Në shtator aktakuzat e para të Gjykatës Speciale?

Politika

Në shtator aktakuzat e para të Gjykatës Speciale?

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 25 qershor 2018 Në ora: 09:34
Gjykata Speciale

Edhe pse është krijuar në gusht të vitit 2015-të, lëvizjet e para të saj kanë filluar të shfaqen tek tani.

Gjykata Speciale raportohet se tashmë ka nisur edhe punën e saj në terren, duke intervistuar kështu dëshmitarë nga prokurorët në lidhje me një rast që mund të shqyrtohet si proces në këtë gjykatë.

Nga raportimet thuhet se është pyetur një dëshmitarë në Belgjikë në detaje për një vrasje që ka ndodhur pasluftës në Kosovë, por pavarësisht krejt këtyre, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka dhënë ende asnjë informacion.

Lidhur me këtë çështje, gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar përmes formës elektronike edhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), por këta të fundit, për shkak, siç thonë ata, arsye ligjore dhe profesionale si dhe arsye të sigurimit të dëshmitarëve nuk i komentojnë lëvizjet e fundit.

Avokati i njohur Gashi si dhe njohësi i çështjeve juridike – kushtetuese Burjani, thonë se deri më tani janë intervistuar më qindra dëshmitarë nga Gjykata Speciale. Ndërsa, theksojnë se aktakuzat e para nga Gjykata Speciale mund të ngritën në shtator.

Përgjigja e Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale për arsye ligjore dhe profesionale si dhe arsye të sigurimit të dëshmitarëve nuk ka mundur t'i komentojë veprimtaritë hetimore. Kështu ka deklaruar për gazetën “Bota sot”,  Joseph L. Hollerhead, asistent ekzekutiv i zëvendës kryeprokurorit të specializuar.

Image
Gjykata Speciale

“Për arsye ligjore dhe profesionale si dhe arsye të sigurimit të dëshmitarëve në nuk mund t'i komentojmë veprimtaritë tona hetimore në mënyrë specifike”, ka thënë Joseph L. Hollerhead, asistent ekzekutiv i zëvendës kryeprokurorit të specializuar, për gazetën “Bota sot”.

Gashi: Deri më tani janë intervistuar qindra dëshmitarë

Avokati i njohur, Tomë Gashi, thotë se deri më tani janë intervistuar me qindra dëshmitarë për Gjykatën Speciale, respektivisht për zyrën e prokurorit special në Hagë.

Ai thotë se kjo gjykatë do të mundë të përdorë edhe deklaratat e gjykimeve që janë mbajtur në Kosovë, por edhe të rasteve të Tribunalit të Hagës.

Image
Tomë Gashi

“Deri më tani janë intervistuar me qindra e qindra dëshmitarë për Gjykatën Speciale, respektivisht për zyrën e prokurorit special në Hagë. Po ashtu, është e ditur se kjo gjykatë do të mundë të përdorë edhe deklaratat e gjykimeve që janë mbajtur në Kosovë, por edhe të rasteve të Gjykatës Ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë e njohur si Tribunali i Hagës”, tha avokati Gashi.

Avokati thotë se problemi kryesor , në aspektin juridik, do të jetë përdorimi i dëshmive të “siguruara” nga autoritete serbe dhe në përgjithësi nga Serbia si shtet.

“Problemi kryesor ka me qenë në aspektin juridik të përdorimit të dëshmive të “siguruara” nga autoritete serbe dhe në përgjithësi nga Serbia si shtet. Është e ditur se Zyra e Prokurorit Speciale dhe Gjykata Speciale kanë raporte të veçanta bashkëpunimi me autoritete relevante shtetërore të Serbisë dhe posaçërisht me prokurorinë shtetërore serbe për krime lufte”, tha ai.

Dy arsye se pse nuk duhet lejuar që të përdorën dëshmitë e siguruara nga autoritetet serbe

Tutje, Gashi tregon edhe dy arsye se pse nuk duhet lejuar që të përdorën dëshmitë e siguruara nga autoritetet serbe, pasi që, sipas tij, ato vijnë nga shteti armiqësor që ka shkaktuar luftë në Kosovë duke tentuar të mbajë Kosovën dhe shqiptarët të okupuar dhe duke vrarë për mbi 15 mijë civilë.

 “Unë besoj se nuk do të duhet lejuar që të përdorën dëshmitë e siguruara nga autoritetet serbe për se paku dy arsye. Se ato vijnë nga shteti armiqësor që ka shkaktuar luftë në Kosovë duke tentuar të mbajë Kosovën dhe shqiptarët të okupuar dhe duke vrarë për mbi 15 mijë civilë shqiptarë dhe se nuk duhet lejuar pranimin e përdorimit të deklaratave nga Serbia në gjykatën speciale është se kemi te bëjmë me gjykatë të themeluar të Republikës së Kosovës dhe në gjykatat e Kosovës nuk përdorën deklaratat e dëshmitarëve dhenë autoriteteve serbe”, tregoi Gashi.

Krejt në fund, ai thekson se kjo gjykatë është krijuar duke ju “falënderuar” deputetëve të legjislacionit të gushtit 2015-të, që votuan ligjin për gjykatën, që Gashi e quan si gjykatë raciste, e krijuar kundër shqiptarëve në përgjithësi, kundër shqiptarëve të Kosovës në veçanti dhe posaçërisht kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

“Normalisht që ne e dimë se Gjykata Speciale nuk është gjykatë e Kosovës, por gjykatë ndërkombëtare për shumë arsye që janë thanë me qindra herë. Përndryshe, si mund të jetë gjykatë e Kosovës ku nuk lejohet të aplikohet për punë asnjë person që ka shtetësi të Kosovës. Ku të gjithë gjyqtarët, prokurorët dhe stafi teknik janë të huaj dhe ku të akuzuar do të jenë vetëm shqiptarët, ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe ndonjë avokat që do ta zgjedhin në mbrojtjen e tyre si dhe normalisht dëshmitarët që po janë shqiptarë, se paku një pjesë e tyre, por ka edhe dëshmitarë ish-pjesëtarë të UÇK-së”.

“Krejt kjo, duke ju “falënderuar” deputetëve të legjislacionit të gushtit 2015-të, që votuan ligjin për gjykatën raciste, kundër shqiptarëve në përgjithësi, kundër shqiptarëve të Kosovës në veçanti dhe posaçërisht kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe me 22 dhjetor të vitit të kaluar 2017-të, kur u tentua zhbërja e Gjykatës Speciale u vërtetua se mbi gjysma e deputetëve të atëhershëm dhe posaçërisht udhëheqësit që ishin më të zëshëm për këtë gjykatë, e që u bënë për disa ditë kundër kësaj gjykate as që e kishin lexuar ligjin që e kishin votuar vet kundër vetvetes”, përfundoi avokati i njohur, Tomë Gashi, për gazetën “Bota sot”.

“Aktakuzat e para në shtator”

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, në anën tjetër, edhe njohësi  i çështjeve juridike-kushtetuese, Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”, thotë se deri më tani janë mbledhur deklarata të shumë personave në cilësinë e dyshimtarëve të mbrojtur.

“Deri më tash janë mbledhur deklarata të disa personave në cilësinë e dyshimtarëve të mbrojtur dhe këto janë mbledhur edhe nga EULEX-i. Sidoqoftë, askush në Kosovë nuk beson se ka pasur trafikim me organe njerëzore, kjo tingëllon si fantastike. Sa i përket fakteve tjera që kanë ndodhur para dhe pas lufte, prapë janë çështje të kësaj prokurorie speciale se si do të sistemohen, çmenduria mund të ketë”, tha ai.

Ai konsideron se në Kosovë problemi më i madh është krimi i organizuar. Ndërsa, thekson se aktakuzat e para nga Gjykata Speciale mund të ngritën në shtator.

“Në Kosovë njëherë problemi më i madh është krimi i organizuar, çështjet tjera mund të zgjidhen nga gjykatat vendore. Aktakuzat e para mund të ngritën në shtator”, përfundoi Burjani, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat