Pas letrës së prokurorit Elez Blakajt, vettingu është i domosdoshëm

Politika

Pas letrës së prokurorit Elez Blakajt, vettingu është i domosdoshëm

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 20 gusht 2018 Në ora: 22:07
Prokurori i dorëhequr Elez Blakaj

Prokurori i dorëhequr Elez Blakaj, është lajmëruar sot përmes një letre publike duke treguar për kërcënimet që kishte marrë.

Blakja ka treguar arsyet e dorëheqjes së tij nga posti i prokurorit special, duke thënë se dorëheqja e tij ka dy porosit: “protestë dhe mesazh”.

Në letër Blakaj përmend edhe kryeprokurorin Aleksandër Lumezin, për të cilin pos tjerash thotë se e kishte ftuar në zyre për t’i kërkuar llogari përse e kishte intervistuar Kadri Veselin.

Letra e Blakajt, ka sjellë reagimin e analistëve dhe deputetëve opozitarë, të cilët kanë kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeprokurorit Lumezi.

Ndërsa, profesori i së drejtës Muhamet Kelmendi, thotë se vettingu është i domosdoshëm për sistemin juridik.

Sipas Kelmendit, në prokurori dhe gjykata ka çdo gjë, por jo drejtësi.

“Çështja e VETTING-te është një domosdoshmëri për sistemin juridik në vend. Këtë e kemi parë shumë herët. Si në polici, në prokurori dhe në gjykata kërkohet një spastrim i gjerë. Shteti juridik dhe ligjor me prokurorë të kapur nga politika, me gjyqtarë dhe hetues jo të pastër, por të ish- sistemit dhe të korruptuar nuk ecet përpara. Çdo kush në Kosovë e dinë se ku gjendet prokuroria dhe gjykata. Atje ka çdo gjë po jo drejtësi. E kjo kërkon domosdo të zhvillohet një VETTING i gjerë dhe ne të gjitha nivelet”, pohon Kelmendi për “Bota sot”.

Për letrën e prokurorit Elez Blakaj, ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, emri i së cilit është përmendur në letër.

Veseli e ka quajtur të paguximshëm Blakajn, madje ka thënë se me ikjen e tij ai tregon se nuk e do shtetin e Kosovës.

“Elez Blakaj, një prokuror që shteti i Kosovës ia kishte dhënë besimin, nuk pati guximin që këtë gjë ta çojë deri në fund, për çka e ka pasur mbështetjen time të plotë - si njeri, si luftëtar dhe si lider institucional e politik… Shteti i Kosovës i kishte besuar z.Blakaj dhe profesionalizmit të tij. Me ikjen e tij, ai tregon se nuk e do shtetin e Kosovës. Prokurorët që e duan shtetin e Kosovës, që jetojnë me shpirt në këtë vend, do ta përfundojnë këtë process”, ka shkruar pos tjerash Veseli në “Facebook”.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për median vendore,  prokurorin e dorëhequr e ka quajtur hajn dhe pishpirik që nuk mund ta vlerësojë numrin e veteranëve, meqë ka ikur në Bllacë e Stankovec.

Haradinaj në intervistë nuk e ka pranuar se deklaratat e tij janë presion publik për këdo që mund të merret me këtë lëndë në të ardhmen, por ka bërë thirrje që të vërtetohet nëse ka pasur mashtrime.

Prokurori special Elez Blakaj, ka dhënë dorëheqje javën e kaluar pas kërcënimeve si pasojë e rastit me të cilin po merrej, me atë të veteranëve të rrejshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat