Deklaratat e Thaçit lëkundin themelet e shtetësisë së Kosovës

Politika

Deklaratat e Thaçit lëkundin themelet e shtetësisë së Kosovës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 13 gusht 2018 Në ora: 08:09
Kushtetuta e Kosovës

Këmbëngulja e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për korrigjim të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, si marrëveshje finale në fazën përfundimtare të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë po konsiderohet si pamatur dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me mandatin kushtetues të Presidentit.

Është partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ajo e cila po vlerëson se është e domosdoshme që lidhur me këtë të kërkojë edhe opinionin e Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se është i hapur për mundësinë e korrigjimit të kufijve me Serbinë, por jo dhe ndarjen e Kosovës. Ai ka thënë, se në dialogun politik në Bruksel, do të flasë edhe për mundësinë e bashkimit me Kosovën, të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.

Opozita është e mendimit se veprimet e fundit të Presidentit Hashim Thaçi do të duhej të cilësoheshin nga Gjykata si shkelje të rënda të Kushtetutës.

Njohësi i çështjeve juridike-kushtetuese, vlerëson se Thaçi mund të shkarkohet nga Kuvendi për politikë të dëmshme, mirëpo, tani për tani ka thënë se ky institucion nuk i ka numrat ta bëjë një gjë të tillë.

Ndërsa, për avokatin Tomë Gashi, nuk është i rastësishëm dekretimi i gjyqtarit Radomir Laban, për të cilin thuhet se është në listën e Interpolit dhe është i dënuar me 6 vite burg në Serbi.

LDK kërkon opinionin e Gjykatës Kushtetuese

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate ka deklaruar se po ndjek me shumë kujdes debatin dhe qëndrimet lidhur me fazën finale të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Subjekti më i madh opozitarë beson se çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut.

Kjo parti e thekson se ditëve të fundit, sidomos nga ana e Presidentit të vendit, janë bërë deklarata të pamatura, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me mandatin kushtetues të Presidentit, prandaj, kjo parti e konsideron se është e domosdoshme që lidhur me këtë të kërkojë opinionin e Gjykatës Kushtetuese.

Sejdiu: Veprimet e fundit të Presidentit do të duhej të cilësoheshin si shkelje të rënda

Image
Korab Sejdiu

Deputeti i pavarur nga radhët e opozitës, Korab Sejdiu, vlerëson se për ta adresuar çështjen e shkarkimit të Thaçit duhen dyzet ose më shumë deputetë që të dorëzojnë peticion në Gjykatë Kushtetuese.

“Neni 91 i Kushtetutës adreson çështjen e shkarkimit të Presidentit, dhe natyrisht, kjo e drejtë e shkarkimit të Presidentit i jepet Kuvendit me votë prej 2/3 e deputetëve.  Mirëpo, një veprim i tillë është i mundur vetëm nëse dyzet ose më shumë deputetë dorëzojnë peticion për shkarkim në Gjykatë Kushtetuese dhe vetëm pasi Gjykata Kushtetuese vlerëson se Presidenti ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës”, ka thënë deputeti Sejdiu për gazetën “Bota sot”. 

Tutje, ai shtonë duke thënë se, veprimet e fundit të Presidentit do të duhej të cilësoheshin nga Gjykata si shkelje të rënda të Kushtetutës, veçanërisht, sipas tij, nëse zbulohet se Hashim Thaçi ka marrë përsipër obligime për Kosovën që tejkalojnë kompetencat dhe kufijtë kushtetues.

“Sa i përket shkeljes së rëndë, duhet theksuar se në të kaluarën Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar si shkelje të rëndë apo serioze edhe veprime relativisht të lehta, prandaj nëse vijohet në atë trend, veprimet e fundit të Presidentit do të duhej të cilësoheshin nga Gjykata si shkelje të rënda të Kushtetutës – pra fjala është për dialogim pa mandat, veçanërisht nëse zbulohet se ai veç ka marrë përsipër obligime për Kosovën që tejkalojnë kompetencat e tij dhe kufijtë kushtetues.  Por, përveç trendëve të vendimmarrjes kushtetuese, duhet pasur parasysh edhe mundësinë e ndërhyrjeve politike tek gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, që historia e këtij institucioni na tregon se nuk kanë munguar fare në të kaluarën.  Në anën tjetër, shkarkimi në Kuvend do të ishte problematik për arsye të konstolacioneve aktuale politike në Kuvend të cilat nuk besoj se do të lejonin akumulimin e votave të 2/3 të deputetëve, të cilat janë të nevojshme për shkarkim”, përfundoi deputeti i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, për gazetën “Bota sot”.  

Tomë Gashi: Deklaratat e Thaçit mund të lëkundin themelet e shtetësisë

Avokati i njohur, Tomë Gashi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, duke i komentuar konferencat e shpeshta nga i pari i vendit, ka thënë se deklaratat për shkëmbim territoresh janë shumë të dëmshme për shtetin e Kosovës, sa që, siç thotë avokati, mund të lëkundin edhe themelet e shtetësisë së Kosovës.

Image
Tomë Gashi

“Unë mendoj se presidenti Hashim Thaçi ka një lloj sikleti të vogël me këto konferenca për shtyp thuaja çdo ditë. Ai po e ndjen një lloj rreziku të shkeljeve kushtetuese që është duke i bërë me deklarata për territorin e Kosovës. Dhe mendoj se iniciativa e tij nuk është e vullnetshme, por e imponuar nga rrethanat që vetëm ai i din më së miri, dhe këto deklarata janë shumë të dëmshme për shtetin e Kosovës, sa që mund të lëkundin themelet e shtetësisë së Kosovës, për arsye se Kosova është shpallur shtet në kufijt dhe territorin të cilin e kanë njohur 115 shtete dhe Kosova rrezikon shumë që këto njohje të tërhiqen nëse bëhet lojë apo pazare me kufijtë shtetëror”, ka thënë Gashi.

Gashi mendon se nuk është i rastësishëm dekretimi i gjyqtarit Radomir Laban, ku ky i fundit është në listën e Interpolit dhe është i dënuar me 6 vite burg në Serbi.

“Si çdo shtet tjetër edhe Kosova është njohur si shtet i pavarur në tersinë e saj territoriale dhe pa këtë tersi territoriale atëherë njohjet mund të zbehën dhe të tërhiqen, sepse shtetet nuk kanë kuptim dhe nuk kanë subjektivitet shtetëror nëse nuk kanë territor të përcaktuar dhe të qëndrueshëm, dhe mendoj se nuk është i rastësishëm dekretimi i gjyqtarit Radomir Laban, për të cilin thuhet se është në listën e Interpolit dhe është i dënuar me 6 vite burg në Serbi. Ai do të duhej të arrestohej me fletë-arrest ndërkombëtar e jo të dekretohet si gjyqtar. Por, presidenti Thaçi e dinë më së miri se pse e ka dekretuar”, përfundoi avokati Tomë Gashi për gazetën “Bota sot”.

“Thaçi mund të shkarkohet nga Kuvendi”

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike-kushtetuese, Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se, shkelje të Kushtetues mund të përbejë vetëm veprimi me marrëveshje antikushtetuese.

Ai konsideron se presidenti mund të shkarkohet nga Kuvendi, por, sipas tij, ky institucion nuk i ka numrat ta rrëzojë atë.

“Deklaratat janë shprehje e mendimit në suaza që ia mundëson kushtetuta secilit qytetar apo edhe presidentit. Shkelje të Kushtetues mund të përbejë vetëm veprimi me marrëveshje antikushtetuese. Fusnota ishte e tillë që kishte përberë shkelje dhe kishte dal marrëveshje ndërkombëtare që kishte prioritet mbi ligjet e Kosovës”.

“Presidenti mund të shkarkohet nga Kuvendi për politikë të gabuar apo edhe të dëmshme, ky institucion nuk ka numra ta rrezojë presidentin. Hashim Thaçi nuk bindet se demokracia dhe vendimi nuk vije nga ai, por nga institucionet legjitime të popullit”, është shprehur Burjani.

Në fund, njohësi i çështjeve juridike-kushtetuese, vlerëson se qytetarët e kanë në dorë këtë çështje dhe të gjitha tjerat, prandaj, siç thotë ai, në Kosovë duhet të ndryshohet mendësia politike.

“Problemi thelbësor mbetet te gatishmëria qytetare të votojë ndryshe, qytetarët e kanë në dorë këtë çështje dhe të gjitha tjerat, këtu duhet të ndryshohet mendësia politike, pa ndryshim të  mentalitetit politik, s’ka gjë, pra ka sundim anarkik”, përfundoi Burjani për gazetën “Bota sot”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat