Kërcënimet e “Lekës”, dhe nëntë eprorët e lartë të UÇK-së që e çuan në SHBA prokurorin e Speciales

Politika

Kërcënimet e “Lekës”, dhe nëntë eprorët e lartë të UÇK-së që e çuan në SHBA prokurorin e Speciales

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 21 gusht 2018 Në ora: 15:02
Aleksandër Lumezi dhe Elez Blakaj

Prokurori i Prokurorisë Speciale, tashmë i dorëhequr, Elez Blakaj, karrierën e tij do ta vazhdojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga SHBA, Blakaj gjatë ditës së djeshme ka bërë të ditur arsyet e dorëheqjes së tij. Njëra ndër arsyet e shumta, është ajo e kërcënimeve që Blakaj kishte marrë nga kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi, i njohur si “Leka”.

“Në kulmin e këtyre hetimeve, gjatë intervistimeve, Kryeprokurori i Shtetit z. Aleksander Lumezi urgjentisht me fton në zyrën e tij dhe kërkon llogari pse e kam ftuar në intervistim z. Kadri Veselin (madje edhe si deshmitar) për rastin e “Veteranëve”, duke u arsyetuar “ SE ATA KANË IMUNITET NUK KA NEVOJË MI THIRR”, ani pse për këtë çështje ia kam bërë të qartë se Gjykata Kushtetuese në interpretimin e saj “asnjëherë, askujt, në asnjë rrethanë apo cilësi nuk i ka dhënë imunitet kur bëhet fjalë për vepra penale”…. Poashtu, i njëjti e ka hapur edhe temën e rastit “Pronto”, i cili ka provuar të më frikësoj se nese nuk rishikohet aktakuza e dërguar në gjykatë, do të me dërgoj në komision disiplinor… ndersa unë iu kam përgjigjur “Lirisht të parin dërgom mua, se kam problem fare””, ka shkruar Blakaj.

“Sinqerisht nga nga ai moment jam shokuar për nivelin e tij, e për me shumë edhe gjatë një takimi të përbashkët pas një jave, në zyrën e tij, përseri për rastin “Pronto” ku ishte i pranishëm edhe z.Reshat Millaku, znj. Drita Hajdari, z. Lulzim Sylejmani, i njëjti i nevrikosur kërkonte llogari, madje edhe duke uluritur pse kemi ngritur aktakuzë, e poashtu kërkonte të rikthehet apo rishikohet aktakuza e cila ishte dërguar në gjykatë!!! Në këtë takim i njëjti pa fije turpi na tregonte se si është takuar me disa nga njerëzit tani të akuzuar (siç ishte Besim Beqaj) dhe se rezultati i punës nuk i pëlqente duke urdhëruar njërin nga prokuroret e zyrës se tij – z. Lulzim Sylejmani TË MBANTE NJË SHENIM ZYRTAR, sepse disa nga NE nuk po pranonim ta rishikonim vendimin e marrë lidhur me aktakuzën e cila veç ishte derguar në gjykatë! – Nga ky moment e kam kuptuar plotësisht se kush ishte në të vërtetë Kryeprokuroi ynë z. Aleksander Lumezi”, shkruan ndër tjerash Balkaj.

E, pak orë para se Blakaj të publikonte letrën e tij, prokurori i prokurorisë Speciale të Kosovës, Reshat Millaku, kishte bërë të ditur detajet e aktakuzës për manipulimet me listat e veteranëve, e përgatitur nga Elez Blakaj.

Aty, Blakaj kishte paraparë që të ngrihet akuzë ndaj nëntë eprorëve të lartë të UÇK-së.

Në aktakuzën e përgatitur nga Blakaj, gjenden emrat e nëntë ish- eprorëve të lartë të UÇK-së, të dyshuar për manipulimet me lista, shkruan “Bota sot”.

“Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demalijaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha dhe Faik Fazliu,”, janë emrat e të akuzuarve të mundshëm nga aktakuza e përgatitur nga ish- prokurori Elez Blakaj për fryrje të listave të veteranëve.

E, Blakaj ka bërë të ditur që ka marrë shumë kërcënime nga veteranë të rrejshëm.

“Kam pranuar thirrje telefonike nga persona të njohur e të panjohur, më kanë kontaktuar personalisht edhe fizikisht , duke mi përcjell lloj lloj mesazhesh e duke u thirrur në luftën e shenjtë të UÇK-së “ se ki kujdes ku je hi”, “ki kujdes se po do mi njollos vlerat e luftës”, “ pse a po te dhimbën paret e shtetit ty, a mos po ti marrim ty”, “ le, bonja si tjerët” etj., mirëpo të gjitha këto i kam tejkaluar dhe kam vazhduar me punën time me një ekip të vogël bashkëpuntorësh me synimin final që ta kemi një hetim të mirëfilltë, të thellë, gjithpërshirës që duhej te kulmoj me një vendim të bazuar në fakte dhe ligj, në rastin konkret me aktakuzë, që nuk kuptoj arsyet pse ende nuk është dërguar në gjykatë. E për t’ua bërë të qartë se do vazhdoj të hetoj dhe nuk do të ndalem, pavarsisht tentimeve për frikësim, të gjithë antarët e Komisionit Verifikues Shteteror për njohje dhe verifikim te veteraneve, personalisht i kam intervistuar”, ka shkruar në letrën e tij, ish prokurori Elez Blakaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat