Akuzat tronditëse, kërkohet dorëheqja urgjente e “Lekës”, Aleksandër Lumezit

Politika

Akuzat tronditëse, kërkohet dorëheqja urgjente e “Lekës”, Aleksandër Lumezit

Nga: P.R Më: 20 gusht 2018 Në ora: 20:00
Aleksandër Lumezi

Ish prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, i cili ditë më parë dha dorëheqje, Elez Blakaj, përmes një letre ka bërë të ditur arsyet e largimit të tij nga pozita e prokurorit.

Në letrën e tij, ai shkruan për presionet që sipas tij ia ka bërë kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, i njohur si Leka.

“Sinqerisht nga nga ai moment jam shokuar për nivelin e tij, e për me shumë edhe gjatë një takimi të përbashkët pas një jave, në zyrën e tij, përseri për rastin “Pronto” ku ishte i pranishëm edhe z.Reshat Millaku, znj. Drita Hajdari, z. Lulzim Sylejmani, i njëjti i nevrikosur kërkonte llogari, madje edhe duke uluritur pse kemi ngritur aktakuzë, e poashtu kërkonte të rikthehet apo rishikohet aktakuza e cila ishte dërguar në gjykatë!!! Në këtë takim i njëjti pa fije turpi na tregonte se si është takuar me disa nga njerëzit tani të akuzuar (siç ishte Besim Beqaj) dhe se rezultati i punës nuk i pëlqente duke urdhëruar njërin nga prokuroret e zyrës se tij – z. Lulzim Sylejmani TË MBANTE NJË SHENIM ZYRTAR, sepse disa nga NE nuk po pranonim ta rishikonim vendimin e marrë lidhur me aktakuzën e cila veç ishte derguar në gjykatë! – Nga ky moment e kam kuptuar plotësisht se kush ishte në të vërtetë Kryeprokuroi ynë z. Aleksander Lumezi”, ka shkruar Blakaj, përcjellë “Bota sot”.

E menjëherë pas kësaj, në rrjetin social kanë vërshuar reagimet, ku në shumicën e rasteve kërkohet dorëheqja e Lumezit nga posti i kryeprokurorit.

“Letra e ish prokurorit Blakaj shpërfaq skandalet dhe kapjen e sistemit të drejtësisë nga mafia në pushtet që është e lidhur direkt me drejtuesit e sistemit të drejtësisë! Aty përmendet kryeprokurori Lumezi dhe të tjerë, e që pas atyre që ka shkruar ish prokurori Blakaj, Aleksander Lumezi duhet dhënë dorëheqje sa më parë!”, ka shkruar deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

Dorëheqjen e Lumezit e ka kërkuar edhe deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri.

“Pas keti rrefimi te prokurorit Elez Blakaj, ministri i drejtesis dhe kryeprokurori Aleksander Lumezi, urgjentisht duhet te japin dorëheqje Kosova ka mjaft djem e vajza te pergaditur qe ti sherbejn vendit. Pas keti rrefimi dhe deklarate te zt. Blakaj shifet qarte se drejtesia ne Kosov eshte e kapur nga klanet politike dhe kjo gjendje nuk duhet te durohet me! Kosova duhet te shkoj ne zgjedhje! LDK duhet ta mer pergjegjesin nga sovrani dhe sovranit tia kthej dinjitetin! BOLL MO!”, ka shkruar Gaxherri, përcjellë “Bota sot”.

“Aleksandër Lumezi, i ardhur në vend të Kryeprokurorit me diplomë false, përmes telefonatave Pronto, s’ka se si të hetojë vetveten, dhe shefat e tij. Ç’kapja e drejtësisë fillon me dorëheqjen e tij. Çdo gjë tjetër është vrasje e drejtësisë në këtë vend dhe rrezikim i çdo qytetari nga drejtësia selektive e Pronto- prokurorisë”, shkruan deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli.

Kurse kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti shkruan se gjyqësori është në funksion të strukturave të kapura të shtetit.

“Letra e prokurorit Blakaj në lidhje me rastin e veteranëve dhe dorëheqja e tij po shpërfaqin edhe më shumë atë që po e themi nga dita e parë. Ky rast është si duket definicioni i problemeve të shtetit tonë. Hajni e mashtrime në emër të luftës. Dëme buxhetore nga strukturat parapolitike të instaluara në çdo cep të shtetit tonë. Pronto paraqiste një fotografi të punësimeve dhe u gjykua si e tillë, pra përdorimi i autoritetit dhe pushtetit për punësime. Por, akuzat e fundit shpërfaqin problemin më të madh, të një gjyqësori në funksion të strukturave të kapura të shtetit. Fokusimi i rastit në vetëm një njeri i bën dëm kësaj çështje. Tani nuk duhet të ndalemi deri në hetimin e plotë të krejt rastit. Atëherë dhe vetëm atëherë do ta kuptojmë rrjetin, mashtrimet dhe dëmet reale për shtetin tonë”, ka shkruar Ahmeti.

Kurse, deputetja nga Alternativa për Kosovën, Mimoza Kusari-Lila, shkruan se deklarimi publik i Prokurorit të dorëhequr Blakaj, nuk e merr vëmendjen dhe trajtimin që duhet, atëherë as nuk jemi për shtet dhe as nuk e kemi bërë shtetin tonë.

“Le të rrahin gjoks gjithë jetën “Baballarët e Kombit” për të arriturat e tyre, e ato të arritura janë: 19,000 veteranë të falsifikuar, shteti i kapur nga klani “Pronto”, sistemi i munguar i drejtësisë, Qeveria megallomane me shpenzime më të larta se të hyrat, sistem i arsimit dhe shëndetësisë të dëmtuara deri në palcë.... Këto janë vetëm disa nga të “arriturat” e “Baballarëve” tanë. Fatura e që po e paguan sot qytetari i Republikës është disproporcionalisht më e lartë se krejt “kontributet” e deklaruara të këtyre burrave (lexo: burrecave) që e zhvatin shtetin sikur çamçakëzin e dhuruar nga tjetërkush. Qytetarë të Kosovës, mos u frikësoni se e humbim Veriun ose copë tjera të territorit të Kosovës, problemin nuk e kemi në Veri, por në kryeqendër të Kosovës, në Prishtinë”, shkruan Kusari, përcjellë “Bota sot”.

E ish komandanti i UÇK-së, Naim Maloku, Lumezin e ka quajtur si koka e krimit në Kosovë.

“Çdo njeri i ndershem ne kete vend e ka dite qe falsifikatori Aleksander Lumezi eshte koka e krimit ne Kosove. Me prokurorin ELEZ BLAKAJ!”, ka shkruar në faqen e tij, Naim Maloku, përcjellë “Bota sot”.

“Elez Blakaj protestoi, po edhe na dergoi nje mesazh ne qe e duam Kosoven, drejtesine, shtetin ligjor.  Te gjithe duhet te flasim. Per keto gjera duhet ta ngrisim zerin, edhe per ato darkat e drekat e shtrenjeta me paret e popullit, e jo te merremi me demarkacione, levizeje kufijshe, nderrime teritoresh. A mundet hajni e mashtruesi me kane patriot?! A po e kuptojme se kjo gje eshte bere semundeje kolektive e shumices shqipetare?!!!”,  thuhet në reagimin e deputeti nga Nisma për Kosovën, Milaim Zeka.

Kurse, Ehat Miftaraj nga IKD, ka shkruar se i beson Elez Blakajt.

“Aleksander Lumezi, cilit Leke me I besu ketij, të sotmit apo atij te para pese diteve. Njani Aleksander po rren. Cili se di. Sidoqofte, une i besoj Elez Blakajt”, ka shkruar Ehat Miftaraj.

Kurse, kryeprokurori i shtetit, Alekasanër Lumezi, prokurorin e dorëhequr, Elez Blakaj, e ka quajtur  frikacak, prokuror i dështuar dhe joprofesional.

“Ato akuza nuk mund të vërtetohen dhe nuk janë të vërteta. Ai është dashur që të bëj shënim zyrtar. Ai po fshihet në Amerikë dhe po na akuzon neve. Këtu ai e tregoi karakterin e vërtetë. Sepse në karrierën e tij, ai nuk është marrë kurrë me lëndë të mëdha, unë ja kam dhënë lëndën pasi ka qenë prokuror i ri”, ka thënë Lumezi për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat