Veteranët e rrejshëm të Thaçit, Haradinajt ose komandant Remit kërcënuan prokurorin Blakaj?

Politika

Veteranët e rrejshëm të Thaçit, Haradinajt ose komandant Remit kërcënuan prokurorin Blakaj?

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 16 gusht 2018 Në ora: 12:00
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe komandant Remi

“Po të kishte drejtësi në shtet dhe prokurori, prokurori Blakaj që ka dhënë dorëheqje ishte dashur të arrestohet ose të arrestohen ata që e kanë kërcënuar, e çka nuk besoj që janë veteranët e UÇK-së, pasi veteranët e vërtet s’kanë çka i fshehin asgjë drejtësisë, por ndoshta kërcënues janë ata veteranët e rrejshëm të Hashim Thaçit apo të Ramush Haradinajt, ose komandant Remit që i bënë 44 mijë veteranë pa qenë kurrë”, thotë Naim Miftari për gazetën “Bota sot”.

Shteti i Kosovës është duke paguar pensionet për rreth 40 mijë veteranë të UÇK-së.

Sipas të dhënave zyrtare,  janë 38 mijë e 253 veteranë që marrin pensionin dhe 1 mijë e 663 familje të tyre.

Numri i madh i veteranëve dhe hetimi i listave, ka bërë që edhe prokurorët e Prokurorisë Speciale të marrin kërcënime e shantazhe.

Ata janë detyruar të japin dorëheqje nga këto pozita, për shkak të punës së tyre - hetimit të listave të fryra të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pa dyshim,  listat i kanë fryrë një numër i madh i komandantëve të zonave që kishin përgjegjësi për përpilimin e tyre. Andaj, si të infiltruar në politikë, shumë prej tyre ministra e deputetë, kanë bërë shantazhe ndaj prokurorëve në mënyrë që, mos të zbulohen mashtrimet e tyre.

Për këto raste edhe Prokuroria kishte filluar hetimet.

Dorëheqja e kryeprokurorit Blakaj

Por, se shantazhet dhe kërcënimet nuk ishin vetëm fjalë, e ka dëshmuar dorëheqja e prokurorit Elez Blakajt, i cili po hetonte listat e veteranëve.

Fillimin e hetimeve e kishte marrë seriozisht prokurori Special i Republikës së Kosovës, Elez Blakaj, i cili më 11 korrik 2018, e ka ngritur aktakuzën ndaj profilit të lartë të veteranëve,  lëndë kjo e cila konsiderohet si një ndër lëndët më voluminoze dhe të ndjeshme, por e cila është duke qëndruar në Prokurori Speciale dhe ende nuk është dërguar në Gjykatë.

Listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj dhe Xhavit Jashari, ka raportuar Betimi për Drejtësi.

Se të gjithë këta emra kanë lidhje me politikën nuk ka dyshim, andaj edhe kërcënimet kur bëhen nga njerëzit e pushtetit mund të jenë serioze.

E dikush prej tyre, kishte filluar të bëjë kërcënime dhe shantazhe ndaj prokurorit Elez Blakaj, derisa ai mori vendimin për dorëheqje nga kjo pozitë.

Autoritetet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë kanë reaguar pas dorëheqjes së zyrtarit të lartë nga sistemin e drejtësisë, i cili me punën e tij ka qenë duke hetuar raste të ndryshme, e të konsideruara si të ndjeshme.

Image
Bajram Gecaj

Gecaj: Nuk mund të presim që prokurorët e gjyqtarët t’i mbrojë qeveria e komandantëve

Anëtari i LDK-së, Bajram Gecaj thotë se, dorëheqja është për keqardhje, por është edhe një alarm për të gjithë, se çka mund të ndodhë tani kur EULEX ka kaluar në pozitën e vëzhguesit e monitoruesit.

“Është gjithashtu për keqardhje që ne nuk mund të presim që prokurorët e gjyqtarët t’i mbrojë qeveria e komandantëve, pasi që shumica e këtyre kërcënuesve sigurisht që vijnë nga radhët e tyre; pra, në një apo në një mënyrë tjetër janë të ndërlidhur me komandantët qeveritarë. Mua me vjen keq, por unë jam mjaft pesimist sa i përket sundimit të rendit e ligjit në vendin tonë, ndërsa pa sundim të rendit e ligjit ky vend nuk mund të ecë para, por do të mbesim të fundit në rajon në secilin proces. Duhet ta përsëris atë që veç e kam thënë tanimë disa herë: Për të larguar regjimin fashist të Millisheviqit na është dashur të dalim në mal, ndërsa për të larguar keq-bërësit nga radhët tona duhet vetëm të jemi të vëmendshëm kujt ia japim votën”, thotë Gecaj për gazetën “Bota sot”.

Njohësi i çështjeve juridike Muhamet Kelmendi, thotë se, çështja e tërheqjes së prokurorit të gjykatës së Prokurorisë Speciale vjen me siguri nga fakti se hetimet ishin duke u zhvilluar për listat e veteranëve.

Image
Muhamet Kelmendi

“Nuk është gjë pozitive, për mendimin tim është dashur të vazhdoj punën dhe të tregoj që ka presion nga çdokush dhe çështja e tij të zbardhet, sepse është në interesin e gjithë qytetarëve të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së drejt që ka bërë UÇK-ja që gjërat e pavërteta të zbulohen dhe të dalin në shesh”, thotë Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

Kelmendi: Në lisa edhe UDBA-shë

Ai tregon se pjesë e listës së veteranëve të luftës janë bërë edhe njerëzit që i kanë shërbyer UDB-së jugosllave.

“Ka raste kur veteranët e UÇK-së kanë marrë njerëz që i kanë shërbyer UDB-së jugosllave. Është rasti i një personi të UDB-së nga Peja, i cili tërë jetën e ka kaluar në veprimtarinë e UDB-së dhe në fund ju ka njohur stazhi i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Unë nuk jam kudër asaj, por nëse ka qenë në luftë duhet të jetë pjesë e veteranëve, por nëse ka qenë sikurse ai që ka bërë gjithçka dhe në fund ju ka njohur statusi i veteranit është shumë e rëndë. Duhet me sqaruar se ndoshta edhe ata që ishin dikur pjesë e UDB-së, ka mundësi që pastaj i janë bashkuar UÇK-së dhe normalisht duhet të iu njihet stazhi, mirëpo jo atyre që kanë bërë çdo gjë para luftës”, përfundon Kelmendi.

Image
Naim Miftari

Miftari: Ndoshta kërcënues janë veteranët e rrejshëm të Thaçit, Haradinajt, ose komandant Remit

Ish eprori i lartë i UÇK-së, G2, TMK-së, Policisë së Kosovës dhe pjesëtari i SHIK-ut, Naim Miftari, thotë se Kosova nuk ka prokurorë të pavarur e as kryeprokuror por ka servila, politikanë pa-kurrizor, të korruptuar e frikacakë.

“Po të kishin drejtësi në shtet dhe prokurori, prokurori Blakaj që ka dhënë dorëheqje ishte dashur të arrestohet ose të arrestohen ata që e kanë kërcënuar e çka nuk besoj që janë veteranët e UÇK-së, pasi veteranët e vërtet s’kanë çka i fshehin asgjë drejtësisë, por ndoshta kërcënues janë ata veteranët e rrejshëm të Hashim Thaçit apo të Ramush Haradinajt, ose komandant Remit që i bënë 44 mijë veteranë pa qenë kurrë”, thotë Miftari për gazetën “Bota sot”.

Ai pohon se, nuk është në pyetje çështja e veteranëve, por PRONTO e cila i ka “kukulla” shumicën e prokurorëve dhe kryeprokurorëve.

“Shteti dhe rëndësia e shtetit është në duar të mafies politike dhe se prokurorët që pranohen vinë me direktiva made in “Adem Grabovci dhe Company”. Do të thotë urdhrat prokurorëve iu vinë nga lartë për ata të cilët duhet me u hetu apo jo. Prandaj edhe ikin nga përgjegjësia nga dështimi i orkestrua politik i drejtësisë ku në këtë teatër PDK-ja e ka fjalën dhe rolin kryesor e ndihmuar nga AAK-ja e kryeministrit Haradinaj dhe LDK-së. Andaj kjo tregon se nuk kemi shtet ligjor, as shtet funksional, por një shtet i tipit mafioz dhe diktatorial”, thekson Naim Miftari.

Ndërsa, opinionisti dhe analisti politik, Faik Krasniqi thotë se, padyshim që listat e veteranëve të UÇK-së janë të stër-fryra.

“Ne e dimë fare mirë se sa kanë qenë pjesë e UÇK-së. Një shifër prej 10-12 mijë veteranë të UÇK-së e patë dhënë edhe ish komandanti i Përgjithshëm Agim Çeku. Janë edhe videot ku e thotë një gjë të tillë. Por ky numër i veteranëve të rrejshëm u rrit për 5-6 fish nga paslufta, nga komandantët e fuqishëm të politikës dhe para politikës, me të vetmin qëllim votat dhe mbajtjen e pushtetit. Kërcënimet ndaj Prokurorit mund ta kenë shtyrë që të japë dorëheqje”, thotë Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat