Kosova Lindore, një mashtrim i ri nga Thaçi

Politika

Kosova Lindore, një mashtrim i ri nga Thaçi

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 1 gusht 2018 Në ora: 21:51
Hashim Thaçi

Tri kuvendet komunale të Kosovës Lindore kanë bërë një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës kërkohet përfaqësimi i shqiptarëve të kësaj treve në bisedimet Kosovë - Serbi.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se kjo temë nuk është tabu, andaj ai shton se, askush nuk duhet të derdh lot krokodili e në anën tjetër e cenon vullnetin e tyre.

“Ne tani edhe jemi dëshmitarë, po ashtu, të institucionalizimit të kërkesës së liderëve të Luginës së Preshevës dhe vullnetit të qytetarëve atje për të respektuar plebishitin e vitit 1992 të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc për bashkëngjitje me Kosovën. Kjo temë dhe kjo kërkesë e tyre e shfaqur publikisht dhe e institucionalizuar në drejtim të Kosovës nuk është më tabu për mua. Prandaj, askush mos të derdhë lot krokodili për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe në anën tjetër e vonon, e frenon, e cenon vullnetin e tyre. Për këtë arsye ne po e zhvillojmë demokracinë, po zhvillojmë debat, po zhvillojmë ide të ndryshme, opinione të ndryshme, dhe përderisa diçka e tillë mund të jetë në interes të forcimit të shtetit të Kosovës, e ritheksoj për mua nuk paraqet ndonjë temë tabu”, ka thënë Thaçi.

Tahiri mbështetë Thaçin

Këtë deklaratë të Thaçit e ka mbështetur edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili thotë se, nuk ka ndarje të Kosovës, dhe se presidenti, u zotua se kërkesat legjitime politike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës do t’i shtroj si temë të veçantë në kuadër të dialogut në Bruksel.

Sipas tij, kjo është hera e parë, që në mënyrë serioze Kosova ka vendosur të përkrah vullnetin politik të shqiptarëve të Luginës.

“Ky veprim institucional dhe shtetëror i Presidentit të vendit, është rrjedhojë e vizionit dhe guximit që ka ai, për të mbrojtur interesin shtetëror por edhe të shqiptarëve të Luginës. Në rast se korrigjimi i kufijve nënkupton bashkëngjitjen e Luginës dhe shqiptarëve që jetojnë atje, atëherë askush nuk guxon të dal kundër këtij vullnetit politik të shprehur në mënyrë demokratike. Prandaj, klasa politike e bashkuar duhet të mbështes Presidentin e vendit i cili ka vendosur që të bëjë gjithçka për të korrigjuar padrejtësitë historike që iu janë bërë shqiptarëve të Luginës”, ka shkruar Tahiri.

Se çfarë do të diskutohet konkretisht në dialogun me Serbinë për çështjen e Kosovës Lindore, presidenca e Kosovës, nuk ka dashur të jap shpjegime.

Nuk është hera e parë që Presidenca, nuk i përgjigjet pyetjeve të gazetës “Bota sot”.

Millaku: Thaçi është demaskuar në qëllimet dhe objektivat personale

Image
Drita Millaku

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku thotë se, së pari duhet të sqarohet pozicioni i presidentit Hashim Thaçi, pasi është demaskuar nga qëllimet personale, ndërsa sa i përket shkëmbimit të territoreve, Kosova do të jetë humbëse e pakontestueshme.

“Fillimisht të sqarojmë pozicionin e Hashim Thaçit, i cili është demaskuar në qëllimet dhe objektivat personale. Në rast të shkëmbimit të territoreve në aspektin e gjithmbarshëm kombëtarë shqiptarët janë humbës të pakontestueshëm dhe nuk ka asnjë element që do të ishte pozitiv në këtë drejtim, pasi që shqiptarët do të përshëndeteshin njëherë e mirë me tokat e marra nga sllavët. Do të krijohet një precedan i keq i ndërrimit të kufijve që do të ishte burim i konflikteve të reja e të vjetra”, thotë Millaku për gazetën “Bota sot”.

Analisti politik, Haki Abazi, thotë se, shkëmbimi i territoreve është ide e Dacit dhe Koshtunices për të krijuar Serbinë e madhe.

Image
Haki Abazi

“Ideja e shkëmbimit të territoreve është e Nexhat Dacit dhe Vojislav Koshtunicës, dhe arsye e vetme është që të realizohet qëllimi i Serbisë për Serbinë e madhe, duke krijuar një precedan dhe për të vënë kontrollin efektiv dhe subordinimi i shteteve dhe ekonomisë rajonale”, thotë Abazi për gazetën “Bota sot”.

Abazi: Lugina është duke u mashtruar

Sa i përket presedanit të ndryshimit të kufijve, Abazi thotë se kjo ka të bëjë me Republikën Serbe dhe shkatërrimin e Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe legjitimin e entitetit politik me të drejtë ndarje, si pjesë përbërëse e Serbisë e që është krijuar nëpërmjet gjenocidit.

“Presedani tjetër është që të krijohet situatë e hartave etnike në Ballkan, por që shqiptarëve të mos ju lejohet një gjë e tillë nën nocionin se një shtet i gjithë shqiptarëve është rrezik për Ballkanin”, shprehet ai.

Sa i përket deklaratave të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahirit, Abazi pohon se, ky është familjar i presidentit Hashim Thaçi dhe këtu nis e përfundon rëndësia e tij në aspektin politik.

“Lugina është duke u mashtruar dhe qasja ndaj Kosovës Lindore është tentimi i Hashim Thaçit për të gjetur një “lëkurë dashi” për tu mbuluar. Ai po fshihet pas Luginës dhe teorive të pavërteta për të tejkaluar momentin dhe kinse po i vë opozitën në lajthitje se kinse ata nuk po duan një gjë të tillë. Kjo është sëmundje që vjen si pasojë e analfabetizmit dhe panjohurisë dhe paranojës për rrezikun që po i kanoset”, përfundon Haki Abazi.

Tahiri: Ka plane aktive që Komuna e Bujanocit të ndahet në dy pjesë

Image
Mentor Tahiri

Ndërsa, politologu Mentor Tahiri thekson se, me deklarata konfuze dhe të paqarta të cilat po lansohen në opinion, aktualisht po bëhet një lloj testimi i opinionit, si dhe gradualisht po krijohet një ambient politik, në të cilin më opinioni nuk do të çuditet çfarëdo që t’i serohet.

“Çështja e kufijve, respektivisht ndryshimi i tyre, sot mund të jetë produktiv vetëm për Serbinë, për shkak se ky shtet ka aspiratat e tij në drejtim të Bosnjë-Hercegovinës. Një ndryshim i mundshëm i kufijve të Kosovës, do të krijonte bazën politike për domino efekte të mëtutjeshme dhe do të zhbllokonte një proces të cilin komuniteti ndërkombëtar më parë e ka ndaluar. Sigurisht se pala kosovare ka arsyet e saj për këto tema, pa qenë e vetëdijshme për favoret strategjike, të cilat me këtë i bëhen Serbisë, thotë Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, natyrshëm është prezent shqetësimi për fatin e shqiptarëve në tre komunat e banuara me shqiptarë, të cilat gjenden në kuadër të kufijve të Serbisë.

“Por gjeografia politike në këto tre komuna nuk është e tillë sa të mund të flasim thjeshtë për shkëmbim të territoreve me veriun. Vështirë të mendohet se Serbia është në gjendje të bëj shkëmbime me territore strategjikisht të rëndësishme sikurse ato nëpër të cilat kalon infrastruktura e komunikacionit e cila lidhë Beogradin me Selanikun. Në këtë drejtim, ka plane aktive që Komuna e Bujanocit të ndahet në dy pjesë, me ç’rast qyteti do të mbetej jashtë Komunës me shumicë shqiptare”, thekson ai.

“Përveç shqetësimit për shqiptarët në Preshevë-Bujanoc-Medvegjë, megjithatë duhet pranuar se vërehen edhe tendenca perfide të disa qarqeve që me anë të “lojërave” rreth çështjes së kufijve, të shpalosin gradualisht edhe idenë për shuarjen e Shtetit të Kosovës. Duket qartë se një pjesë e skenës politike nuk është aspak e vetëdijshme lidhur me këto synime”, potencon politologu Mentor Tahiri.

Hasani: Diplomacia ka dështuar

Image
Safet Hasani

Historiani Safet Hasani e ka komentuar idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai për gazetën “Bota sot”, thotë se, çdo herë populli shqiptar në tryeza diplomatike ka dështuar, s'ka arritur kurrë ta mbroj vendin, popullin dhe interesat kundër armiqve serb-sllav dhe atij grek, por edhe duke treguar jo profesionalizëm politik para faktorit ndërkombëtar.

“Shqiptarët kanë pas mundësi dhe arsye të tregohen shumë të suksesshëm në marrëveshjet në Bruksel po që se aty do të kërkoheshin të ri-trajtoheshin marrëveshjet e mëparshme të shekullit të kaluar, ku si pasoj e atyre marrëveshjeve trojet shqiptare janë të ndara anekënd Ballkanit. Pastaj, "diplomatet" shqiptar nga Kosova që në fillim kanë dështuar, sepse, në vend që për hyrje në bisedime fillimisht kushtet ndaj Serbisë të ishin; njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia, pranimi i fajësisë që ka bërë Serbia në Kosovë, dhe të paguhen tërë dëmet që i shkaktuan popullit dhe Kosovës”, shprehet Hasani.

Historiani thotë se, fatkeqësisht diplomatët shqiptar në bisedime më shumë mund t'i quajmë vizitor në Bruksel se sa diplomatë!

“Serbia çdo herë ka insistuar veriun e vendit, gjersa institucionet e Kosovës kanë heshtur dhe s'kanë arritur te krijojnë klimë për ruajtjen demografike atje! Në vend t'iu afronin kushte shqiptarëve të qëndrojnë në shtëpitë e tyre ata i harruan ata dhe i privilegjonin serbët të ktheheshin nga Serbia edhe ata që s'kanë qenë asnjëherë banor të Kosovës. Serbia prapë do të dalë fitimtar në bisedime, sepse Kosova nuk përfaqësohet nga dijetarët dhe shkencëtarët, por nga politikanët të cilët bëjnë çdo marrëveshje që është e pranueshme për ndërkombëtaret”, përfundon historiani Safet Hasani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat