Krasniqi tregon fajtorët për fryrjen e listave të veteranëve

Politika

Krasniqi tregon fajtorët për fryrjen e listave të veteranëve

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 17 gusht 2018 Në ora: 12:22
Ilustrim

Në media është publikuar një audio-incizim në të cilin dëgjohet Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama duke thënë se po t'i kishte Kosova 60 mijë veteranë s’do të kishim nevojë për NATO-n.

Analisti Faik Krasniqi ka deklaruar se Lista e të gjitha kategorive të UÇK-së është fryrë me një kategori tjetër njerëzish.

Image
Faik Krasniqi

“Lista e të gjitha kategorive të UÇK-së është fryrë me një kategori tjetër njerëzish, që s’kanë gjë të përbashkët me UÇK-në, por që janë të gatshëm të përfitojnë kundërligjshëm prej luftës së saj. Ekzistojnë incizime ku edhe Agim Çeku deklaron që UÇK-ja ka pasur 10-12 mijë ushtarë. Dhe ky numër shkoi në mbi 60 mijë. Edhe para ndërkombëtarëve jemi turpëruar me këtë stërfryerje, prej të cilëve kërkuam ndihmë për të intervenuargjatë luftës, ku pasoi intervenimi i NATO-së”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ai i ka hedhur fajin tek politikanët për listën me veteranë të UÇK-së, ku sipas tij duhet të dalin para drejtësisë ata që i kane fryrë këto lista.

“Por, fajin për këtë stërfryerje të veteranëve të rrejshëm të UÇK-së, padyshim që e kanë politikanët, komandantët e zonave dhe udhëheqësit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së. Nuk do të habitesha nëse ky numër i veteranëve të UÇK-së shkon deri në 100 mijë, meqë kemi tolerim nga institucionet tona dhe mbi të gjitha nga Prokuroria e shtetit, e cila do të duhej t'i fuste në burg të gjithë ata që kanë manipuluar me këto lista dhe kjo listë jo që nuk do të fryhej, por do të zvogëlohej në numrin real të veteranëve të UÇK-së. Fryrja e listave me veteranë të rrejshëm të UÇK-së, vetëm sa do të varfërojë buxhetin e shtetit. Nga ky varfërim i buxhetit i Kosovës edhe ashtu i varfër, do të goditen direkt qytetarët e Kosovës, para që do të mund të shfrytëzoheshin për investime dhe hapjen e mijëra vendeve të punës”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat