Kosova nuk rrezikohet nga ushtria e lodhur serbe

Politika

Kosova nuk rrezikohet nga ushtria e lodhur serbe

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 16 gusht 2018 Në ora: 07:21
Fadil Kajtazi dhe Hajrullah Tërnava

Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se Kosova rrezikohet nga politikat e këqija të qeveritarëve të saj dhe jo nga  Serbia e cila vazhdimisht kërcënon edhe me ushtri.

Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi thotë se më së paku Kosovën e rrezikon ushtria e lodhur serbe. Sipas tij, Kosovën e rrezikojnë më së shumti politikat e këqija të qeveritarëve.

“Rreziku i vetëm i Kosovës janë politikat e këqija të qeveritarëve të saj të cilat qytetarëve të Kosovës nuk po ju ofrojnë punësim, zhvillim ekonomik, arsim cilësor, shëndetësi cilësore dhe sundim të ligjit. Ajo që më së paku e rrezikon Kosovën është ushtria e lodhur serbe, e cila nuk guxon të lëvizë asnjë milimetër në drejtim të Kosovës”, thotë eksperti Kajtazi.

Ai thotë më tutje se, siguria e Kosovës garantohet nga NATO që është aleanca më e fuqishme botërore ushtarake.

“Siguria e Kosovës rrezikohet nga politikat e këqija të politikanëve të shitur dhe avanturier të Kosovës të cilët me veprimet e tyre që nga viti 1999 janë duke u munduar për të mbajtur ison serbe që të na fusin në konflikt me shtetet perëndimore si garantuese të shtetësisë së Kosovës. Dhe kjo është duke u bërë sistematikisht që Kosova e vogël të prodhoj probleme të mëdha në mënyrë që shtetet perëndimore të heqin dorë nga përkrahja e Kosovës që pastaj ushtria serbe të bëj punën e vet”, vlerëson ai.

Po ashtu edhe eksperti tjetër i sigurisë, Hajrullah Tërnava thotë se, Serbia me çdo kusht mundohet me e pas Kosovën nën kontroll dhe si të tillë ende e mbanë në Kushtetutën e hartat e saj si pjesë përbërëse të saj.

“Gjithë ajo luftë që është bërë në vitin 1999 kur intervenuan forcat e NATO-së dhe me marrëveshjen e Kumanovës. Serbia e pranoi të tërhiqet nga Kosova dhe luftën e pranoj si humbje të këtij territori. Prapë se prapë Serbia bënë çmos për më e mbikëqyrë apo mbajtur së paku deri në një konflikt të ardhshëm Kosovën dhe duke shpresuar se politikat ndërkombëtare do të ndryshojnë në të mirë të saj dhe do ta kthej territorin e Kosovës si tërësi të saj”, thekson Tërnava.

Ai shton se, këtë politikë shpresëdhënëse për Serbinë po e stimulon Rusia, e cila ngjashëm me agresionet që i ka bërë ndaj Moldavisë, Gjeorgjisë dhe Ukrainës, të cilave ua ka rrëmbyer me dhunë nga një pjesë të territorit të tyre dhe tani i shfrytëzon dhe i mbikëqyrë si pjesë të saj dhe e stimulon Serbinë që të bëjë çmos dhe ta mbajë Kosovën kështu në këtë mënyrë.

Eksperti Tërnava thotë më tutje se, Rusia i kushtëzon aleancat si Amerikën me BE, që t’i njohin pjesën e aneksuara nga ana e Rusisë, si kusht që ndoshta edhe Rusia ta njeh pavarësinë e Kosovës.

“Amerika dhe BE në OKB kanë miratuar rezoluta për këto pjesë që i ka uzurpuar Rusia nga shtetet sikur që i ceka, që ato pjesë sa më shpejtë të ju kthehen shteteve që ju takojnë. Afër politikave ruso-serbe e për interesa personale, iu rrinë edhe Franca e cila e luan lojën e sherrit, e duke e llogaritur si në të kaluarën mike Serbinë dhe krejt kjo lojë që po ndodhë, tani e ka kontributin edhe të këtij shteti, e që në instancat edhe më të larta të udhëheqjes së shtetit tonë këtu në Kosovë, i ka bashkëpunëtorët e saj dhe i zbaton ato politika jot ë pastra në Kosovë. Kërcënimet e Serbisë me ushtrinë e saj, e ka për qëllim mbajtjen e pulsit të faktorit ndërkombëtar e lidhur edhe me rezolutën 1244 që është në fuqi, sepse sigurinë e territorit të Kosovës e garanton KFOR-i dhe NATO-ja”, vlerëson ai.

Sipas ekspertit të sigurisë, një sulm ushtarak ndaj Kosovës do të thotë një luftë, e nëse e sulmon Serbia e ka të qartë se çfarë do të ndodhë me Serbinë.

“Prandaj kjo çfarë bënë Serbia bënë Serbia e kuptueshme është se ka për qëllim tensionimin e situatës, e sidomos kur në këto qaste po udhëhiqen bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës, kështu që edhe në këto bisedime me këtë gjendje të tensionuar nga ana e Serbisë, ajo të fitojë dhe të arrij qëllimet e saj të ndarjes së një pjese të Kosovës, si në këtë rast të veriut të Kosovës, kurse në të ardhmen e tërë Kosova prapë t’i kthehet Serbisë. Destabilizimi i Ballkanit nuk i shkon për shtati askujt, sepse nëse ndodhë kjo, do të thotë një luftë botërore, e për luftërat botërore vendosin më të fortit e botës, që mendoj se kjo nuk do të ndodhë, sepse bash këta të fortit e botës në mbikëqyrje botën dhe nuk iu konvenon me i prish rehatinë e tyre”, thotë eksperti Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat