Mitrovica po ndahet në heshtje, Thaçi i gatshëm që t’i vërë gërshërët territorit të Kosovës

Politika

Mitrovica po ndahet në heshtje, Thaçi i gatshëm që t’i vërë gërshërët territorit të Kosovës

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 2 korrik 2018 Në ora: 07:55
Hashim Thaçi, foto ilustrim: Bota sot

 

Në Mitrovicë është duke u ndërtuar projekti më i madh i serbëve, një lagje që do quhet “Lugina e Diellit” me një sipërfaqe prej 24 hektarësh, ku parashihet vendosja e rreth 1500 serbëve. Punimet kanë filluar në vitin 2016 dhe vazhdojnë ende, megjithëse ky projekt nuk ka leje ndërtimi, shkruan “Bota sot”.

Përderisa vitin e kaluar shtëpitë e nisura të ndërtohen në ato lagje ishin pa kulm, këtë vit është kryer punimi i vrazhdë në to dhe janë shumë afër përfundimit.

Ky projekt 3 milionësh i Serbisë, kishte marrë edhe përkrahjen ruse, të cilët kishin ofruar gatishmërinë për nderimin e rreth 1500 shtëpive atje, që serbët në Kosovë të ngulin thellë  “rrënjët” në shtetin e Kosovës, për mos ta pasur në mendje kthimin në Serbi.

Para një viti, Ministria e Mjedisit kishte urdhëruar ndaljen e punimeve e më vonë kishte ushtruar padi ndaj Komunës së Zveçanit lidhur me ndërtimin e këtij projekti, të cilët nuk japin leje për atë ndërtim. Por, institucionet e Kosovës nuk kanë pasur guximin asnjëherë që të marrin iniciativën që të shkojnë në vendin ku po kryhen punimet në fjalë dhe të marrin masa, pasi që punimet po vazhdojnë në kundërshtim me MMPH.

Gazeta “Bota sot” ka provuar të marrë përgjigje nga Ministria e Mjedisit, por ata nuk janë përgjigjur në pyetjen se çfarë është duke ndodhur atje dhe se a do ndërmerr masa kjo ministri, për shkak që punimet po vazhdohen pa lejen e tyre.

Bytyqi: Institucionet e Kosovës nuk kanë qasje në veri

Image
Enver Bytyqi

Profesori universitar, Enver Bytyqi, ka thënë për “Bota sot” se Serbia e ka qëllimin ta ndajë Kosovën që nga viti 1999, duke shtuar se ajo pjesë e Mitrovicës, punon sipas urdhrave të Beogradit.

“Në veriun e Mitrovicës prej qershorit të vitit 1999 e këtej, ka një segregacion të dukshëm të serbëve dhe duket qartë se Beogradi po vepron praktikisht për ndarjen e Kosovës. Nuk është e rastit që Ura e Ibrit nuk është vënë në funksionim, pavarësisht marrëveshjes së nënshkruar e për të cilën kreu I negociatave në Prishtinë nuk flet asnjëherë. Nuk është e rastit që policia dhe gjyqësia në këtë pjesë të vendit nuk vepron nën një komandë të unifikuar të Prishtinës. Nuk është e rastit që kryetarët serbë të komunave në veri zbatojnë plane e projekte pa dijeninë e ne mungesë të lejes së dhënë nga institucionet e Prishtinës! Gjithçka dëshmon se në veri ekzistojnë institucione paralele, të cilat marrin urdhra në Beograd. Dhe Beogradi punon kështu në heshtje çdo ditë e çdo orë për ndarjen faktike të veriut të Kosovës. Por Beogradin e ndihmon në këtë synim e aksion të tijin edhe qeveria e Kosovës”, theksoi Bytyqi.

Ai shton tutje se. Beogradin e ndihmojnë në këtë synim e aksion të tijin edhe qeveria e Kosovës, për faktin se institucionet tona nuk kanë qasje në atë pjesë të vendit.

“Beogradin e ndihmojnë në këtë synim e aksion të tijin edhe qeveria e Kosovës. Fakti që në Luginën e Diellit në Mitrovicë bëhen ndërtime pa leje mjedisore të ministrisë përkatëse të Prishtinës, dëshmon se Prishtina, qeveria, parlamenti, agjencitë e zbatimit të ligjit, si dhe presidenti, policia e forcat e sigurisë nuk kanë qasje në atë pjesë të territorit të vendit. Kjo nuk është normale”, ka thënë Bytyqi.

Bytyqi: Thaçi është i gatshëm që t’i verë gërshërën territorit të Kosovës

Ai e quan alarmues faktin që disa aksione që i drejton dhe urdhëron presidenti pa dijeninë e kryeministrit për dërgimin e Rosus-ë në veri përdoren për konsum patriotik e njëkohësisht si maskë për të fshehur një realitet kaq të dhimbshëm në këtë pjesë të Kosovës.

“Është alarmues fakti që disa aksione që i drejton dhe urdhëron presidenti pa dijeninë e kryeministrit për dërgimin e Rosus-ë në Veri përdoren për konsum patriotik e njëkohësisht si maskë për të fshehur një realitet kaq të dhimbshëm në këtë pjesë të Kosovës! Tani,  bisedimet që zhvillohen në Kosovë dhe me planin e ri e të vjetër të Beogradit për ndarjen e vendit, nuk besoj se institucionet e Prishtinës do të jenë të afta të veprojnë në zbatim të ligjit organik edhe në këtë pjesë të Kosovës. Aq më tepër këtë situatë e rëndon fakti që presidenti i vendit duket qartë se është i gatshëm që t’i verë gërshërën territorit të Kosovës për të plotësuar orekset e homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiq”, shtoi për “Bota sot” Bytyqi.

Barani: Bandat shqiptare bashkëpunojnë me kontrabandistët serb

Image
Halit Barani

Kryetari i Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së në Mitrovicë, Halit Barani, duke folur për “Bota sot”, ka thënë se kjo çështje nuk ka se çfarë të diskutohet, meqë bëhet fjalë për pjesën e okupuar të Mitrovicës.

"Për këtë çështje nuk kemi nevojë shumë me fol pasi lagja për të cilën bëhet fjalë, është në pjesën e okupuar të qytetit të Mitrovicës, përkatësisht Kosovës, ku në atë pjesë prej urës kryesore të lumit Ibër, pra matanë ure, askush nuk mbanë përgjegjësi  për Republikën e Kosovës dhe nuk e njohin si shtet, pra, Kosovën”, ka thënë Barani.

Ai gjithashtu ka theksuar se, në pjesën veriore të Mitrovicës ende bandat shqiptare bashkëpunojnë me kontrabandistët serb.

Politikë e Serbisë për ta rritur numrin e popullësisë serbe 

Image
Hajrullah Tërnava

Ndërsa eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava thotë për “Bota sot” se ky projekt i Serbisë që po ndërtohet, bën pjesë në grupin e atyre planeve që Serbia i ka bërë para shumë vitesh, që t’i vendoste serbët nëpër Kosovë.

“Serbia në planet politike të nacionalizmit serb, i ka planet e veta si pjesë përbërëse të saja, të jetësimit të atyre politikave për qëllimet e saj. Edhe në të kaluarën nga vitet 1990-1998 të politikave luftënxitëse serbe që udhëhiqte në territoret e ish Jugosllavisë, ndërtonte lagje të ndryshme nëpër Kosovë, për serbët që i vendoste nëpër Kosovë, nga vendet e atyre territoreve ku migronin serbët të territoreve të luftërave që i udhëhiqte Serbia. Gjithashtu, krijonte lagje të ndryshme të vendeve ku nuk kishte fare serb sikur në Junik, në fshatin “Fshat i Madh” komunë e Vushtrrisë, si dhe në tjera vende nëpër Kosovë, për vendosjen e serbëve që në ato kohëra kishin migruar nga vende të ndryshme të luftërave të asaj kohe si në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë, e tjera vende të atyre kohërave që zhvilloheshin”, potencoi Tërnava.

Pavarësisht që Serbia po realizon projektin “Lugina e Diellit” për të mbajtur në Kosovë serbët që janë këtu, kjo nuk do të ketë sukses sipas Tërnavës.

“Edhe në këto kohëra kur Serbia e përdorë metodën e popullimit nëpër vende, tani në Mitrovicë si “Lugina e Diellit“ për qëllimet e saja politike, që serbëve t’iu jep benifite, banesa-shtëpi për jetesë, me qellim që t’ua kthej shpresën e të jetuarit aty, edhe që numër i madh i banorëve real të atyre vendeve nuk e shohin perspektiven e të jetuarit në këto pjesë të veriut, dhe shumë nga ta tani janë shpërngulur dhe kane blerë banesa thellë në Serbi, apo edhe një numër sidomos të rinjve me pasaportat serb dalin dhe e kërkojnë fatin e tyre nëpër vendet e Evropës, kështu që shpërngulja e tyre ende është në vazhdim e sipër. Është e kuptueshme gjendja e tanishme se atë pjesë të banimit në veri, ende nuk e qeverisë në tërësi Kosova, dhe serbët as që  kërkojnë leje për ndërtim nga Ministria e Mjedisit te Kosovës. Serbia atë pjesë të asaj lagje të re, e bënë me investime të saja, dhe plan ndërtimin e atyre komunave tani që qeverisen nga popullata serbe e Kosovës, e bëjnë me vendime të atyre komunave në veri”, është shprehur Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat