Shkëmbimi i territoreve: Zbulohet edhe një plan për ndarjen e Bujanocit në dy pjesë

Politika

Shkëmbimi i territoreve: Zbulohet edhe një plan për ndarjen e Bujanocit në dy pjesë

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 13 gusht 2018 Në ora: 09:30
Foto ilustrim

Ideja për shkëmbimin e territoreve me Serbinë, nuk është mirëpritur nga asnjë politikan në Kosovë por as nga shtetet mike të Kosovës, të cilët kanë thënë se ndarja e territoreve do të sjelltë destabilizim në Ballkan.

Komunat shqiptare të Kosovës Lindore kanë bërë një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës kërkohet përfaqësimi i shqiptarëve të kësaj treve në bisedimet Kosovë - Serbi.

E për këtë presidenti Hashim Thaçi ka thënë se është duke punuar që të bëjë një referendum dhe të vendosin qytetarët.

Me deklarata konfuze dhe të paqarta të cilat po lansohen në opinion, aktualisht po bëhet një lloj testimi i opinionit, si dhe gradualisht po krijohet një ambient politik, në të cilin më opinioni nuk do të çuditet çfarëdo që t’i serohet. Kështu thotë politologu Mentor Tahiri, i cili shton se ndryshimi i kufijve do ti bëjë favore Serbisë.

Image
Mentor Tahiri

“Çështja e kufijve, respektivisht ndryshimi i tyre, sot mund të jetë produktiv vetëm për Serbinë, për shkak se ky shtet ka aspiratat e tij në drejtim të Bosnjë-Hercegovinës. Një ndryshim i mundshëm i kufijve të Kosovës, do të krijonte bazën politike për domino efekte të mëtutjeshme dhe do të zhbllokonte një proces të cilin komuniteti ndërkombëtar më parë e ka ndaluar. Sigurisht se pala e Kosovës ka arsyet e saj për këto tema, pa qenë e vetëdijshme për favoret strategjike, të cilat me këtë i bëhen Serbisë, thotë Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, natyrshëm është prezent shqetësimi për fatin e shqiptarëve në tre komunat e banuara me shqiptarë, të cilat gjenden në kuadër të kufijve të Serbisë.

“Por gjeografia politike në këto tre komuna nuk është e tillë sa të mund të flasim thjeshtë për shkëmbim të territoreve me veriun. Vështirë të mendohet se Serbia është në gjendje të bëj shkëmbime me territore strategjikisht të rëndësishme sikurse ato nëpër të cilat kalon infrastruktura e komunikacionit e cila lidhë Beogradin me Selanikun. Në këtë drejtim, ka plane aktive që Komuna e Bujanocit të ndahet në dy pjesë, me ç’rast qyteti do të mbetej jashtë Komunës me shumicë shqiptare”, thekson ai.

“Përveç shqetësimit për shqiptarët në Preshevë-Bujanoc-Medvegjë, megjithatë duhet pranuar se vërehen edhe tendenca perfide të disa qarqeve që me anë të “lojërave” rreth çështjes së kufijve, të shpalosin gradualisht edhe idenë për shuarjen e Shtetit të Kosovës. Duket qartë se një pjesë e skenës politike nuk është aspak e vetëdijshme lidhur me këto synime”, potencon politologu Mentor Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat