vazhdon ta ketë Kosovën, dhe për qytetarët që kanë një shtet të pavarur. Kjo situate do të vazhdojë për aq kohë sa Evropa nuk do të ketë një konsensus rreth shtetësisë së Kosovës, gjë që duket se nuk është as afër.

Ndërsa, ish-kandidati për president të Kosovës, Seremb Gjergji, potencon që, Kushtetuta dhe ligjet aktuale nuk e lejojnë që të quhet Asociacioni i Komunave Serbe. Sipas tij, me ligjshmërinë aktuale, ky titull është anti ligjor dhe anti Kushtetues. “Aktualisht, e vetmja thirrje mund të jetë Asociacioni i Komunave Multietnike”, thotë Gjergji për gazetën “Bota sot”.

Image
Seremb Gjergji

“Nëse ndryshohet Kushtetuta, atëherë Kosova do të jetë MONO-ETNIKE, jo më MULTIETNIKE. Ky ndryshim do të krijoi mundësi të lehta për ndërhyrje direkte nga Serbia. Ndërsa, me modelin aktual, Serbia e ka të pamundur të infiltrohet direkt në institucionet e Kosovës”, pohon ai.

Gjergji thekson se, institucionet e Kosovës duhet të mendojnë shumë mirë për një ndryshim të tillë. “Pasojat do të jenë të pakthyeshme dhe shumë të dëmshme me këtë model të bisedimeve - veçmas pa platformë. Poashtu, fuqia e Asociacionit aktualisht është anti-Kushtetuese, e kjo nuk duhet të lejohet”, thotë ai.

“Kosova e ka një asociacion dhe shumë lehtë e ka që të pranoi edhe një e më shumë vetëm me kompetenca të shkurtuara - pa asnjë fuqi kushtetuese. Kjo është e paevitueshme dhe tepër e dëmshme. Serbia vjen deri tek ura e Ibrit në Mitrovicë”, përfundon Seremb Gjergji.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat