Shkëmbimi i kufijve, Tahiri tregon si mund të ndodhë ndarja e Kosovës, shkëmbimi dhe korrigjimi i kufijve

Politika

Shkëmbimi i kufijve, Tahiri tregon si mund të ndodhë ndarja e Kosovës, shkëmbimi dhe korrigjimi i kufijve

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 8 gusht 2018 Në ora: 23:55
Ramush Tahiri

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në një konferencë për media i ka bërë thirrje shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, që të udhëheqë dialogun me Serbinë.

“Jam i gatshëm që zotëri Hoti ta udhëheq bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Krejt potencialet tona do të jetë të Hotit si kryenegociator presidenca dhe shumica e partive politike. Ne do të jemi në mbështetje të tij”, ka deklaruar Thaçi në konferencën për media.

Duke komentuar këtë, politologu Ramush Tahiri në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se presidenti ka kompetenca kushtetuese dhe ligjore për një varg çështjesh.

“Hashim Thaçi është President i Republikës së Kosovës dhe si i tillë i ka kompetencat e plota kushtetuese dhe ligjore për një varg çështjesh. Zyrtarisht e shpjeguar nga ana formale e juridike nuk ka ende bisedime ndërmjet Republikës së Serbisë dhe Republikës së Kosovës si dy shtete sovrane e të pavarura. Në Bruksel tash e disa vjet po zhvillohen biseda me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ndërmjet shtetit të Serbisë dhe përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës. Presidenti i Serbisë publikisht e thotë se asgjë nuk po ju beson shqiptarëve sepse ata janë gënjeshtarë dhe nuk i përmbahen asnjë parimi dhe nuk po e zbatojnë asnjë marrëveshje për të cilën më herët janë pajtuar”, është shprehur ai.

Tahiri thotë se Serbia e ka Kosovën me kushtetutë pjesë integrale të saj si krahinë jugore të veten, atëherë u desh që Kosova të vendoste fusnotën.

“Duke qenë fakt se Serbia e ka Kosovën edhe me kushtetutën e saj pjesë integrale të shtetit si krahinën jugore të Serbisë, dhe duke e vënë si kusht për vazhdimin e bisedimeve mospranimin e statusit të zgjidhur të Kosovës, atëherë tejkalimi i kësaj pengese thelbësore u bë duke pranuar që Kosova pranë emrit të saj ta vë asteriksin dhe në fusnotë shpjegimin se çështjes e statusit ndër të tjera i referohet Rezolutës së KS të OKB të 10 qershorit 1999 me të cilën Kosova është nën administrim ndërkombëtar’, ka deklaruar Ramush Tahiri.

Ai thotë se në Bruksel të gjitha marrëveshjet janë teknike dhe flitet edhe për Ujmanin, postën e telekomunikacionin, për elektroekonominë.

“Në Bruksel zhvillohen dhe bëhen marrëveshje teknike...të gjitha deri më tash për çështje të brendshme të Kosovës në të cilat Serbia ka rol vendimtar dhe edhe kushtëzues. Edhe për librat e kadastrës të marra nga Kosova e të dërguara në Serbi, për Librat e Amëzës e për shumë të tjera si janë edhe arkefaktet...që me ligje ndërkombëtare konsiderohen si plaçkë lufte dhe kthehen detyrimisht, delegacioni i Kosovës ka bërë marrëveshje që të mos kthehen origjinale (?!!). Asetet dhe pasuria e Kosovës në disa komuna administrohet nga shteti i Serbisë. Delegacioni i Kosovës bisedon për postën e telekomunikacionin, për elektroekonominë, për stacionin e Vallaqit, për Ujmanin...”, ka shpjeguar Tahiri për “Bota sot”.

Sipas tij, në Bruksel nuk vihet në tavolinë asnjë çështje për të cilën nuk pajtohet Serbia

“Delegacioni i Kosovës ka bërë marrëveshje që qytetarët nuk janë të obliguar që tabelat e automjeteve t’i kenë me shenjën RKS, sepse kjo simbolizon Republikën dhe shtetin. Qytetarët janë të obliguar që t’i heqin tabelat e automjeteve kur e kalojnë kufirin dhe t’i paguajnë tabelat e përkohshme...Bisedimet në Bruksel janë teknike dhe nuk vihet në tavolinë asnjë çështje me të cilën nuk pajtohet Serbia. Kosova nuk ka asnjë qasje në faktin se si e sa po zbatohen këto marrëveshje në Serbi. Kosova nuk ka asnjë mundësi të mbrojtjes së qytetarëve të saj kur kalojnë në Serbi...Kosova nuk ka asnjë mundësi Reciprociteti me Serbinë”, ka theksuar ai.

Politologu thotë se Kuvendi nuk nxjerr asnjë dokument apo platformë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, ndërsa për ofertën e Thaçit drejtuar Hotit, Tahiri thotë se Thaçi është treguar gjeneroz por që nuk i është drejtuar me shkresë Kuvendit që duhet të vendos për këtë çështje.

“Kuvendi i Kosovës e ka autorizuar Qeverinë e Kosovës për të udhëhequr bisedimet teknike me Serbinë. Kuvendi i Kosovës nuk ka nxjerrë asnjë dokument për bisedimet politike me Serbinë e as ndonjë platformë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë. Hashim Thaçi është gjeneroz që i propozon shefit të GP të LDK të udhëheqë bisedimet por ai si President nuk i është drejtuar me një shkresë Kuvendit të Kosovës. Kuvendi është organi që me dy të tretat e votave vendose për këtë çështje”, ka vlerësuar Ramush Tahiri.

Ai shpjegon dhe korrigjim, ndarjen dhe shkëmbimin e territorit, për çka thotë se janë ngatërruar.

“Ne opinion gabimisht dhe ne pështjellim të qëllimshëm po përdoret terminologjia juridiko politike. E ndiej të nevojshme të shpjegoj dallimet ndërmjet korrigjimit të kufirit, ndarjes territoriale dhe shkëmbimit të territoreve. Korrigjim të kufirit mund të bëhet në njërën anë, pra veç për Kosovën ose vetëm për Serbinë, apo në të dy anët pra edhe në Kosovë edhe në Serbi pa marrë parasysh sa është thellësia e korrigjimit, disa metra apo disa kilometra. Ndarja e territorit e ka brenda korrigjimin e kufirit dhe mund të bëhet vetëm në njërën anë. Pra vetëm ndarja e Kosovës ose vetëm ndarja e Serbisë. Këmbimi i territoreve përfshin të dyja palët, pra të dyja shtetet detyrimisht pa marrë parasysh se sa territor shkëmbehet, më shumë apo më pak apo barabar”, ka shpjeguar ai.

Ai thotë se kjo mund të bëhet vetëm nëse të dyja shtetet e kanë njohur njëra tjetrën dhe të kenë marrëdhënie diplomatike.

“Kjo mund të bëhet vetëm pasi shteti të ketë territor të pranuar ndërkombëtarisht. Pasi të dyja shtete pra Kosova dhe Serbia ta kenë njohur njëra tjetrën dhe të kenë marrëdhënie diplomatike. Të gjitha këto çështje bëhen me marrëveshje të vullnetshme dhe duhet të kenë garanci ndërkombëtare dhe komision të përbashkët ndërshtetëror për mbikëqyrje dhe zbatim”, ka përfunduar Ramush Tahiri për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat