Selmanaj: Thaçi ka hyrë në aventura të rrezikshme, pjesë e agjendave të Serbisë

Politika

Selmanaj: Thaçi ka hyrë në aventura të rrezikshme, pjesë e agjendave të Serbisë

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 15 gusht 2018 Në ora: 15:31
Foto ilustrim "Bota sot"

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se deklaratat e presidentit Hashim Thaçi janë tërësisht të pamatura, të papërgjegjshme dhe të rrezikshme për vendin.

Sipas tij, idetë e tilla që tashmë po i proklamon edhe presidenti i vendit pothuajse që 1 shekull sillen në Serbi dhe Beograd.

“Deklaratat e Thaçit janë tërësisht të pamatura, tërësisht të papërgjegjshme dhe mendoj se presidenti Thaçi ka hyrë në aventura të rrezikshme për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës. Është e qartë se Thaçi nuk është pjesë e agjendës shtetërore, nuk është pjesë e agjendës për të konsoliduar shtetin e Kosovës dhe them fuqizu, por është në agjendë të dikujt tjetër, e që për fatin e keq, idetë e tilla që tashmë po i proklamon edhe Thaçi ka pothuajse një shekull që sillen në Serbi dhe Beograd dhe me ardh situata kur presidenti i vendit pothuajse bëhet pjesë e agjendave të tilla kjo mendoj se flet për aventurën e rrezikshme që ky person e ka futur këtë proces të dialogut në një situatë krejtësisht them shumë komplekse dhe me pasoja të mëdha për vendin”, ka thënë deputeti i LDK-së për “Bota sot”.

Tutje, deputeti i LDK-së ka thënë se ajo çka është pozitive në këtë proces, është dalja e miqve ndërkombëtarë kundër kësaj ideje, për të cilën Selmanaj thekson se regjinë e ka dikush jashtë Kosovës.

“Ajo çka është pozitive tashmë që deklaratat e boshtit ndërkombëtar qoftë të kancelares Angela Merkel, por edhe të ambasadorëve të shteteve mike kanë dalë qartazi kundër kësaj ideje, partitë politike për fat të mirë kanë qartësi e sidomos ne si LDK kemi mendim krejtësisht të qartë dhe jemi kundër kësaj ideje e cila i prek kufijtë, hap shumë dilema, hap çështje për të cilat ne mendojmë se kanë përfunduar. Prandaj, qasja ndaj këtij procesi absolutisht mund të kufizohet vetëm me këto fjali që është një aventurë tejet e rrezikshme, por që bazën e kësaj ose regjinë e ka dikush jashtë Kosovës, nuk është burim i Kosovës dhe nuk është interes i Kosovës”, përfundoi deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj për “Bota sot”.

Kujtojmë se, lëvizja e kufijve të Ballkanit Perëndimor mori një kundërshtim të fuqishëm edhe nga gruaja me e fuqishme në botë. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, i tha jo kësaj ideje. Sipas saj, duhet të punohet që gjashtë vendet e këtij rajoni t’i bashkohen Bashkimit Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat