Shtetësia e Kosovës në rrezik nga kompromiset e Thaçit me Serbinë

Politika

Shtetësia e Kosovës në rrezik nga kompromiset e Thaçit me Serbinë

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 25 qershor 2018 Në ora: 11:49
Pamje nga takimi i djeshëm

Dialogu me Serbinë, i filluar më 8 mars 2011, fillimisht si dialog teknik, pastaj si dialog politik ose dialog për normalizimin e marrëdhënieve më 19 tetor të vitit 2012, tashmë ka hyrë në fazën finale të tij me ç’rast pritet një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse.

Ishte raportuar se Kosovës mund t’i  kërkohet ndryshimi i Kushtetutës për ta akomoduar marrëveshjen finale me Serbinë, ndërkaq Presidenti tashmë e konfirmon atë.

Sipas raportimeve mediatike, palët negociuese mund të vijnë tek pika ku do të duhet t’i “rishkruajnë” kushtetutat, në pjesë të caktuara.

Si rrjedhojë,  Kosova të lejojë kompetenca dhe përgjegjësi shtesë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por në qendër t’i hiqet shumica e dyfishtë për ligjet e rëndësisë jetike.

Duke komentuar këto raportime, Presidenti Hashim Thaçi, ka deklaruar se çështja e asociacionit është përmbyllur, mirëpo nuk ka përjashtuar ndryshimet kushtetuese për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë.

Image
Hashim Thaçi

Sipas Thaçit, edhe Kosovës edhe Serbisë do t’i kërkohen t’i bëjnë ndryshimet në kushtetutën e saj.

“Çështja e asociacionit tani më është përmbyllur, ekipet profesionale të Kosovës janë duke punuar. Kosova do t’i plotësojë në tërësi të gjitha obligimet që ka marrë në Bruksel, do të kemi paralelisht edhe impelentimin e marrëveshjes së arritur deri më tani dhe vazhdimin e negociatave për marrëveshjen finale. E theksoj edhe njëherë, marrëveshja do të jetë finale nëse arrihet dhe marrëveshja finale nënkupton ndryshim dramatik të realitetit në mes të Kosovës dhe Serbisë. E theksova do të diskutohet për çështjen e demarkacionit të kufirit të Kosovës me Serbinë, apo do të vihet vija kufitare për të parë historinë tonë, do të njihet ai realitet dhe po natyrisht se do të kërkohen edhe ndryshimet kushtetuese edhe në Kosovë edhe në Serbi, sepse Serbia do të duhet t’i bëjë patjetër ndryshimet kushtetuese që ta tërhek Kosovën nga preambula, gjithashtu për njohje reciproke ne duhet të marrim vendimin e përbashkët me Serbinë dhe me të gjitha institucionet përgjegjëse”, ka deklaruar Presidenti në një përgjigje dhënë për gazetën “Bota sot”.

Po rrezikohet shtetësia e Kosovës

Image
Driton Selmanaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Driton Selmanaj në një bisedë me gazetën “Bota sot”, ka thënë se ndryshimi i kushtetutës e vë në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës.

“Unë  mendoj që askush prej bartësve të institucioneve nuk ka mandat të  diskutojnë për ndryshime  të brendshme  kushtetuese të vendit. Çfarëdo që të këtë jashtë pakos se Ahtisarit mendoj që rrezikon seriozisht shtetësinë e shteti të Kosovës. Lëre më që nuk flasim për ri integrim të veriut por flasim për dezintegrim. Besoj, që edhe shtetësia e shtetit të Kosovës vihet në pikëpyetje. Prandaj askush as presidenti e as kryeministri mendoj që  nuk kanë të drejtë të diskutojnë  për çështje të cilat lidhen me ndryshimet eventuale të rendit dhe ligjit kushtetuese të Kosovës, por çdo bisedë, çdo qasje të jetë në përputhshmëri me kushtetutën  e Kosovës, ligjin e Kosovës dhe asgjë më shumë”, ka përfunduar deputeti i LDK-se, Driton Selmanaj për “Bota sot”.

Deklarata e Thaçit-Skandal

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi, ka thënë për “Bota sot”, se ky kjo deklaratë e Hashim Thaçi është skandal.

Image
Ismail Kurteshi

“E tëra kjo bëhet për me ia realizu kërkesën Serbisë. Kjo është skandal dhe kjo deklaratë po të kishte institucione të përgjegjshme do ta shkarkonin një njeri të cilit nuk meriton as një pozitë, e lerë me presidentin e vendit”, thotë ai.

Tutje, Kurteshi ka thënë se VV-ja është kundër që Thaçi ta drejtojë fazën finale të dialogut.

“Ai nuk pritet të heq dorë, por pritet që të tjerët të ja pamundësojnë që ai të mos i udhëheq bisedimet me Serbinë, por si duket kjo është një lajm shumë i keq, çështje e keqe që duhet të pengohet me çdo kusht. Vetëvendosja është njëherë e përgjithmonë kundër që të ndryshohet kushtetuta”, ka përfunduar deputeti i Vetëvendosjes, Ismail Kurteshi për “Bota sot”.

Nëse ndryshohet kushtetua humbet totalisht sovraniteti i shtetit të Kosovës

Image
Tomë Gashi

Avokati i njohur Tomë Gashi, ka thënë për “Bota sot”, se prej politikanëve tanë mund të presim gjithçka vetëm që ata te mbesin në pushtet

“Unë besoj se askush nuk ka të drejtë që të bëjë ndryshim të Kushtetueset se Kosovës për interesa të shtetit serb në Kosovë.  Nëse një gjë e tille ndodhe atëherë humbet totalisht sovraniteti i shtetit të Kosovës dhe rrezikohet integriteti territorial i Kosovës nëse mendohet që të bëjmë ndryshime të tilla kushtetuese qofte për imponimin eventual të Zajednices sipas kërkesës se Serbisë qofte për arsye të tjera që mund të çojnë tek dëmtimi i Kosovës si shtet. Po prej politikanëve tanë të lartë në mund të presim gjithçka vetëm e vetëm që ata të mbesin në pushtet, ashtu siç vepruan për 19 vite nga çlirimi i Kosovës dhe 10 vite nga shpallja e pavarësisë se Kosovës”, ka përfunduar avokat Tomë Gashi për gazetën “Bota sot”.

Pasojat e kompromiseve të Thaçit do t'i vuajmë te gjithë

Image
Imer Mushkolaj

Analisti politik Imer Mushkolaj ka thënë se Thaçit po i ngutet te vazhdojë që të futet në një rrugë plot paqartësi drejt asaj që thuhet të jetë marrëveshje historike.

“Hashim Thaçit po i ngutet ta vazhdojë dialogun me Serbinë pa konsensus politik e shoqëror dhe pa mandatin e nevojshëm të Kuvendit. Sikurse edhe në të kaluarën, ky njeri po na çon qorrazi drejt paqartësisë. Pasojat e kompromiseve të tij do t’i vuajmë të gjithë. Ai duhet të ndalet Hashim Thaçi ka vendosur që krye në vete ta vazhdojë fazën finale të dialogut me Serbinë, pa konsensusin e nevojshëm politik e shoqëror. Ai po ngutet që t’i futet një rruge plot paqartësi, drejt asaj që po trumbetohet të jetë një marrëveshje historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. I imponueshëm dhe dinak, çfarë ka ditur të jetë gjithmonë, presidenti që do të duhej të përfaqësonte unitetin e qytetarëve po vazhdon dialogun me Beogradin pa marrë mandatin e nevojshëm nga Kuvendi i Kosovës”, ka  thënë Mushkolaj, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat