Opozita kërkon zgjedhje para vazhdimit të dialogut

Politika

Opozita kërkon zgjedhje para vazhdimit të dialogut

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 25 korrik 2018 Në ora: 14:27
Opozita në Kuvend

“Duhet të bëhen zgjedhjet e reja dhe në bazë të rezultatit të krijohet edhe ekipi negociator për dialog. Çështja e dialogut duhet të kthehet në Kuvend dhe aty të vendoset dhe të diskutohet çështja e dialogut”, thotë deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku.

Pavarësisht se Presidenti Hashim Thaçi po kundërshtohet nga partitë politike për të udhëhequr bisedimet me Serbinë në Bruksel, ai po vazhdon kryesimin e këtij dialogu. Thaçi ka ftuar edhe partitë tjera që të jenë pjesë e këtij dialogu.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se Presidenti Thaçi nuk ka funksion ekzekutiv për të udhëhequr dialogun.

Edhe pse është kritikuar për mos transparencë, Presidenti Thaçi po vazhdon të marr pjesë në këtë dialog.

Është kërkuar që ai të ndërpres bisedimet me Serbinë dhe ato të udhëhiqen nga përfaqësues të partive politike në Kosovë, mirëpo deri më tani nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim.

Por cilat janë mënyrat për të ndaluar Presidentin Thaçi në këtë drejtim, a duhet të ndërmerr diçka përmes Kuvendit?

Image
Drita Millaku

Millaku: Zgjedhjet para dialogut të domosdoshme

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Drita Millaku, thotë se derisa ai nuk e ka legjitimitetin dhe aftësinë për të dialoguar me Serbinë, ai mund të ndalet vetëm nga opozita e bashkuar.

“Vetëm bashkimi i opozitës  mund ta ndal Thaçin. Ky njeri nuk e ka legjitimitetin as aftësinë për të dialoguar me Serbinë. Shumë mirë e dimë se si është zgjedhur president me vota të blera dhe të kontrabanduara. Megjithatë është shumë shqetësuese se si në LDK ka zëra për përkrahjen e Thaçit. Kjo LDK është as mish as peshk”, thekson Drita Millaku.

Ajo thotë më tutje se duhet të bëhen zgjedhjet e reja dhe varësisht nga rezultatet të krijohet ekipi për të udhëhequr këtë dialog.

“Duhet të bëhen zgjedhjet e reja dhe në bazë të rezultatit të krijohet edhe ekipi negociator për dialog. Çështja e dialogut duhet të kthehet në Kuvend dhe aty të vendoset dhe të diskutohet çështja e dialogut”, thotë deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku.

Image
Leon Duhanaj

Ndërkaq analisti politik, Leon Duhanaj thotë se, ka mjaft mënyrë për të penguar Presidentin Thaçi për të udhëhequr dialogun me Serbinë. Ai thotë se Presidenti Thaçi ka rol ceremonial por jo ekzekutiv.

“Mënyra për ta penguar një marshim vetanak të Presidentit Thaçi ka mjaft. Kjo bëhet duke filluar nga kundërshtimi decidiv i kësaj qasje të tij e deri tek zbatimi i kushtetutshmërisë. Presidenti, bazuar në Kushtetutë, ka rol prezentativ cereminial, nuk është ekzekutiv. Këndej, nëse bazohemi në Kushtetutë dhe ligje, atëherë nuk do të kishte vend për shqetësim. Por, problemi qëndron në atë se, në Kosovë, ligjet respektohen veç në situata kur nuk ua pengon agjendat disa çarqeve politike”, thekson Duhanaj.

Kosovën e shpëton vetëm uniteti

Ai shton tutje se, për ta ndaluar një skenar ku një njeri i paautorizuar ta marrë fatin të gjithëve në dorë, do të duhet të kishim ose parti politike solide, të pavarura me programe e vizion për të ardhmen, ose, një masë kritike të emancipimit qytetarë.

“Natyrisht në ketë segment hynë edhe mediet dhe shoqëria civile që për fat të keq, ne masë të madhe janë shërbëtorë agjendash politike! Partitë politike në përgjithësi, nuk janë të çarta në idetë e tyre dhe ketë e din z. Thaçi, prandaj as që merret me to. Ai merret me ca individ me ndikim brenda partive dhe përmes tyre i neutralizon situatat. Shumë media dhe shoqëria civile, janë varësuar nga fondet e ndryshme që ndikohen nga çarqe që dot promovojnë zgjidhje absurde për Kosovën. Shqiptarët, me gjasë nuk mësojnë dot, se nuk i hahet buka e gjithkujt, e as nuk merret paraja e gjithkujt! Tash kjo bukë, e këto para, shumëkujt po ja mbyllin gojën dhe e detyrojnë ta ndërroj mendjen, nga  nacionalist ne internacionalist”, thotë analisti Duhanaj.

Ai thotë se nuk ka parti e as segment në këtë shoqëri, që nuk është e mbushur me këso internacionalistash.

“Tani, shumica janë në dijeni për shumë lëshime për të mos i quajtur tradhti që i kanë bërë çështjes shqiptare në ketë proces dhe, as nuk kanë guxim e kurajë të distancohen nga këto të bëma, për hir të kombit, por i qëndrojnë besnik kësaj qasje, duke u munduar ta mbulojnë marrën e tyre. Kosova, nëse nuk do ketë politikë të përgjegjshme, do të pësojë shumë në kuadër të këtij dialogu për fat të mirë kanë qenë parimet ndërkombëtare ato që i kanë ndaluar disa nisma edhe shqiptare të cilat do ta copëtonin ketë tokë. Kjo nuk do të thotë që rreziku ka kaluar sepse të huajt të mbrojnë dhe përkrahin kur t’i tregon vullnet të mirë në angazhimin për vendin e jo për agjenda private. Kosovën e shpëton vetëm uniteti dhe platforma e përbashkët e cila mbikëqyret nga Kuvendi”, thotë analisti politik, Leon Duhanaj.

Image
Blerim Burjani

Burjani: Thaçi nuk ka asnjë kompetencë ekzekutive

Ndërkaq, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani thotë se fillimisht Presidenti Thaçi nuk ka rol ekzekutiv për të udhëhequr dialogun. Ai thotë se Presidenti Thaçi deri më tani asnjë kompetencë nuk e ka ushtruar si duhet.

“Realisht nuk ka pengesa kushtetuese dhe ligjore, por realisht me interpretuar drejtë Kushtetutën ai nuk ka funksion ekzekutiv, është me post ceremonial dhe kompetenca që ka 30 prej tyre, deri më sot asnjë kompetencë nuk e ka ushtruar si duhet përveç shëtitjeve të vazhdueshme që ka bërë dhe promovim të vetës së vet me libër në dorë”, thotë analisti Burjani.

Ai thotë më tutje se, Thaçit po i duket vetja si mbret pa kurorë, andaj duhet domosdoshmërish që Kuvendi të formoj ekipin për dialog.

“Do të ishte e domosdoshme që Kuvendi të formojë ekipin për dialog e jo Thaçi që i duket vetja si mbret pa kurorë dhe me përplot dështime në politikë të jashtme”, thotë ai.

Burjani duke folur për Presidentin Thaçi thotë se Kosovën e ka trajtuar sikur të ishte fshati i tij Buroja, duke i shkaktuar edhe dëme të mëdha, si fusnota dhe marrëveshja krye në vete.

“Ky njeri ka bërë dëme të mëdha me fusnotë me marrëveshje shah në vete pa pyet kënd fare, qashtu sikur të ishte fshati i tij Burojë, e jo shtet i të gjithë qytetarëve”, thotë Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat