Profesori ndërkombëtar tregon arsyet pse dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë me vite

Politika

Profesori ndërkombëtar tregon arsyet pse dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë me vite

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 16 korrik 2018 Në ora: 23:39
Thaçi- Mogherini- Vuçiq

 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, janë takuar sot në Helsinki të Finlandës, në samitin e parë që nga marrja e detyrës së Trump në janar të vitit të kaluar.

Pas takimit, Presidentët kanë deklaruar se kanë bërë  “hapat e parë” për përmirësimin e marrëdhënieve midis vendeve të tyre.

Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi, thotë se me një takim të dytë të të dy presidentëve (Trump- Putin) mund të zgjidhet çështja e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.

Takimi i Presidentëve, sipas Bytyçit, jep sinjale se Evropa nuk është më aktore globale dhe e aftë që të zgjidhë konflikte të përmasave.

Dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë, tashmë ka hyrë në fazën e fundit dhe takimi i radhës në mes të dy presidentëve do të mbahet të mërkurën.

Profesori Enver Bytyçi, është shprehur për “Bota sot”, se përkundër që thuhet se është në fazën finale, dialogu me Serbinë do të vazhdojë me vite.

Dialogu nuk do të përfundojë këtë vit dhe arsyeja e parë, sipas Bytyçit, është se Serbia nuk është e gatshme ta njohë shtetësinë e Kosovës.

Image
Enver Bytyçi

“Thuhet se dialogu i Kosovës me Serbinë është në fazën finale. Unë mendoj se kjo nuk është e saktë. Dialogu e Serbinë do të mund të vazhdojë me vite, nëse nuk do të gjendet një formë tjetër e zgjidhjes së konfliktit. Ky dialog nuk mund të përfundojë këtë vit, e ndoshta as vitin tjetër për disa arsye: 1. Serbët nuk janë gati të njohin shtetësinë e Kosovës si dhe integritetin dhe sovranitetin terroitorial të saj. Pa këtë kusht nuk mund të ketë marrëveshje. Serbët nuk duan të kërkojnë ndjesë për krimet që kanë bërë në Kosovë, madje e shohin veten në avantazh politik e diplomatik dhe po përpiqen që Kosovën si viktimë ta akuzojnë për agresore kundër serbëve. Serbia ka rifilluar të ndërtojë, e betonojë murin ndarës te Ura e Ibrit, në kundërshtim me marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel. Nga njëra anë ngre ure e shkatërron ura, nga ana tjetër dialog për pajtim e zgjidhje. Këto dy qëndrime e përjashtojnë njëri-tjetrin. Ky qëndrim i largon palët në dialog, nuk lejon që dialogu të realizohet në kohë e me sukses”, ka deklaruar Bytyçi.

Në këtë fazë të dialogut me Serbinë, në media ishte raportuar se Kosovës mund t’i kërkohet të falë tokë, ose të shkëmbej territore.

Bytyçi, ka pohuar se mos pranimi i ndonjë marrëveshje që do ta cenonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, do të jetë arsye tjetër e zgjatjes së dialogut.

Ai ka përmendur edhe ndërmjetësuesen Frederica Mogherini, duke e quajtur të dobët dhe jo të besueshme në dialogun Kosovë- Serbi.

“2. Kosova gjithashtu është e duhet të jetë e vendosur që të mos pranojë një marrëveshje, e cila cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të saj, ose që dëmton interesat shtetërore të saj. Pra, palët nuk mund të pajtohen për asgjë thelbësore. Në këto kushte dialog mund të zhvillohet vetëm për ndonjë temë e çeshtje teknike. Edhe kjo ndoshta. Sepse pa zgjidhjen definitive të konfliktit nuk ka për ta pasur ndonjë zgjidhje teknike domethënëse. 3. Dialogu Prishtinë-Beograd ka një ndërmjetës jo të besueshëm, e të dobët, Frederica Mogherinin. Kush beson se Frederica Mogherini zgjidhë konflikte shekullore midis shteteve e kombeve, vërtet duhet të besojë në ndonjë mrekulli. Autoriteti i saj është fragil, i pamundur të ketë ndonjë ndikim te palët”, ka theksuar Bytyçi.

Pesë shtete të BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën (Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia), sipas Bytyçit, janë dëshmi që Evropa është e përçarë.

“4. Takimmi i sotëm midis presidentit amerikan dhe atij rus jep sinjale se Evropa nuk është më aktore globale dhe e aftë që të zgjidhë konflikte të këtyre përmasave. Kjo për vetë fajin e BE-së, e cila në dhjetë vjet nuk mundi të bindë pesë vende anëtare të saj që të njohin Kosovën. Një Evropë e përçarë, edhe sikur Donald Trump të donte ta forconte, nuk mund të jetë faktor gjeopolitik, e gjeostrategjik me autoritet për zgjidhjen e krizave dhe konflikteve të tilla”, ka nënvizuar Bytyçi.

Takimi i Presidentit amerikan dhe atij rus, ka zgjatur dy orë e dhjetë minuta, ndërkaq ky është samiti i parë dypalësh i liderëve të të dyja vendeve qysh në prill të vitit 2010.

Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi, është shprehur se zgjidhja e dialogut Kosovë- Serbi, mund të bëhet pas takimit të dytë të presidentit amerikan dhe atij rus.

Bytyçi ka shtuar se dialogu nuk do të përfundojë me sukses dhe kjo për shkak se të dy vendeve u mungon konsensusi nacional.

“5. Palët në dialog, përkatësisht udhëheqësit e të dy palëve të këtij dialogu, Vuçiq dhe Thaçi, nuk janë të sinqertë në ato që thonë, e që bëjne. E përdorin dialogun për interesat e tyre praktike elektorale. Janë presidentë që kujdesen më shumë për fatin e tyre personal, ose të partisë së cilës i përkasin, e shumë më pak për fatin e vendeve që ata drejtojnë. Të dy këta vetëm sllogane përdorin, por nuk përdorin metoda dhe praktika vërtet të sinqerta për të dialoguar dhe për të realizuar një paqe të qëndrueshme. Të dy ndikohen nga faktorë të shumtë ndërkombëtarë. Të dy këshillohen nga militantë dhe njerëz të korruptuar, të cilëve vetëm stabiliteti, paqja dhe siguria nuk ju interesojnë. Këta të dy nuk ka shanse të realizojnë zgjidhje kaq të mëdha, edhe pse u gënjen mendja se mund të marrin “çmimin Nobel”?!”.

“Përfundimisht mmnd të them se dialogu do të vazhdojë me metodën e njohur, duke bërë kinse bëjnë dialog. Por ai nuk do të përfundojë me sukses. Një dialog i sukseshëm kërkon më së paku një konsensus nacional, dhe kju u mungon të dy vendeve, të dy delegacioneve, të dy presidentëve. Më në fund pa SHBA-në dialogu është krejt foral, për të dhënë një imazh të ri, se të dy vendet “janë për paqen”, se “Europa është e aftë të udhëheqë procese të rëndësishme”, se “Mogherini na qenka e zonja për ndërmjetësim ndërkombëtar”! Përralla janë të gjitha këto. Zgjidhja mund të vijë nga një takim i dytë i presidentit amerikan dhe atij rus!”, ka përfunduar Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat