Paralajmëron deputetja e VV-së: Thaçi duhet të ndalet me çdo kusht

Politika

Paralajmëron deputetja e VV-së: Thaçi duhet të ndalet me çdo kusht

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 30 qershor 2018 Në ora: 12:43
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë një konferencë për media të mbajtur ditë më parë, ka thënë se nuk i përjashton marrëveshjet me shtetin serb në fazën finale të bisedimeve. Ai ka shtuar se nuk do të ketë vija të kuqe në marrëveshjet me Serbinë.

“Për sqarim, nuk do të ketë vija të kuqe sikurse se ka pasur nga Grupi i Kontaktit në bisedimet e Vjenës, do të elaborohen vetëm tema për të cilat pajtohen dy palët si mundësi që dërgon drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare, nuk do të ketë marrëveshje tjetër të përkohshme, palët nuk do të lejohet të kushtëzojnë negociatat dialogun me këtë apo atë çështje”. Kështu deklaroi presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

E, lidhur me këtë çështje, ka folur deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje.

Drita Millaku në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se Thaçi me këtë po i bën me dije shqiptarëve të Kosovës se nuk ka tema të cilat nuk do të diskutohen me Serbinë, e sidomos, siç thotë ajo, ndarja e Kosovës.

Image
Drita Millaku

“Hashim Thaçi me shprehjen "nuk ka vija të kuqe me Serbinë" haptas po i bën me dije shqiptarëve të Kosovës se nuk ka tema të cilat nuk do të diskutohen me Serbinë dhe sidomos ndarja e Kosovës. Demarkacioni ka qenë provë për të prekur pulsin e ndryshimeve dhe reagimin e masave në rast të ndarjes së Kosovës”, është shprehur deputetja e VV-së.

Ndërsa, e pyetur se cilat do të jenë veprimet e ardhshme të Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me këtë çështje, Millaku ka thënë se janë në konsultime, ndërsa thekson në fund se presidenti Thaçi duhet të ndalohet me çdo kusht.

“Jemi ne konsultime për hapat e mëtutjeshëm se si do të veprojmë. Por, Hashim Thaçi duhet të ndalet me çdo kusht”, përfundoi deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, për gazetën “Bota sot”.

Gazeta “Bota sot”, ka dërguar pyetje me shkrim edhe në zyrën e Presidencës për të marrë informata shtesë lidhur me vijat e kuqe të presidentit Thaçi, mirëpo këta të fundit, deri më tani, kanë qenë të paqasshem.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat