“Agjendë sekrete”, ja pse shkuarja e Thaçit të dielën në Bruksel është e rrezikshme

Politika

“Agjendë sekrete”, ja pse shkuarja e Thaçit të dielën në Bruksel është e rrezikshme

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 19 qershor 2018 Në ora: 20:18
Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi

Hashim Thaçi, president i Republikës së Kosovës, gjatë ditës së sotme ka konfirmuar së të dielën do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku sipas Thaçit, temë e diskutimit në këtë fazë të dialogut pritet të jetë implementimi i marrëveshjeve të arritura, si dhe arritja e një marrëveshje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kemi pranuar ftesën si president i vendit nga zonja Mogherini për të vazhduar dialogun në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë për të shikuar mundësitë e implementimit të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani, por edhe për të hapur një kapitull të ri apo intensifikuar procesin e ri të dialogut, atë përfundimtar të arritjes përfundimtare të marrëveshjes në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Mund të them se kemi konfirmuar pjesëmarrjen si Kosovë, si shtet i Kosovës ekipet tona do të takohen në ditët e ardhshme, ndërsa takimi në nivel të presidentëve do të ndodh të dielën”, u shpreh sot Thaçi.

Por, sa është e rrezikshme për Kosovën shkuarja e Thaçit në Bruksel si udhëheqës i dialogut, kur dihet që nga Kuvendi, Qeveria e Kosovës ka tërhequr platformën e bisedimeve e cila Thaçin e bën udhëheqës të bisedimeve me Serbinë?

Lidhur me këtë, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Haki Abazi, thotë se tashmë dialogu e ka humbur kuptimin, ku sipas tij Thaçi nuk mund ta udhëheqë assesi dialogun me Serbinë. Sipas tij, është e rrezikshme shkuarja e Thaçit në Bruksel, kur dihet që ai nuk ka mandat për një gjë të tillë.

Image
Haki Abazi

“Shkuarja e Thaçit është e pa mandat, dialogu ka humbur kuptimin dhe në asnjë mënyrë nuk mund të behet krahasimi ne mes të negociatave Greqi- Maqedoni. Greqia nuk ka shkaktuar gjenocid në Maqedoni dhe këto paralele nuk duhet të tërhiqen. Thaçi nuk ka mandat që të udhëheqë dialogun me Serbinë, kryenqesia e tij shpjegohet se ai ka arsyeje të insistojë që të jetë në udhëheqje të dialogut që ka agjendë sekrete”, shprehet Abazi.

Më tej, ai ka thënë se tërheqja e platformës së bisedimeve nga Kuvendi, ka treguar që ky koalicion, së bashku me Thaçin kanë përjetuar mocion mosbesimi.

“Tërheqja e platformës ka treguar që koalicioni qeverisës përfshirë edhe Thaçin ky do të ishte një mocion mosbesimi. Kjo është arsyeja që e kanë tërhequr platformën ndërsa në mënyrë jo kushtetuese vazhdojnë të shkojnë në Bruksel përderisa edhe gjykata kushtetuese është e ngrirë. Ndërsa parlamenti është anashkaluar në të gjitha proceset”, thekson Abazi.

Ndërsa, i pyetur se a mund të jenë Ujmani dhe Trepça dy synimet e Serbisë në këto bisedime, Abazi ka thënë se pa dyshim që po.

“Ujmani është pjesë e marrëveshjeve të mëhershme ndërsa Trepça gjithsesi është synim i Serbisë”, ka përfunduar, analisti Haki Abazi.

E kundër shkuarjes së Thaçit dhe përfaqësimit të Kosovës nga ai në Bruksel, ka dalë edhe deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.

“Ai tashmë edhe injoron deri në nënçmim qytetarët dhe përfaqësuesit e qytetarëve. Ka kohë që Kosova nuk po bisedon me Serbinë, madje bisedimet nuk janë as në relacionin Kosovë-Serbi, e as Prishtinë-Beograd, ka kohë që bisedimet janë Thaçi-Vuçiq. Ky njeri tashmë me arrogancën e tij e ka nxjerrë jashtë loje Kuvendin e Kosovës, qytetarin e Kosovë, dhe po flet për interesin e qytetarëve të Kosovës vetëm në emrin e vet, po vendos vet, dhe gjithsesi po vendos në favor të interesat të qytetarëve. Normalisht këto marrëveshje do të jenë të dhimbshme vetëm për Kosovën, sepse krejt dialogu është projekt i Serbisë, si tillë është interes i Serbisë, dhe ky duke e mbrojtur projektin e dialogut po i mbron edhe interesat e Serbisë”, është shprehur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi për media gjatë ditës së sotme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat