Vrasja e Shaban Manajt brenda mandatit të Gjykatës Speciale

Politika

Vrasja e Shaban Manajt brenda mandatit të Gjykatës Speciale

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 23 korrik 2018 Në ora: 08:11
Shaban Manaj

“Ne presim që vrasja babës të trajtohet nga Gjykata Speciale, sepse është brenda mandatit të saj kohor dhe lëndorë por edhe vlerësojmë se është me kredibile për të zbardhur këtë rast duke dënuar dorasit dhe urdhërdhënësit”, ka thënë Shkëmb Manaj, për Gazetën “Bota sot”.

Në listën e të vrarëve politik të pasluftës nga dora kriminale që kurrë nuk u zbulua, bën pjesë edhe veprimtari i shquar i LDK-së dhe avokati, Shaban Manaj.

Ai u vra me 23 korrik të vitit 2000, në një atentat mirë të organizuar.

Manaj, fillimisht ishte kidnapuar për t`u gjetur i vrarë, vetëm disa ditë më pas.

LDK ishte parti e fuqishme në atë kohë.

Përpjekjet për ta ndaluar që të vinte të pushtet, shkuan aq larg, sa që shumë njerëz, bashkëpunëtorë të ngushtë të Presidentit Ibrahim Rugova, gjetën vdekjen në mënyrat më misterioze të mundshme.

Krejt kjo bëhej, me qëllim që partia e presidentit historik, të dobësohej dhe ta humbte primatin si një  favorite absolute politike.

Manaj: Ne presim që vrasja babës të trajtohet nga Gjykata Speciale

Në 18 vjetorin e vrasjes, djali i veprimtarit Shaban Manaj, Shkëmbi, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se presin që Gjykata Speciale të trajtojë këtë rast, pasi është brenda mandatit të Gjykatës Speciale.

Image
Shkëmb Manaj

“Po bëhen plotë 18 vite nga rrëmbimi në pabesi dhe me pastaj vrasja mizore e babait tim, Shaban Manaj. Kjo vrasje hyn në grupin e vrasjeve të personaliteteve politike dhe publike në Kosovën e pasluftës, kryesisht të figurave të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sa i përket hetimeve rreth zbardhjes se kësaj vrasjes, ende nuk ka diçka konkrete. Ne presim që vrasja babës të trajtohet nga Gjykata Speciale, sepse është brenda mandatit të saj kohor dhe lëndorë por edhe vlerësojmë se është me kredibile për të zbardhur këtë rast duke dënuar dorasit dhe urdhërdhënësit”, ka thënë Shkëmb Manaj, për Gazetën “Bota sot”.

Më tej, ai ka folur rreth veprimtarisë së z. Shaban Manaj, duke thënë se i përket gjeneratës së burrave që kanë pasur integritet dhe që kanë punuar me përkushtim për Kosovën.

“Babai hyn në mesin e burrave të shquar të Kosovës që tërë jetën e tij e ka vu në shërbim të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë së Kosovës. Ai ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Ai i takon gjeneratës së burrave që kanë pasur integritet dhe që kanë punuar me përkushtim për Kosovën dhe popullin e saj”, është shprehur ai.

Zogaj: Vrasësit e Shaban Manajt vazhdojnë të vrasin

Ndërkaq, analisti Skender Zogaj, thotë për “Bota sot” se dhimbja për të vrarët e LDK-së po shtohet sa më shumë dita e ditës, kur fatkeqësisht vrasësit e tyre nuk po dihen se kush janë, e ata po e mbajnë peng në kthetrat e tyre lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Image
Skender Zogaj

“Sa më shumë që po kalon koha dhe nuk po zbardhen vrasjet e atdhetarëve, figura të devotshme si Shaban Manaj, Xhemail Mustafa, Ahmet Krasniqi, Ismet Raci, Enver Maloku, Smajl Hajdaraj, e shumë të tjerë, po shtohet dhembja sepse, po bindemi se Kosova është çliruar nga okupatori serb por jo nga kthetrat e kriminelëve që po e mbajnë peng lirinë dhe pavarësinë e Kosovës! Nuk ka asnjë shpjegim tjetër pos se, vrasësit e kanë kapur shtetin dhe kanë forcën e fshehjes së krimeve që i kanë bërë! Mirëpo drejtësia nuk funksionon dhe vrasësit e Shaban Manajt vazhdojnë të vrasin edhe familjarët e të vrarëve që plot 20 vjet lotojnë nëpër ceremoniale përkujtimore të përvjetorëve të më të dashurve të tyre”, thotë Zogaj.

Ai e përshkruan figurën e Shaban Manajt si një burrë i madh i kombit, e shton se gjaku i tij do t’i mallkojë vrasësit e tij që po fshihen si qyqet e natës.

“Kjo ndjenjë pikëllimi e trishtueshme i përket Shaban Manajt, veprimtarit të orëve të para të LDK-së, bashkëpunëtorit të Presidentit Ibrahim Rugova, trimit që hyn në panteonin e burrave të mëdhenj të kombit! Unë e kam pasur mik dhe më duhet të them se, gjaku i kristaltë i Shaban Manajt ka me i ndjek me mallkim vrasësit e tij, që po fshihen si qyqet e natës! Shabani edhe i vdekur është i gjallë dhe më i fortë se vrasësit e tij!”, shprehet Zogaj.

Prokuroria kishte thënë se po merret me mbledhjen e të gjitha të dhënave, që kanë të bëjnë me hetimin e kryer nga hetuesit e policisë së atëhershme të UNMIK-ut.

Por, këto hetime që nisën në prill të viti 2017, nuk sollën ende ndonjë rezultat konkret.

Për rrjedhojë, vrasja e veprimtarit Shaban Manaj, mbetet një engimë, deri sa dikush të merret seriozisht me këtë rast. 

Një dëshmitar

E lidhur me një dëshmitar të këtij rasti ka folur, Naim Miftari, ish anëtar i SHIK-ut.

Image
Naim Miftari

Miftari ka theksuar se, sipas dëshmive që ekzistonin në atë kohë, Mark Oroshi, i cili ishte dëshmitar kryesor në këtë vrasje, u vra, me qëllim që të zhdukeshin gjurmët për rastin.

“Kur  organet e sigurisë kishin  disa  gjurmë  të  besueshme ndodhi  një skenar i frikshëm. Kur  e vërteta për vrasjen e Shaban Manajt kishte filluar të dalë sheshazi, ishte përgatitur nga Mafia Politike, vrasja e Mark Oroshit, të dyshuarit kryesor për vrasjen e avokatit, i cili ishte penduar për këtë krim dhe kishte vendosur të bashkëpunonte me gjykatën dhe të tregoj të vërtetën e kësaj vrasje, në të cilën ishin të implikuar njerëz të lartë të politikës”, ka thënë Naim Miftari.

Gjithnjë sipas Naim Miftarit, kjo kishte ndodhur, pasi që prokurori ndërkombëtar pistën e dyshimeve e kishte drejtuar, duke e cilësuar vrasjen e Shaban Manajt si viktimë të SHIK-ut.

 “Pas kësaj Mark Oroshi rrezikohet, pati tentim - vrasje ndaj tij, për ta vrarë përfundimisht, më vonë në oborrin e shtëpisë së tij kur u qëlluan  me breshëri armësh automatike për ta vrarë përfundimisht një dëshmitar shumë të rrezikshëm për disa  politikanë dhe pushtetarë politik, por edhe  dëshmitar  i rrezikshëm edhe për pjesëtarët tjerë të ekipit vrastarë. Më vrasjen e Mark Oroshit u humbën gjurmët e vrasësve të avokatit Shaban Manaj”, thekson ai.

Miftari thotë se përderisa dëshmitari Mark Oroshi nuk u mor në mbrojtje, kjo nënkupton se vrasja vinte nga hierarkia më e lartë e politikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat