Dugolli tregon dy arsyet pse nuk duhet të ndodhë propozimi i Thaçit

Politika

Dugolli tregon dy arsyet pse nuk duhet të ndodhë propozimi i Thaçit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 1 korrik 2018 Në ora: 22:59
Hashim Thaçi

Analisti politik Ilir Dugolli, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se propozimi i Presidentit Hashim Thaçi për formimin e një Grupi të unitetit në bisedimet me Serbinë, është një orvatje e tij për të krijuar një përshtypje afrimative për të në opinion.

Dugolli përmend dy arsye pse nuk duhet të ndodhë propozimi i Thaçit.

“Propozimi i presidentit Thaçi, që në një mënyrë bënë thirrje për të krijuar një grup të unitetit në bisedimet me Serbinë, duket të jetë një orvatje e tij, për të krijuar një përshtypje afirmative për të, në opinion. Sipas kushtetutës, ai duhet të ishte personi unifikues në vend, dhe e dyta që të sforconte besimin e të tjerëve në institucione të shtetit. Ky propozim, nuk do të duhej të ndodhte, për dy arsye. E para; Presidenti në aspektin ndërkombëtar ka rol reprezentues për vendin dhe e dyta, tani më nuk duhet të sillemi me grupe unitetesh, sa për të plotësuar qejfet partiake apo për të kërkuar një konsensus politik”, thotë Dugolli.

Sipas tij, këto bisedime duhen të kenë njerëz të botës akademike dhe kjo çështje duhet të diskutohet më me seriozitet.

Image
Ilir Dugolli

“Këto bisedime duhet të kenë për bazë një platformë e cila do të ishte e përpiluar nga njerëz të botës akademike. Për secilën çështje për të cilën duhet diskutuar me palën serbe, do të parashikoheshin hapat, se deri ku munden të negocioheshin ato. Kështu në mënyrë automatike do të përkufizoheshin ngjyra e kuqe ose vijat e kuqe, të cilat do të ishin të pa negociueshme. Pra kjo është çështje e cila duhet trajtuar në mënyrë shumë më serioze se sa me grupe të tilla uniteti. Grupit të unitetit do të mundet t’i largohet secila parti, duke menduar se po bënë hapin e duhur. Kurse platformës së miratuar nga kuvendi, nuk do të mund t’i largohet askush”, thekson Dugolli.

Grupet e Unitetit, sipas Dugollit, kanë qenë të justifikueshme para Pavarësisë së Kosovës.

Ai kërkon nga partitë politike definim dhe fleksibilitet në raport me temat e mëdha nacionale, siç është dialogu me Serbinë.

“Grupet e unitetit mendoj se kanë qenë të justifikueshme para 17 shkurtit 2008, tani më jemi shtet dhe duhet të sillemi dhe të rezonojmë si të tillë. Mendoj se presidenti më së miri do të ishte të bënte thirrje parlamentit, të caktonin grupin negociator për bisedimet me Serbinë dhe i cili do të kishte platformën e bisedimeve të miratuar. Pastaj le ta quan si të do, grup i unitetit apo negociator. Mendoj se LVV, i ka arsyet e veta kundër këtij propozimi, të cilat i justifikon arsyeshëm edhe duke u bazuar në të kaluarën. Partitë tjera politike, duhet të jenë më të definuara dhe më fleksibile, në raport me tema të mëdha nacionale, sikur se është kjo”, përfundon Dugolli.

Ditë më parë, Presidenti Hashim Thaçi ka kërkuar nga të gjitha partitë politike në vend për krijimin e një Grupi të Unitetit për përfaqësim në bisedime me Serbinë.

Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar këtë ide të Thaçi, edhe pse sipas tyre, është i rëndësishëm për të biseduar për procesin e dialogut me Serbinë.

Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje të reja dhe bënë thirrje që të ndalohet, siç e quajnë ata, dëmi që i shkaktohet vendit nga Thaçi si udhëheqës i dialogut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat