PDK turpëron Haradinajn para popullit

Politika

PDK turpëron Haradinajn para popullit

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 4 korrik 2018 Në ora: 07:56
Qeveria PANA-Lista serbe

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nga e premtja nuk do të hajë më bukë në veturë, apo në këmbë. Nuk do të hajë më ushqim të ftohtë, rrallë herë ushqim të nxehtë, ashtu siç ishte deklaruar vitin e kaluar, duke u arsyetuar se ky ishte “privilegji” i të qenit kryeministër. Ramush Haradinaj, ministrat, zëvendësministrat dhe stafi tjetër i kabinetit qeveritar, nga  (e premtja) kanë marrë pagat e tyre me rritje. Dhe sigurisht me dyfishimet e rrogës tani shefi i Qeverisë së shtetit, pothuajse më të varfër në botë do ta haje bukën e majme.

Megjithatë, disa ministra në Qeverinë e Kosovës, kryesisht nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, po refuzojnë vendimin e Qeverisë dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, për rritjen e pagave. Rrjedhimisht, disa nga këta ministra kanë deklaruar se nuk do ta marrin pagën me rritje. I pari që kishte sfiduar vendimin e kryeministrit Haradinaj, ishte ministri i Financave, Bedri Hamza.

Megjithatë jo ende të konfirmuar, edhe disa ministra të PDK-së kanë refuzuar rritjen e pagave. Pas Hamzës, është ministri i Inovacionit, Besim Beqaj, ai i cili ka refuzuar ngritjen e pagave, duke pasuar me ministrin e drejtësisë Abelard Tahirit.

Në media kishte qarkulluar lajmi se edhe ministri i Forcës së Sigurisë ka refuzuar ngritjen e pagës megjithatë, nga kjo ministri, nëpërmjet një komunikatë për media demanton shkrimet në media që kanë raportuar se ministri Rrustem Berisha e ka refuzuar pagën me rritje për të cilën ka vendosur kryeministri Ramush Haradinaj dhe Qeveria në dhjetor të vitit që ka shkuar.

I kontaktuar nga “Bota sot” ministri i Inovacionit, Besim Beqaj nuk ka pranuar të flasë duke u arsyetuar se për këtë çështje ka vendosur me kohë.

PDK kërkon procedimin e Ligjit të Pagave

Image
Hajdar Beqa

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa ka thënë për “Bota sot”, se duhet që në kuvend të procedohet ligji për paga.

“Qëndrimi im personal prej deputeti është se Ligji i pagave duhet të ecë sa më shpejt sepse rregullon shumë çështje dhe në interes të gjithë zyrtarëve apo administratës, shërbyesve civil. Ndërsa sa i përket vendimit të rritjes së pagave është vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa ne nuk kemi mundësi me komentuar qasjen individuale të secilit, kush i merr e kush nuk i merr. Kjo çështje nuk rrjedh pre deputetëve, është e drejtë e qeverisë, por edhe më herët qeveria ka marrë vendime të tilla për rritje të pagave”, ka thënë deputeti i PDK-se, Hajdar Beqa për “Bota sot”.

Strategji e PDK-së, Haradinaj njeri i diskotekave

Image
Jeton Kelmendi

Njohësi i zhvillimeve politike në vend Jeton Kelmendi në një bisede për “Bota sot”, ka thënë se refuzimi i ngritjes së pagave nga ana e PDK-së është strategji e menduar qartë.

Kelmendi ka shtuar se PDK është e vetëdijshme se Kosova nuk mund të udhëhiqet nga një njeri si Haradinaj

“Vendimi i qeverisë  për rritjen e pagave është arbitra, ndërsa sa i përket refuzimit të rrogave nga ana e PDK-së unë mendoj që është një akti do ta quaja moral sepse këta ministra kanë mundur ta bllokojnë aktin para votimi për rritje dhe po ashtu ta  pengojnë Haradinaj të votojë pro rritjes së pagave, e nga ana tjetër  ky vendim tregon se sa primitiv dhe sa i mjerë është ky kryeministër që ta marrë një pagë kaq të madhe në Kosovën kaq të varfër. Gjithashtu po vërehet edhe një përçarje në mes koalicionit. Në fakt PDK-ja është e vetëdijshme se Kosova nuk  udhëhiqet me një njeri me të kaluar kriminale, një njeri të diskotekave si Ramush Haradianaj, mirëpo, ata gjithashtu e dinë, se ata kanë nevojë për pozitë, sepse në qoftë se dalin në opozitë do të ishte fund ngase do të shkonin në burg për hajni , keqpërdorim dhe krime tjera”, ka deklaruar Kelmendi.

Tutje, Kelmendi ka shtuar se qarja e koalicionit PANA ka filluar qe një kohë.

“Ata sigurisht dëshirojnë që Haradinaj të turpërohet para popullit dhe që të bej veprime skandaloze dhe tani në fund të thonë se ata nuk i kanë marrë këto vendime, ja dhanë shansin Haradinajt për të qeverisur  dhe ai nuk diti, kështu kanë për ta t'i arsyetuar problemet  e vendit duke i lënë fajin Haradinajt. Mendoj që kjo është  strategji e padiskutueshme, që sado pak ta ruajnë fytyrën e humbur të tyre PDK-ja, duke u arsyetuar se ata nuk i kanë marrur pagat me rritje, ne kemi punuar më mirë, ne punojmë për popullin, dhe realisht mund edhe ta mashtrojnë populli edhe me ketë çështje, dhe përpos kësaj dihet se ka një kontraverist të madh ndërmjet koalicionit e këtë e pamë edhe në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Derisa kreu i PDK-së i lëshoi mikrofonin gruas  nga Shqipëria që doli për të folur,  ndërsa badigardi i tij Ramush Haradinaj e kapi në mënyrë të keqe ,e që në atë kohë është parë një qarje e madhe në mes tyre”, ka përfunduar Jeton Kelmendi.

Distancim i PDK-së nga Haradinaj

Image
Nexhat Haziri

Opinionisti Nexhat Haziri, ka thënë për “Bota sot” se, sa më pak shpresë për këtë koalicion qeveritar, aq më shumë shpresë do të ketë për Kosovën, në mënyrë që vendit t'i kthehet një qeverisje normale, me një kryeministër normal dhe institucione të tjera normale

“Refuzimin e marrjes së pagës me rritje nga ana e ministrave te PDK-se që janë pjesë e qeverisë Haradinaj, më shumë e shohë një veprim për konsum të brendshëm politik, por ka edhe diçka nga ajo si një distancim i PDK-së nga veprimet e kryeministrit Haradinaj. Një veprim i tillë I PDK-së, nuk mund ta quaj këtë veprim si një kthim shpinë e PDK-së ndaj kryeministrit Haradinaj, që po e rrezikon koalicionin qeverisës, por si diçka që tashmë edhe PDK-ja është bindur se ky koalicion është e pashpresë për të vazhduar gjatë me qeverisje për shkak të një kryeministri të dobët dhe mungesës së një shumice parlamentare. Sa më pak shpresë për këtë koalicion qeveritar, aq më shumë shpresë do të ketë për Kosovën, në mënyrë që vendit t'i kthehet një qeverisje normale, me një kryeministër normal dhe institucione të tjera normale. Andaj në ditët e ardhshme ne mund të presim edhe veprime të tjera të PDK-së, por edhe të partnerëve të tjerë të këtij koalicioni, që do të distancohen nga veprimet e dëmshme që do të mund t'i bëjë kryeministrit Haradinajt, në tentim siç thuhet për ta shpëtuar fytyrën e tyre përballë opinionit”, ka përfunduar Haziri.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, mori vendim që t’ia rrisë pagat për kabinetin qeveritar. Vendimi ishte pezulluar për disa muaj, pasi Agjencia Kundër Korrupsionit e kishte cilësuar të jashtëligjshëm.

Ndërkaq, partitë opozitare vendimin e Haradinajt për rritjen e pagave e kishin dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.

Por, më 11 qershor Gjykata Kushtetuese, e cila pavarësisht pretendimeve të opozitës, nuk e kishte cilësuar atë si jo kushtetuese.

Andaj, tani, nga 1 korriku, janë plotësuar parakushtet që të zbatohet vendimi për rritjen e pagave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat