Nepotizmi, “sëmundje” e pashërueshme e pushtetarëve

Politika

Nepotizmi, “sëmundje” e pashërueshme e pushtetarëve

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 8 gusht 2018 Në ora: 14:53
Foto ilustrim

“Nepotizmi, zhvatja, pasurimi pa bazë janë tre elemente që dëshmojnë se në cilën shkallë ndodhet shteti i Kosovës, kur të i shtohet korrupsioni atëherë tregohet se shteti është i kapur nga një klasë feudale politike. Pra shteti është i kapur dhe i sunduar nga njerëzit me probleme elementare të edukimit institucional”, potencon analisti Blerim Burjani.

Një ndër sfidat më të mëdha që nga paslufta e deri më sot është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit por edhe luftimit të nepotizmit.

Nepotizmi në institucionet e Republikës së Kosovës s’ka të ndalur. Një gjë e tillë ka ndodhur që nga paslufta dhe është duke vazhduar me “hovin” e vjetër. Nuk ka institucion qendror apo lokal në të cilën nuk është shfaqur nepotizmi.

Madje ka pasur shpeshherë argumente të sakta me emër e mbiemër, duke treguar kështu edhe lidhjen familjare të personave në fjale, mirëpo nuk është marrë parasysh nga askush, e lëre më nga institucionet e drejtësisë, të cilat vetëm emrin e kanë “të drejtësisë”!

Dihet mirë që, secila qeverisje që ka ardhur në pushtet së pari ka filluar punësimin e familjarëve dhe farefisit, pastaj militantët partiak e radha për qytetarët e Kosovës nuk po vjen kurrë.

Kosova, arenë e shtet shkatërrimit!

Kosova duket se është arenë ku lulëzojnë elementet negative të shtet-shkatërrimit si kriminalitet, hajnia, nepotizmi, pasurimi marramendës i klasës më të ndyrë politik në pushtet, korrupsioni e çka jo tjetër.

Të gjitha këto elemente negative, dhe shumë të tjera shkatërruan çdo vlerë mbi të cilën do ndërtoheshin dhe punonin institucionet vitale të shtetit. Ato tashmë janë jofunksionale dhe punojnë vetëm në diktatin e kriminelëve pushtetarë që kanë uzurpuar ç'do pjesë të tyre!

Kjo është e dukshme edhe me nivelin e punësimit në Kosovë.

Derisa shumica e qytetarëve janë të papunë, pushtetarët punësojnë në kabinete qeveritare dhe gjetiu djemtë e tyre, nipat e mbesat, farefisin dhe militantët.

Në shumë raste mbesin qytetarët me diploma të papunë, e vendin e tyre ia zënë me nepotizëm, familjarët e pushtetarëve.

E raste të tilla ka ma qindra sosh. Së fundmi pas emërimit të djalit të Fatmir Limajt, Durim Limaj, shef i kabinetit të Ministrit të Tregtisë Bajram Hasani, ky i fundit ka vazhduar punësimin e familjarëve të bashkë partiakëve të tjerë në këtë ministri.

Kësaj radhe është punësuar nipi i ish deputetit të Nismës për Kosovë, aktualisht kryetar i këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi.

Image
Blerim Burjani

Shteti është i kapur nga një klasë feudale politike

Për çështjen e nepotizmit njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani, thotë se, kjo po ndodh në vazhdimësi me vite, pa marr parasysh se cila parti po arrin në pushet.

Ai thotë se Kosova është shtet i partiakëve, farefisit dhe i familjarëve.

“Gjendja sociale është e rëndë, 12% jetojnë në varfëri ekstreme, përderisa një numër i madh i personave me nevoja të veçanta mbetet i diskriminuar si dhe shumica e qytetarëve në nevojë. Më së lehti punësimi bëhet në politikë duke falë poste si dhe në universitete publike, shërbim civil pa kritere pa asgjë”, thotë Burjani për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, është për të ardhur keq se në çfarë rrethana mbijetojnë qytetarët e Kosovës.

“Nepotizmi, zhvatja, pasurimi pa bazë janë tre elemente që dëshmojnë se në cilën shkallë ndodhet shteti i Kosovës, kur të i shtohet korrupsioni atëherë tregohet se shteti është i kapur nga një klasë feudale politike. Pra shteti është i kapur dhe i sunduar nga njerëzit me probleme elementare të edukimit institucional”, potencon Burjani, i cili shton se, kjo tregon se duhet të ketë ndryshime në qeverisje dhe se, shteti ka nevojë për një klasë të re politike.

Image
Leon Duhanaj

Politikanët, si u bënë milionerë?

Kurse, analisti i çështjeve politike Leon Duhanaj, thotë se, njëra ndër sfidat me të mëdha në politikën e brendshme të Kosovës, pa dyshim që është luftimi i nepotizmit. 

Për fat të keq, sipas tij, kjo dukuri e shëmtuar, jo vetëm që s'luftohet fare, por është në lulëzim!

“Vërtetë nuk ka shkencë të njohur që mund ta definoi ketë çfarë po i ndodhë Kosovës”, thotë Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

“Se si ka mundësi që vetëm njerëz të afërt të skenës politike përkatësisht qeveritare pa përjashtim, të jenë me të aftë se të tjerët, qoftë për t'i fituar konkurset për punë në institucione, qoftë në institucionet tjera publike si bordet e organizatave, qoftë RTK, Postë, KEK, etj etj... Pos kësaj, po të njëjtit, u dëshmuan me të aftë edhe në sferën e biznesit privat. Pothuaj të gjithë u bënë milioner. Këtu patjetër, shtrohet pyetja; a janë të tillët pjesëtarë të komunitetit të përgjithshëm, apo janë jashtëtokësorë?”, potencon ai.

Duhanaj thotë se, është vërtetë për keqardhje se në ç'gjendje të mjerë e kanë sjellë vendin kjo kastë uzurpatore politike.

“Nuk e di cili ka qenë dhe mbetet të jetë ideali i tyre. Por, një e di, që mirëqenia dhe e mira e përgjithshme shtetërore, qytetare dhe kombëtare, nuk ka qenë dhe nuk është assesi”, shprehet ai.

Sipas tij, kjo klasë nuk la gjë pa keqpërdorur në ketë vend, nuk lanë pronë pa e tjetërsuar, nuk lanë aset pa e keqpërdorë për interesa të klaneve partive dhe personale.

“Me e turpshmja është që përpos gjithë kësaj marrëzie, vazhdojnë të shitën si shpëtimtarë, të moralshëm, përderisa patriotizmin kombëtarë e trajtojnë si diçka personale pronë private”, përfundon analisti Leon Duhanaj.

Image
Ali Hertica

Ata që udhëheqin drejtësisë janë shkelësit më të mëdhenj të shtetit

Ndërsa, analisti politik Ali Hertica, pohon se, sëmundjet që kanë kapluar shtetin e Kosovës, nuk do të kenë shërim fare, edhe nga ata që janë shëruesit, që sipas tij, janë mjekët dhe drejtësia.

“Çmendurinë nuk po mundet ta shëron mjeku i Kosovës, ndërsa nepotizmin drejtësia, sepse vet ata që janë në dikasterin që udhëheqin drejtësisë janë shkelësit më të mëdhenj të shtetit dhe ku mund të pres shoqëria diçka pozitive. Të gjithë fytyrat publike të të gjitha instancave të shtetit janë duke u marrë me këtë çmenduri të nepotizmit që e kanë infektuar të gjithë shoqërinë e Kosovës. E gjithë kjo po ndikon shumë keq në zhvillimin e shtetit, sepse me nepotizëm nuk zhvillohet shteti. Shtetit i duhen figura të ndritura dhe intelektuale, ndërsa nepotizmi nuk sjell figura intelektuale, por vetëm familjare, ditën apo nuk ditën ata duhet të punësohen dhe të ruaj ministrin apo drejtorin”, thotë Hertica për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat