BE nuk është fajtore për dështimet e qeverisë

Politika

BE nuk është fajtore për dështimet e qeverisë

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 24 qershor 2018 Në ora: 09:59
Ramush Haradinaj me stafin e tij këshillues

Në vazhdën e kritikave për vendimin e qeverisë për ngritje të pagave ka reaguar edhe shefja e BE-së në Prishtinë, Natalia Apostolovës. Kjo e fundit kritikoi ashpër Qeverinë për rritjen e pagave. Gjithashtu kritika ka pasur edhe nga shoqëria civile, partitë opozitare etj. Por, si duket kjo qeveri nuk ka ndërmend të ndalet dot nga arritja e qëllimeve të saj, që kryesisht kanë të bëjnë me zhvatjen e vendit. Pas reagimit të zonjës Apostolova, reagoi qeveria, përmes Avni Arifit, servilit të Ramushit. Ky i fundit si mbrojtje  përdori sulmin, duke i kërkuar BE-së të heq vizat. Mbase, Avniu ka harruar se fajtore për këtë bllokadë dhe izolim është vetë Ramushi dhe partia e tij AAK, të cilët shpikën kauza për të ardhur në pushtet, tani në pushtet po zhvatin çdo gjë që iu del përpara. Lulëzimi i kazinove, skandalet e shumta janë “meritë” e qeverisë Haradinaj, të cilën Avni Arifi e mbron me fanatizëm. Këta jo vetëm që po vjedhin, por po mundohen të na bëjnë budallë, me këmbënguljen e tyre ideioteske se fajtore është BE dhe se kjo qeveri po punojka shumë.

Sikur mos të mjaftonte kjo, skandali i radhës i fjalës së 53 milionë eurove Bechtel Enkas, është afer korruptive. Falja e 53 milionë eurove nga qeveria Haradinaj për Bechtel Enkan është lajm jo i mirë për vendin dhe demonstron korrupsionin që ka kapluar këtë qeveri. Konkretisht ministri Pal Lekaj është fajtori kryesor për këtë skandal, që dëmton vendin për 53 milionë. Kjo është pasojë e ligjit për lustracion, që do iu pamundësonte njerëzve me të kaluar kriminale të kandidojnë për deputetë apo të zgjidhen ministra. Nëse kjo do të ndodhte, Pal Lekaj s’do të ishte ministër, pasi ka bërë shumë afera korruptive edhe sa ishte kryetar i Gjakovës.

Besoj se prokuroria ka mjaft material për të nisur hetimet për Pal Lekajn, i cili duhet të përgjigjet për këtë aferë korruptive. Kosova nuk meriton të udhëhiqet nga njerëz të tillë, që zhvatin vendin me afera të tilla dhe që kanë kapur drejtësinë. Nuk pres që prokuroria të nisë hetimet, edhe pse duhet, pasi ky shtet është i kapur. Kjo qeveri është kundër të gjithëve, mbi të gjitha kundër Kosovës dhe atyre që ia duan të mirën kësaj toke. Në vend që të rikthehet kah vetja, të shikojë veten në pasqyrë, ka guximin për të kritikuar BE për gabimet dhe skandalet e saj. Çdo ditë e qëndrimit të kësaj qeveri në pushtet, Kosova humb dhe pëson shumë dëme të mëdha, aq sa një ditë edhe mund të jetë vonë.

Derisa, servilë si Avni Arifi ka guximin për të kritikuar BE, dhe mbrojnë një qeveri të korruptuar, e ardhmja e ndritur për këtë vend është shumë larg realiteti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat