“Përplasen” ish- kolegët, VV: PSD nuk ka nevojë të merakoset për nënshkrimet e rrëzimit të qeverisë

Politika

“Përplasen” ish- kolegët, VV: PSD nuk ka nevojë të merakoset për nënshkrimet e rrëzimit të qeverisë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 19 gusht 2018 Në ora: 21:21
Vetevendosje

Partitë opozitare në Kosovë vazhdojnë të mos kenë një unifikim për çështjen e dialogut dhe rrëzimit të qeverisë.

Partia Socialdemokrate ka lëshuar akuza dje kundrejt LDK-së dhe Vetëvendosjes, duke thënë se ata janë duke u angazhuar drejt përpjekjes së krijimit të përshtypjes se kinse PSD nuk ka gatishmëri për rrëzimin e qeverisë.

Shefi i Grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, përmes një statusi në “Facebook”, ka shkruar se ata kanë dorëzuar nënshkrimet për rrëzimin e qeverisë, mirëpo LDK dhe VV nuk kanë ofruar nënshkrimet e tyre.

“Në vend të angazhimit drejt bashkimit opozitar, në kushtet ku do t’i kishim 58 deputetë kundrejt pushtetit të pakicës; LDK dhe VV po vazhdojnë të angazhohen drejt përpjekjes së krijimit të përshtypjes se kinse PSD nuk paska gatishmëri për rrëzimin e qeverisë. Me 26 korrik, PSD i ka dhënë 12 nënshkrimet e deputetëve të saj për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë. Sot, më 18 gusht – Asnjë nënshkrim nga LDK dhe VV! Pra, nuk janë as për orientim dhe mbikëqyrje të dialogut, as për rrëzim të qeverisë”, ka shkruar ndër tjerash, Sejdiu në profilin e tij social “Facebook”.

Image
Ismail Kurteshi

Por, Lëvizja Vetëvendosje thotë se nuk qëndron tek nënshkrimet rrëzimi i qeverisë, por te mungesa e numrave.

Ismail Kurteshi, deputet nga radhët e Vetëvendosjes ka thënë për “Bota sot”, se ata janë për rrëzimin e qeverisë, mirëpo votat ende nuk janë siguruar.

Kurteshi ka përsëritur që ata nuk janë të kënaqur me qeverinë dhe veprimet e saj dhe prandaj ata nuk janë të interesuar ta mbajnë në pushtet këtë qeveri.

“Vetëvendosja, besoj që edhe LDK-ja kanë përfaqësues të tyre që deklarohen për qëndrimet e Vetëvendosjes dhe të partisë tjetër. Ajo që thashë unë, është qëndrimi i Vetëvendosjes, ne jemi që ta rrëzojmë qeverinë, por na nevojiten votat, nënshkrimet është çështje e gjitha formale që mund të merren për një kohë jashtëzakonisht të shkurtër, por çështja është te sigurimi i votave. Vetëvendosja është deklaruar shumë herë që është e pakënaqur me qeverinë dhe me shumë veprimet e deritanishme që i ka bërë, prandaj ne nuk jemi të interesuar që këtë qeveri ta mbajmë në pushtet, arsyeja e vetme janë votat. PSD-ja nuk ka nevojë të merakoset për këtë çështje, kurdo që i bëjmë votat e nevojshme do të jemi si subjekt opozitar së bashku me subjektet e tjera opozitare”, ka deklaruar Kurteshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat