Profesori ndërkombëtar paralajmëron qëllimet e treshes Rama-Vuçiq-Thaçi

Politika

Profesori ndërkombëtar paralajmëron qëllimet e treshes Rama-Vuçiq-Thaçi

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 28 korrik 2018 Në ora: 21:15
Rama- Vuçiq- Thaçi

Dy takime në mes të Kosovës dhe Serbisë janë mbajtur në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa takimi tjetër do të mbahet në shtator.

Përderisa tashmë janë mbajtur takimet dhe do të mbahen, opozita vazhdon ta kundërshtojë qasjen e këtij dialogu.

Partitë opozitare, vazhdojnë ta kundërshtojnë rolin udhëheqës të presidentit Hashim Thaçi në procesin final të dialogut me Serbinë, ndërkaq në mesin e propozimeve të opozitës për zgjidhjen e dialogut ka qenë edhe propozimi për zgjedhje të reja.

Analisti politik dhe profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi, thotë se në procesin e dialogut ka humbur sensi i logjikës.

“Duket si paradoks fakti që opozita në Kosovë kundërshton Thaçin në ndërmarrjen e tij për t’u vetemëruar kryenegociator i bisedimeve Prishtinë-Beograd, e ndërkohë refuzon pjesëmarrjen e saj në këtë dialog. Por, strategjia e opozitës nuk ndërtohet thjesht në një skemë krejt logjike. Në procesin e këtij dialogu ka humbur sensi i logjikës. Bëhet fjalë për bisedime për ndarjen e territorit ose më së paku për krijimin e institucioneve të Beogradit në Kosovë. Në fakt ky është thelbi, përmbajtja e konfliktit”, deklaron Bytyçi.

Ai thotë se Thaçi ka krijuar e i ka thelluar problemet dhe konfliktet sa i përket këtij procesi.

Sipas tij, nëse Thaçi do t’i paraqiste parlamentit, pra opozitës, një platformë për dialog me kornizat dhe kufijtë e tij në vendimmarrje ajo nuk do ta kundërshtonte.

Image
Enver Bytyçi

“Nëse Thaçi si kryenegociator i këtij dialogu do të kishte dhënë një minimum rezultatesh, nuk kishte arsye të kontestohej. Nëse Thaçi do të paraqiste para parlamentit, pra edhe për opozitën, një platformë të dialogut, me kornizat dhe kufijtë e tij në vendimmarrje, nëse ai do merrte përsipër dialogun, duke dhënë garanci se vendimmarrjen do të duhej ta jepte parlamenti me konsensus opozitë- pozitë, atëherë opozita nuk ka të drejtë të kundërshtojë Thaçin si protagonist të këtij dialogu. Në fund të fundit ai është president i Republikës. Por është vetë Thaçi ai që i ka krijuar dhe madje i thellon problemet dhe konfliktet sa i përket këtij procesi. I thellon konfliktet në shumë forma, por njëra prej tyre bie në sy keqas, arroganca e tij! Në një vend normal arroganca e liderëve nuk është shprehje e demokracisë. Nëse mungon demokracia, atëherë bëhet politikë personale. Dhe kurajoja e zotit Thaçi në këtë lloj politike personale shkon deri te përqafimi i idesë së Beogradit e paradoskës për ndarjen e Kosovës?! Ky është paradoksi i vërtetë”, pohon Bytyçi.

Mospjesëmarrjen në dialog opozita mund ta motivonte me dëshirën e saj për ta refuzuar dialogun politik me Beogradin, thotë Bytyçi.

Prandaj, sipas tij, nëse opozita do ta refuzonte dialogun politik do të ishte për të gjitha vlerësimet.

“Nga ana tjetër opozita mundet që duke mos marrë pjesë në dialog të shpresojë në shtyrjen e tij. Do të ishte mirë që mospjesëmarrjen e saj në bisedime ta motivonte me dëshirën e saj për të refuzuar dialogun politik me Beogradin. Në fund të fundit ai filloi si dialog teknik. Rrenacakët që e imponuan këtë dialog si teknik dhe tani duan ta kurorëzojnë me fshirjen nga harta të shtetit e të territorit të Kosovës, këta rrenacakë duhen ndëshkuar. Nëse e bënë këtë opozita, meriton të gjitha vlerësimet. Por kam përshtypjen se opozita në Prishtinë me qëndrimin e saj për dialogun po teston qeverisjen. Ndoshta beson se në këtë mënyrë mund të çojë në krizë parlementare, pra në krisë qeveritare. Sa mund të arrijë, këtë nuk e them dot. Varet nga sjelljet dhe qëndrimet e partive që janë në qeveri e mazhorancë”, thekson Bytyçi.

Zgjidhja e çështjes së procesit të dialogut, sipas Bytyçit, është përcaktimi i një platforme të përbashkët opozitë- qeveri.

“Opozita dhe qeveria duhet të ulen, të bëhen bashkë, të përcaktojnë një platformë, ta miratojnë së bashku në parlament dhe të dakordohen edhe se kush do të ishte kryenegociator. Këtë proces nuk e pengon Haradinaj, por e pengon zoti Thaçi, sepse ky kërkon jo vetëm të jetë shefi i delegacionit në bisedime, por edhe të ketë mandat të pakufizuar në vendimmarrje, ndryshe nuk i realizon qëllimet e treshes Rama-Vuçiq-Thaçi!”, përfundon Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat