Vendi në duar të grupeve kriminale

Politika

Vendi në duar të grupeve kriminale

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 19 gusht 2018 Në ora: 22:06
Elez Blakaj

“Dorëheqja e Prokurorit Elez Blakaj është dëshmi se kemi ende grupe të organizuara kriminale që për shkak të përvetësimeve financiare janë në gjendje të bëjnë çdo gjë sado të jenë ato të mëdha apo të vogla. Ata arrijnë deri në atë pikë të paskrupullt sa që jo vetëm që  lejojnë, por edhe shpikin rreth 20 mijë veteran të rrejshëm-mashtrues, vetëm e vetëm që të mbesin në pushtet sepse pushtetin këta e konsiderojnë si oksigjen. Pa të, nuk munden dhe pa pushtet të vjedhur edhe me vota të këtyre veteranëve të rrejshëm ata sillen si mbretër në Kosovën e pasluftës”, ka thënë avokati Gashi.

Edhe me tej dorëheqja e prokurorit të Prokurorisë Speciale në Kosovë, Elez Blakaj vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, e veçanërisht në sektorin e drejtësisë.

Kjo dorëheqje që prapa la shumë pikëpyetje, po mendohet edhe si një dëshmi se vendi po bie në duart e bandave dhe grupeve kriminale.

Pas dorëheqjes së prokurorit Blakaj, kishte reaguar fuqishëm edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Këtë Greg Delawie e kishte quajtur si ditë të keqe për ligjin në vend.

“Një ditë e trishtë për sundimin e ligjit në Kosovë kur një prokuror ndien se duhet të japë dorëheqje për shkak të kërcënimeve dhe mungesë të mbështetjes. Është veçanërisht shqetësuese kur ai po punonte me një rast të mashtrimit masiv me pensione”, kishte thënë Delawie.

Lidhur me këtë çështje, për gazetën “Bota sot”, kanë folur njohësit e çështjeve juridike. Ata dorëheqjen e Prokurorit Blakaj po e konsiderojnë si dëshmi se në Kosovë edhe më tej gjyqtarët dhe prokurorët nuk kanë mundësinë të punojnë të pavarur nga politika. 

Image
Tomë Gashi

Tomë Gashi: Mjaft është mjaft

Avokati dhe njohësi i çështjeve juridike, Tomë Gashi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka bërë të ditur se dorëheqja e Prokurorit Blakaj është dëshmi se në vend edhe me tutje veprojnë grupe të organizuara kriminale që për shkak të përvetësimeve financiare janë në gjendje të bëjnë gjithçka.

“Dorëheqja e Prokurorit Elez Blakaj është dëshmi se kemi ende grupe të organizuara kriminale që për shkak të përvetësimeve financiare janë në gjendje të bëjnë çdo gjë sado të jenë ato të mëdha apo të vogla. Ata arrijnë deri në atë pikë të paskrupullt sa që jo vetëm që  lejojnë, por edhe shpikin rreth 20 mijë veteranë të rrejshëm-mashtrues, vetëm e vetëm që të mbesin në pushtet sepse pushtetin këta e konsiderojnë si oksigjen. Pa të, nuk munden dhe pa pushtet të vjedhur edhe me vota të këtyre veteranëve të rrejshëm ata sillen si mbretër në Kosovën e pasluftës”, ka thënë avokati Gashi.

Sipas tij, duke parë reagimin e Ambasadës amerikane në rastin e Prokurorit Blakaj dhe duke e ditur se ai tani gjendet në SHBA, Gashi shton se është i sigurt se ai një ditë do të kthehet në Kosovë për të marrë punë të rëndësishme.

“Prokurori Blakaj bëri një të mirë që e bëri publike arsyen e dorëheqjes , apo thënë më saktë u kuptua pse iku ai nga sistemi i drejtësisë dhe me këtë i dha një goditje të fortë nga largësia këtyre grupeve kriminale që thirren në emër të UÇK-së. Duke parë reagimin e Ambasadës amerikane në rastin e Prokurorit Blakaj dhe duke e ditur se ai tani gjendet në ShBA, unë jam i sigurt se ai një ditë do të kthehet në Kosovë për të marrë punë të rëndësishme dhe kjo thuaja se është e paralajmëruar”, ushpreh ai.

Krejt në fund, avokati i njohur thekson se kjo dorëheqje nuk e bënë Kosovën me keq, pasi siç thotë Gashi, ky rast mund të ndikojë pozitivisht me rastin e zgjedhjeve të ardhshme.

“Por, ky rast nuk e bënë Kosovën me keq se siç ka qenë, ndoshta bile do të ndikoj pozitivisht që masat e popullit të kërkojnë ndryshime dhe kjo duhet të bëhet me rastin e zgjedhjeve të ardhshme që të votohen njerëz të rinj me ide perëndimore, me ato ide ku është tani zoti Blakaj me ide të Amerikës dhe me përfundimin e turpshëm të një gjenerate politikanesh të cilët thuaja se kanë okupuar çdo gjë në Kosovën e pasluftës, mjaft është mjaft”, ka përfunduar për gazetën “Bota sot”, avokati dhe njohësi i çështjeve juridike, Tomë Gashi.

Image
Muhamet Kelmendi

Kelmendi: Kosova ka rrëshqitur që në kohën e UNMIK-ut

Profesori i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, duke folur për dorëheqjen e Elez Blakajt, ka thënë se i takon vetë atij të deklarohet se a ka pasur kërcime apo presion nga ndokush.

“Dorëheqja e prokurorit Elez Blakaj nga pozita e Prokurorit të Prokurorisë së Kosovës është dorëheqje e cila i takon atij të deklarohet lidhur me atë se a ka pasur kërcime, a ka pasur presion nga ndokush, ndërsa përgatitja e fletë akuzës të bërë nga ana e tij si prokuror tregon se kemi të bëjmë me një grumbull njerëzish mjaft të rëndësishëm në skenën politike të Kosovës dhe jashtë saj, të cilët i akuzon dhe natyrisht se është një çështje e cila i takon atij dhe organeve kompetente të Kosovës të deklarohen dhe të tregojnë pozicionin dhe shkaqet të cilat kanë ndikuar që të ndodh kjo dorëheqje”, ka thënë ai.

Sipas Kelmendit, Kosova ka rrëshqitur nga duart e sigurta që nga koha e UNMIK-ut.

“Nuk është çështja se Kosova po rrëshqet në atë drejtim të pozicioneve të dëmshme ku nuk respektohen ligjet, pasi Kosova ka rrëshqitur që në kohën e UNMIK-ut nga pozicionet të cilat nga njerëzit të cilët UNMIK-u i ka vendosur në organet e pushtetit, krejtësisht ka vendosur njerëz të cilët kanë qenë në shërbim të ish sistemit të Jogusllavisë, me gjyqtar me prokurorë, ku 90 përqind e gjyqtarëve dhe prokurorëve i takojnë atij sistemi, pra duhet ditur se kemi të bëjmë me gjyqtarë dhe prokuror të cilët shumë lehtë janë shantazhuar nga e kaluara dhe shumë shpejt kanë rënë edhe nën ndikim edhe të UNMIK-ut, pastaj të EULEX-it, tash të qeverive dhe pushtetit shtetëror në Kosovë”, ka thënë Kelmendi.

Profesori ka theksuar se sistemi gjyqësor në Kosovë kërkon një spastrim total, ndërsa përmend Vettingun sikurse që po zhvillohet në vendet tjera.

“Ky sistem kërkon një spastrim total në bazë të ligjit. Më së miri kishte me qenë një Vetting sikurse që po zhvillohet në vendet tjera, ku do të shikohej figura e çdo gjyqtari, shikohej e kaluara e tij, pasuria e tij dhe në këtë mënyrë do kishim një pastrim të sistemit gjyqësor, sepse shtet juridik nuk mund të ndërtojmë pa prokurori dhe pa gjykata të pastërta”, ka theksuar Muhamet Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

Image
Blerim Burjani

“Kosova është ende larg nga demokracia dhe shteti ligjor”

Ndërsa, edhe njohësi tjetër i çështjeve juridike-kushtetuese, Blerim Burjani ka thënë, se rasti Blakaj është shembulli më i mirë në Kosovë se kush tenton të ndjek njerëz të inkriminuar penalisht do të ballafaqohet me shantazhe e kërcënime.

Burjani për gazetën “Bota sot”, ka thënë se krimi politik nuk ndalet pa një ndryshim rrënjësor e demokratik.

“Po ky është tregues se kush tenton të ndjek njerëz të inkriminuar penalisht ballafaqohet me shantazhe ose kërcënime, në Kosovë gjyqësia dhe prokuroria bashkëjeton me njerëz të fuqishëm mbi rendin dhe ligjin, këta njerëz emërtohen si sundues të shtetit, në këtë gjendje çfarë janë gjasat janë zero për shtet ligjor, pa ndryshim dhe zhvillim të një qeverisje demokratike në favor të qytetarëve, pra krimi politik nuk ndalet pa një ndryshim rrënjësor demokratik ne qeverisje”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike.

Me tej Burjani ka thënë se shpresat janë minimale për ndryshime, pasi gjyqtarët dhe prokurorët nuk kanë mundësinë të punojnë të pavarur nga politika. 

Ai ka theksuar se Kosova është ende larg nga demokracia dhe shteti ligjor.

“Shpresat janë minimale për ndryshime demokratike të mëdha, kështu si janë gjyqtarët dhe prokurorët nuk kanë mundësinë të punojnë të pavarur nga politika, njerëzit e politikës po ua rritin pagat që tre herë ndërsa shëndetësia në mjerim, duke u rrit pagat dhe duke iu mbetur në sirtar mbi 300 mijë lëndë të pazgjidhura, Kosova është ende larg nga demokracia dhe shteti ligjor”, ka theksuar Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat