Momenti për veprime serioze të opozitës

Politika

Momenti për veprime serioze të opozitës

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 2 korrik 2018 Në ora: 22:40
Foto nga Kuvendi i Kosovës

Faza finale e bisedimeve me Serbinë, është kthyer në krye-temë ditëve të fundit.

Partitë politike në Kosovë, ato që janë në krye të shtetit qoftë nga këndi i pozitës apo edhe i opozitës, çështjen e dialogut po e trajtojnë pa i dhënë seriozitetin e duhur.

Kjo temë jetike për të ardhmen e vendit, po shqyrtohet vetëm nëpërmjet deklaratave bombastike të përfaqësuesve opozitarë, në njërën anë dhe heshtjes së qeverisë në anën tjetër.

Në mes të gjithë këtyre zhvillimeve qëndron Presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili pa miratimin e Kuvendit, veçse ka zhvilluar një takim me Presidentin e Serbisë dhe ndërmjetësuesen e BE-së.

Aty, Thaçi ka thënë se kanë biseduar për kornizën e dialogut, duke mos përjashtuar heqjen e vijave të kuqe.

Ky takim u kundërshtua nga subjektet opozitare, por jo aq fuqishëm sa për ta ndalur Thaçin në rrugëtimin e tij drejt BE-së, për t`i arritur kompromiset me Serbinë.

Kur është fjala te kompromiset, i pari i vendit nuk i ka përjashtuar, ndërsa ka paralajmëruar se të njëjtat do të jenë të dhimbshme.

E për këto gjëra, Presidenti i vendit ka ftuar subjektet opozitare që të jenë pjesë e dialogut me Serbinë, duke ua përmendur atyre edhe patriotizmin.

“Ejani dhe bëhuni pjesë e delegacionit të Kosovës. Jepni dijen dhe patriotizmin tuaj në tryezë të bisedimeve me argumentet dhe kundër argumentet. Ky do të ishte veprimi i duhur veprimi  më racional dhe i guximshëm, të cilin e presin qytetarët e Kosovës.  Gjithçka tjera të gjitha kritikat e pa baza dhe të pamatura,  tregojnë  vetëm shenja lodhje. Mungesë të përgjegjësisë dhe guximit”, u ka thënë i pari i vendit partive opozitare.

Por, Presidenti ka harruar se ka shumë çështje të papërfunduara me Serbinë, të cilat lidhen pikërisht me patriotizmin që e ka përmendur. Qytetarët ende nuk e kanë dëgjuar Presidentin e tyre, të thotë se Kosova do t`i vërë kushte Serbisë, në fazën përmbyllëse të dialogut. E vetmja gjë që deri më sot është dëgjuar nga Presidenti është përfundimi i dialogut ku s`do të ketë fitues e për më tepër, do të ketë kompromise të dhimbshme, duke mos bërë as të ditur se cilat do të jenë ato.

Në këtë mënyrë, me këto deklarata Thaçi nuk i ka lënë hapësirë opozitës që të pajtohet sadopak me pjesëmarrjen në dialog apo edhe me dhënien e sugjerimeve për dialog.

Derisa opozita nuk do më kompromise, Thaçi veçse i ka paralajmëruar ato. Derisa opozita kundërshton heqjen e vijave të kuqe, Presidenti Thaçi pa pyetur askënd i ka hequr ato.

Qytetarët e Kosovës presin më shumë veprime konkrete nga partitë opozitare lidhur me dialogun.

Në këtë periudhë, kur po vendoset për të ardhmen e Kosovës, i takon opozitës që të reagojë fuqishëm. Vetëm një opozitë e fuqishme do të mund t`i ndalë kompromiset e dhimbshme të Presidentit me Serbinë.

Mbetet të shihet në ditët në vazhdim se, a do të fuqizohet më të vërtetë opozita apo do të vazhdojnë ta shprehin kundërshtimin ndaj dialogut, vetëm brenda katër mureve të selive të tyre apo edhe zyrave në Kuvend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat