Vendimi i Haradinajt për pagat rrezikon liberalizimin e vizave

Politika

Vendimi i Haradinajt për pagat rrezikon liberalizimin e vizave

Ramush Haradinaj Nga Ramush Haradinaj Më 26 qershor 2018 Në ora: 18:09
Ramush Haradinaj

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që i dha të drejtë Qeverisë për rritjen e pagave, nuk i ka pëlqyer fare përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Kosovë.  Ata kanë reaguar ashpër për ketë vendim, duke thënë  se i njëjti është në kundërshtim me qëllimet e përbashkëta të Qeverisë dhe BE-së.  Në një komunikatë për media, shefja e zyrës së BE-së në Prishtinë, Natalia Apostolova, e ka kritikuar ashpër vendimin për rritje të pagave për zyrtarët qeveritarë, të cilin e mbështeti Gjykata Kushtetuese, duke pretenduar se nuk janë gjetur shkelje. Ndërsa, përfaqësues të Shoqërisë Civile, thonë se vendimi për  ngritjen e pagave dëmton rendë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave dhe në integrimin evropian.

Përveç partive opozitare, vendimin e Kryeministrit Ramush Haradinaj për ngritjen e pagave, pas vendimit e të Gjykatës Kushtetuese, e ka kritikuar edhe zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, ka vlerësuar se vendimi "ad hoc" për pagat është në kundërshtim me qëllimet e BE-së dje Qeverisë, për ta bërë administratën publike të Kosovës më të barabartë, meritore, koherente dhe llogaridhënëse.

“Shpreh keqardhjen time për këtë vendim, pasi që përgatitja e Projektligj për Pagat është në proces e sipër. Ky ligj do të rregullojë një herë e përgjithmonë pagat që paguhen nga buxheti i Kosovës me kritere objektive dhe të drejta. Ky ligj është pjesë e procesit të reformave në administratën publike e të cilin BE-ja e mbështet. Andaj edhe duhet të tërhiqet dhe të pritet miratimi i ligjit të ri për pagat”, është shprehur ajo.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se në vendimin e Kryeministrit nuk janë gjetur shkelje për rritjen e pagave. Kësisoj, ky vendim nuk i ka dalë të jetë i favorshëm vetëm për qeveritarët. Po aq i favorshëm është edhe për kryetarin e Kushtetueses, sikurse edhe për zyrtarët e këtij institucioni.

Image
Albulena Haxhiu

Haxhiu: Ne jemi duke i bërë kallëzimet penale

Në lidhje më këtë, ka reaguar edhe deputetja e Lëvizjes vetëvendosje Albulena Haxhiu, e cila ka thëne se Vetëvendosje është duke i përgatit kallëzimet penale dhe shumë shpejt do ti deponojnë ato dhe se ketë qeveri e ka quajtur qeveri zhvatëse.

“Vendimi i paligjshëm i Qeverisë për rritjen e pagave, është në kundërshtim edhe me Ligjin për Buxhetin e vitit 2018 dhe ka implikime buxhetore rreth 8 milion Euro. Ne jemi duke i bërë kallëzimet penale dhe shumë shpejt do t’i deponojmë ato. Qeveri zhvatëse” ka thënë për “Bota sot” Albulena Haxhiu.

Image
Donjeta Gashi

Gashi: Po presim ligjin për pagat

Kurse, Donjeta Gashi zëdhënëse e Qeverisë se Kosovës,  ka thënë për “Bota sot” se vetëm ligji për pagat mund të ndryshoj ketë vendim sepse sipas saj, nuk e konteston kushtetutshmërinë e vendimit të Qeverisë.

“Vendimi për nivelizimin e pagave do të vlejë derisa të vije në fuqi ligji për pagat. Kështu e ka thënë Kryeministri Haradinaj. Derisa vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e konteston kushtetutshmërinë e vendimit të Qeverisë” ka pohuar Gashi.

Image
Ehat Miftaraj

Miftaraj: Qeveria t`i konsiderojë kritikat e BE-së

Në anën tjetër, Ehat Miftaraj nga Instituti për drejtësi IKD ka shpjeguar se vendimi i qeverisë për ngritjen e pagave dëmton rendë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave dhe në integrimin evropian.

“Kosova është duke kaluar përmes dy proceseve të rëndësishme, atë të plotësimit të kriterit të fundit për liberalizimin e vizave dhe procesit të integrimit Evropian, respektivisht plotësimit të kritereve që ndërlidhen me Agjendën e Reformave Evropiane.  Vendimi i Qeverisë për ngritjen e pagave dëmton rëndë Kosovën në dy këto procese, andaj Qeveria e Kosovës pothuajse nuk ka rruge tjetër veç asaj të konsideroj seriozisht kritikat që vinë nga përfaqësuesit e BE-se, dhe të marr masa urgjente për të evituar paligjshmërinë e vendimeve të saj” ka shtuar Miftaraj.

Sipas tij, kritika e BE-së lidhur me vendimin për paga, indirekt është shuplakë për Gjykatën Kushtetuese, e cila gjykatë fatkeqësisht në vend që të ushtroj mandatin e saj në bazë të Kushtetutës dhe ligjit, në rastin konkret i është nënshtruar ekzekutivit duke dëshmuar mungesën e integritetit dhe paanshmërisë se kësaj gjykatë për të vendosur mbi bazën e fakteve dhe ligjit.

Image
Faton Mehmeti

Mehmeti: Vendi rrezikon të shkalloj edhe më tutje në humnerë

Kurse, sipas opinionistit Faton Mehmeti, BE po kërkon reformim të sistemit të drejtësisë, duke qenë se drejtësia tek ne është e kapur nga politika  dhe për rrjedhojë edhe vendimet e saja janë në favor të saj.

“Reagimi Apostoloves ka të bëjë pikërisht më  ketë aspekt.  BE po kërkon që të behën reforma të thella në drejtësi ndryshe vendi rrezikon të shkalloj edhe më tutje në humnerë. Vendimi për rritje të pagave dhe të drejtën që i jep Gjykata Kushtetuese është lajm i keq për vendin dhe që mund të ndikoj në shtyrjen e dhënies se liberalizmit të vizave, pasi disa shtete do të hezitojnë të liberalizojnë vizat një vendi të kapur nga politika. Gjithsesi, është nevojë e kohës që vendi të ketë një Vetting që do e pastroj politiken dhe drejtësinë nga të korruptuarit dhe njerëz më dosje” ka thënë Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat